Anatomia e një Maskarade Ekonomiko-Urbane: Durrës Marina dhe Alabbar si Ali Babba!
Nga Sidi Hasanaj
Ka një moment, në çdo histori mashtrimi të madh, kur vetë protagonisti harron rolin që duhet të luajë dhe fillon të tregojë të vërtetën me një buzëqeshje sa cinike aq dhe revoltuese.
Kështu ndodhi edhe me Mohamed Alabbar, kur në një podcast biznesi pranoi me pafytyrësi egzemplare, pa asnjë hezitim apo faj në zë, se investimi i tij në Shqipëri ishte “gabim” …sepse, siç e tha vetë, kompania e tij ndërtoi shumë shpejt. E tha njësoj siç do të fliste dikush për një makinë të blerë me nxitim, jo për një port të tërë që i ishte dhuruar për dekada me radhë.
Krahas Shqipërisë, ai përmendi edhe gabimet e tij në Serbi e Mal të Zi, sikur të ishin thjesht tri vende në një listë eksperimentesh të dështuara.
Por për të sqaruar mjegullën që ka hedhur Berisha cili në fakt duhet të bëjë opozitë mbi të vërtetat, jo mashtrime:
A u tërhoq Alabbar nga projekti pas kësaj rrëfimi publik?
Jo.
Kompania e tij vazhdon të zotërojë pjesën kryesore të “Durrës Marina” Sh.A., ndërtimi vazhdon, dhe parashitjet nuk kanë ndalur asnjë ditë.
Ajo që e bën deklaratën e Al Abbar aq shqetësuese nuk është vetëm fjala “gabim”, por është dhe koha kur u deklarua.
E tha pak kohë pasi Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit konfirmoi zyrtarisht diçka, e cila deri atëherë tingëllonte si skenar alarmist: Dy ndërtesa të projektit tashmë ishin ulur në tokë, njëra 9-katëshe me 28 centimetra dhe një tjetër 11-katëshe me 18 centimetra.
Kur investitori qesh me “gabimin” e tij ndërkohë që themelet e ndërtesave tashmë po fundosen, fjala nuk është më vetëauto-kritikë e sinqertë, por Al Abbar është duke bërë një lloj shantazhi ndaj institucioneve shqiptare, një mënyrë për t’u thënë: “më lini të bëj çfarë të dua, se ndaj më solli Edi Rama në Shqipëri- biznes pa rregulla”.
Porti më i madh tregtar i vendit, shkatërruar pa garë dhe pa pyetur askënd, po merr formën e një maskarade!
Ajo çfarë e bën këtë histori vërtet të pafalshme nuk është vetëm ndërtimi mbi një tokë të paqëndrueshme. Është mënyra si iu dha ky truall.
Porti i Durrësit, porti tregtar më i madh i Shqipërisë, ai që historikisht ka trajtuar shumicën dërrmuese të fluksit detar tregtar të vendit, nuk u dha përmes një gare të hapur, ashtu siç do ta kërkonin praktikat standarde të prokurimit publik në Bashkimin Europian.
U dha me negocim direkt ndërqeveritar, larg syve të çdo konkurrenti tjetër që mund të kishte ofruar më shumë, ose të paktën aq sa vlente në të vërtetë.
Kjo nuk është thjesht një procedurë burokratike që Rama e kaloi për hir të zhvillimit, përkundrazi është shkelja themelore e vetë sistemit zhvillues të tregut të lirë. Standart që Edi Rama e përdor sa herë duhet të japë tokë të vyer, sipas dëshirës së tij, klientëve të tij.
Dhe favorizimi nuk mbaroi te trualli.
Projektit iu falën taksa që çdo zhvillues tjetër do t’i paguante pa diskutim:
•Taksa e ndikimit në infrastrukturë
•Kontributi për strehimin social
•Iu dha statusi i Investitorit Strategjik për njëzet vjet, me lehtësira fiskale që askush brenda vendit nuk mund t’i marrë.
Dhe, si për t’u siguruar që privilegji të zgjasë përtej çdo ndryshimi qeveritar apo humori politik, iu dha edhe një garanci fiskale afatgjatë, një klauzolë “ngrirjeje” që e mbron nga çdo rishikim tatimor për dekada të tëra.
