Vrasja plot mistere në familjen Meta, fabula kontradiktore e fëmijëve dhe dyshimet mbi bashkëshorten

27 Shkurt 2024, 14:12 / AKTUALITET ALFA PRESS

Vrasja plot mistere në familjen Meta, fabula kontradiktore e

Katër ditë më parë (23 shkurt) një lajm i pazakontë zuri faqet kryesore të mediave në Shqipëri për një ngjarje të kronikës së zezë, e ngjashme me disa nga docu-series e Netflix për nga skenari.

Uniformat blu zbulojnë nën dheun e një kasolleje të një banese në fshatin Shënavllash në Durrës kufomën e një personi, që rezultoi të ishte e 50-vjeçarit Pëllumb Meta.

10 ditë më parë familjarët, më konkretisht djali i madh i familjes Meta, kishte denoncuar në polici zhdukjen e të atit.

Me thellimin e hetimeve, blutë filluan të hiqnin nga pistat e hetimit, zhdukjen e papritur, dhe dyshimet e para ranë mbi familjarët pas gjetjes së automjetit të Pëllumbit, në aksin rrugor Shënavlash-Sektori Rinia.

Fabula kontradiktore e krijuar nga fëmijët

Që kur policia e Shtetit zbuloi makinën e braktisur të 50-vjeçarit dukej që kjo ishte preludi i diçkaje më serioze.

Si informacion zyrtar fillimisht u dha lajmi se krimin makabër e kishte kryer vajza e Pëllumb Metës, Hygerta Meta.

Studentja e Faktultetit të Histori-Filologjisë në Tiranë, në dëshminë e saj para uniformave blu, ka deklaruar se e vrau të atin, pasi ai donte ta fejonte kundër dëshirës së saj. Ajo shprehet se donte të vazhdonte studimet dhe të ndiqte ëndrrat e saj, por babai nuk e lejonte.

“Doja të ndiqja ëndrrat e mia, të vazhdoja shkollën. Dita më e lumtur e jetës time ka qenë kur fitova shkollën. Ai donte të më fejonte me dikë që nuk ishte në nivelin tim. Me një djalë nga fshati, emigrant në Itali. Por unë nuk doja dhe e vrava”, mësohet të jetë shprehur e reja para policisë.

Në po të njëjtën ditë, hetimet morën tjetër kthesë, pasi autorësinë e vrasjes e mori djali i madh.

“Planin për vrasjen e babait e bëmë së bashku me motrën sepse ai ishte bërë i padurueshëm në familje. Për gjithçka në familje duhej të vendoste ai dhe të bëhej si thoshte ai. Ishte e pamundur që ta kundërshtoje. E fundit ishte vendimi për të fejuar motrën me një person që nuk e kishim idenë se kush ishte në kundërshtim me dëshirën e saj. Në këto kushte vendosëm ta vrisnim e të zhduknim gjurmët. Vendosëm ta vrisnim me pistoletën e tij. Kështu që në mëngjes bëmë planin për ta vrarë.

Pasdite babai ishte shtrirë në divan dhe po pushonte. Në dhomë me mua ishte edhe motra. I thashë babait çohu. Ai u çua në këmbë dhe pastaj unë e qëllova 4 herë me pistoletë. Më pas u morëm me zhdukjen e gjurmëve. E zhveshëm dhe e mbështollëm me plasmas. E transportuam te kasollja dhe aty e varrosëm.

Më vonë larguam dhe makinën. Shkuam me dy makina në sektorin Rinia. Unë me makinën e babait kurse vëllai me një makinë tjetër që ja morëm një shokut tonë të cilit i thamë se na duhej për nja një orë makina e tij. E lamë makinën e babait atje dhe u kthyem me makinën e shokut që e ngiste vëllai im. Pastaj me datën 13 unë u paraqita në polici dhe denoncova largimin e babait nga shtëpia,” tha 25-vjeçari Hysen Meta.

Edhe pse dukej sikur çështja ishte zgjidhur tashmë, prapë faji kaloi nga ana e Hygertës dhe tek fabula e fejesës pa dëshirë. Hedhja e fajit drejt njëri-tjetrit dhe dëshmitë kontradiktore të secilit bënë që policia të përvishte sërish mëngët për të zbuluar se çfarë kishte ndodhur realisht.

Shefi i Krimeve të Rënda në Durrës, Elton Shahini, i ftuar në Top Story në Top Channel deklaroi se tre fëmijët dhe bashkëshortja e Pëllumb Metës janë marrë disa herë në pyetje pasi e denoncuan të zhdukur.

Ai tha se familjarët i vunë në dijeni se viktima kishte varësi nga alkooli dhe ishte larguar edhe herë të tjera nga banesa, madje pretenduan se ai vuante nga problemet mendore.

Gjatë marrjes në pyetje për të disatën herë, Shahini deklaroi se ka qenë Hysen Meta ai i cili ka qenë i pari që pretendoi se babain e kishte vrarë motra e tij Hygerta Meta.

Shefi Krimeve të Rënda shtoi më tej se ata e kishin krijuar të gjithë fabulën, ku secili kishte rolin e tij në këtë krim.

“Shqetësimi i fëmijëve nuk ishte humbja e babait por makina. Shkonin në polici për të kërkuar makinën se thoshin mbetëm në këmbë. Kur do të në ktheni makinën,” tha gazetarja Dorjana Bezat.

Blerina Meta, bashkëshortja e Pëllumb Metës ka dhënë versionin e saj për vrasjen. Ajo tregon se është dhunuar prej 26 vitesh bashkë me fëmijët.

“Ishte njeri agresiv, shumë i dhunshëm. Asnjëherë nuk arriti të qetësohej. Vetëm terrorizonte gjithë familjen. Edhe dritaret e katit të dytë nuk hapeshin ndonjëherë, ditët që erdhi policia i panë dritaret me ngjitës. Nuk dilja dot në ballkon të ndeja rrobat rrija me kurriz.

Dhuna ishte e pranishme. Kisha gjetur mënyrën time për të mos e kundërshtuar. Për cdo gjë fliste e vendoste vetë. Nëse do kundërshtoje të vinte duart në fyt si mua si fëmijëve,” tha ajo.

Vrasja nuk është gjë e re në familjen durrsake

Dëshmitë e fundit tregojnë se vrasja nuk është diçka e re që ka ndodhur në familjen e Pëllumb dhe Blerina Metes.

Sanije Tuga, nëna e Blerina Metës, bashkëshortes së Pëllumbit, ka rrëfyer se si disa vite më parë ka vrarë vjehrrën, ngjarje e cila sipas saj ka ndodhur krejt aksidentalisht. Sipas saj vjehrra nuk ka vdekur vërtetë, madje aludon se mund të jetë gjallë edhe sot.

“Nuk vdiq atë ditë. Vetëm pak gjak kam parë te napa. Ajo shkoi te qendra shëndetësore, dhe kaq. E çuan te varri brenda ditës, por ajo mund të jetë gjallë dhe sot. Unë bëra 7 vite burg. Pasi dola, erdha në banesë, tha Tuga.

Në një interviste për gazetaren e Top Channel, Dorjana Bezat, nëna e Blerina Metës, Sanija ka deklaruar se nuk e beson që nipërit e saj të kenë vrarë babanë dhe se ai ka qenë një njeri i dhunshëm.

“Kur ka ardhur goca këtu, ka ardhur tek porta, e hapi derën burri se më i shpejtë. I thashë a keni ardhur për darkë, tha jo, jo kam ardhur vetëm. Mendova që është zënë me Pëllumbin. Më tha më dhemb i gjithë trupi e thashë e ka rrahur. U ngritëm në mëngjes, bëra pak bukë, më tha veç lere aty se dua gjumë. Gjumë nuk kishte por ishte e këputur. E pyeta po Pëllumbi, kalamajtë si janë? Më tha “mirë, mirë kalamajtë”, ndërsa Pëllumbi si Pëllumbi mo. Pastaj më thanë që Pëllumbi ka vdekur, kështu, kështu puna. Unë nuk e besoj që ka vdekur Pëllumbi. Nuk e besoj ta kenë vrarë kalamajtë, veç nëse ka bërë ndonjë ngjarje të shëmtuar a pale sesi sepse kanë e gocën tjetër atje. Nuk besoj se e kanë mbytur kalamajtë. Janë fëmijë të marrë vesh dhe të zgjuar, tha ajo.

Pala mbrojtëse e Pëllumb Metës

Në gjithë këtë histori të mbuluar nga enigmat dhe kur të vërtetës me sa duket do t`i duhet kohë të dalë, ka dhe nga ata që mbrojnë Pëllumbin kundrejt familjarëve të tij. Në dëshmitë e tyre i vëllai dhe e motra e Pëllumbit thonë se fajin për këtë e ka të gjithin bashkëshortja e të ndjerit.

Ramazan Meta tha se Blerina Meta i ka mësuar fëmijët me urrejtje ndaj të atit, pasi ky i fundit është kujdesur dhe i ka shkolluar ata. Vëllai Pëllumb Metës shtoi më tej se ky i fundit ishte njeri i mbyllur dhe se e ka peng që nuk shprehej.

Ai deklaroi se është shumë e rëndë që ta vrasësh dhe më pas ta groposësh në kasollen e lopëve, teksa theksoi se shkaktarja është e ëma e tre fëmijëve.

Ramazanit i është dukur e dyshimtë deklarata e Blerina Metës për zhdukjen e tij. “Më thanë ka ikur së bashku me makinën”, është shprehur ai, teksa shtoi se ka qenë i habitur pasi ishte në punë i angazhuar.

“Ne e kemi marrë vesh ngjarjen nëpërmjet policisë. Nuk dinim asgjë. Kur mora vesh se kishte humbur erdha në shtëpi dhe pyeta kunatën si është kjo punë. Ata më thanë nuk dimë gjë, ka ikur së bashku me makinën. E dyshimtë mu duk ikja së bashku me makinën, se këtu ishte në punë i angazhuar. Nuk dyshoja tek fëmijët dhe familja e vet. Një natë erdhi policia nga ora tetë dhe thash ç’ne. Erdhën tre makina fillimisht dhe më pas u mbushën plot. Erdha me gjithë nusen dhe nuk na lanë të hynim. Ikëm tek shpija dhe rreth orës 11 e kanë zhvarrosur. Unë vëllain e kisha pasur këtu, unë po e kërkoja gjithandej. S’kemi lënë vend pa kërkuar”, tha ai.

Po ashtu motra e Pëllumb Matës ka hedhur akuza të forta ndaj gruas së viktimës, duke thënë se ishte ajo që ka organizuar vrasjen.

“Asnjë qime floku nuk ka prekur. Ajo ishte aq e aftë në 26 vite bëri shkollën e krimit dhe urrejtjes që largoi çdo pjesëtar të afërt apo të lart me familjen, Pëllumbi po të ishte aq i dhunshëm e kishte fuqinë ta detyronte. S’ka bërë një vit babai që vdiq, vetë ishte me djalin e vogël. Monstra vet nuk erdhi. Ai po të ishte aq i dhunshëm mund ta kishte marrë nga flokët, Të gjitha jemi femra dhe kemi grindje por nuk e çon dot nëpër mend t’i hedhësh fëmijët kundra një babe. Ta gjesh në gjumë, me gjakftohtësinë me të madhe, edhe nëna me gjithë gocën, që e ka mbajt. Hygertën e mbante si 9 vjeçe. Gerta hajde te babai, ulu këtu, i përkëdhelte. Të gjitha të mirat njëri tjetrit. Ajo duhet të jetë prapa hekurave, është manipuluese, monstër e të gjitha kohërave që ka punu 26 vite për këtë ditë që ia arriti. Nuk është shembull i familjeve shqiptarëve.

Paska ardh koha që sot t’i thuash fëmijës, nuk paska të drejtë prindi që të kritikojë fëmijën.O djalë je bërë 26 vjeç, e ka çu me parë borxh jashtë shtetit që t’i plotësonte tekat. Kjo e fejesës është absurde për gjithë njerëzimin e farefisin. Ajo të kishte qenë e mirë nuk hidhte kapuçin në kokë por të dalë dhe të thotë, i bën edhe njerëzit e tillë me njollë të zezë, ajo vetë ishte e atillë. Turp t’i vijë!”-deklaroi motra e viktimës, intervistë e transmetuar në Top Story.