Në praktikë, shteti shqiptar ka krijuar një zonë të jashtëligjshme brenda ligjeve të veta, një ishull ku rregullat e zakonshme të konkurrencës, taksave dhe barazisë para ligjit thjesht nuk vlejnë, për sa kohë emri mbi kontratë është i duhuri… AlAbbar ose Ali Babba i Edi Ramës.
Ndërkohë, vetë modeli i financimit tregon se sa pak rrezikon investitori “i madh”. Dhe ja disa nga anomalitë e kontratës në krahasim me standardet ndërkombëtare:
1. Forma e marrëveshjes kuadër të miratuar me ligj të veçantë përmban përjashtime që bien ndesh me praktikat e zakonshme të BE-së dhe rajonit:
2. Falja e Taksave Kryesore:
Projektit i është falur taksa e ndikimit në infrastrukturë (4%) dhe detyrimi 3% për strehimin social.
3. Modeli "Self-Financed":
Kapitali i vetë investitorit mbulon vetëm rreth 6-8% të projektit total, ndërsa pjesa tjetër mblidhet nga parashitjet e blerësve vendas e të huaj.
4. Garancia 99-vjeçare:
Klauzola e "ngrirjes" ligjore u garanton zhvilluesve se kushtet tatimore, nuk ndryshojnë për pothuajse një shekull:
5. Për pjesën e Marinës së Jahteve (që është pjesa funksionale e portit), shteti shqiptar do të marrë vetëm 2% të xhiros vjetore, një shifër shumë e ulët në krahasim me të ardhurat që do të gjenerojë menaxhimi i mjeteve detare luksoze.
Dhe teksa qytetarët paguajnë për t’u bërë banorë të një kulle që mund të ulet edhe më shumë, kompania shpenzon miliona euro në reklama: 2,4 milionë euro në 2023, 1,8 milionë të tjera në 2024 për të mbajtur gjallë iluzionin e një “Dubai-i shqiptar” që në themel po ndërtohet mbi baltë.
Trualli mbi të cilin ngrihet “Durrës Marina”, nuk është një truall si të tjerët. Është ish-truall porti, afër ish-kënetës së Durrësit, me një shtresë sipërfaqësore prej 15 deri në 25 metra aluvion e argjilë të ngopur me ujë, si llucë.
Studimet paraprake nga dy kompani Italiane dhe Gjermane kishin sinjalizuar rrezikun e uljes vertikale deri në rreth 74 centimetra, nëse nuk aplikohen ankorime të thella. Konsulentët gjermanë, (Inros Lackner), si dhe studio italiane kanë theksuar se për të parandaluar dëmtimet nga pesha e kullave, çdo godinë kërkon ngulitjen e pilotave deri në 40-60 metra thellësi, duke rritur kostot e nëntokës me 30-40%. Kjo po ndodh tani… ndaj Alabbari kërkon indirekt tja mbulojë Rama këtë kosto shtesë.
Dy ndërtesa tashmë janë ulur, njëra me 28 dhe tjetra me 18 centimetra, ndërsa ndërtimi vazhdon. Themelet kërkojnë pilotim shumë të thellë për të kompensuar peshën e kullave!
Ndërkohë paralelisht Qeveria po ndërton, me paratë e taksapaguesve, portin që duhet ta zëvendësojë atë që po shkatërrohet.
Porto Romano është historia pasqyrë e “Durrës Marina”: Aty ku Alabbar-it iu fal gjithçka, shtetit i takon të paguajë gjithçka.
Mbyllja e funksionit tregtar në Durrës krijoi një gropë logjistike dhe financiare mbi financat publike:
Pasi Humbja e Fluksit te Porti i Durrësit i cili përpunonte 90% të tregtisë detare të vendit, (4.5 – 5.5 mln tonë mallra dhe deri në 180,000 kontejnerë në vit). Një pjesë e këtij fluksi ka devijuar drejt Tivarit e Selanikut dhe humbja është marramëndëse.
Ndërtimi i portit zëvendësues në Porto Romano, po financohet me kredi dhe buxhet shteti. Vlera e Fazës 1, llogaritet në 420 - 430 milionë euro, me shpronësime prej mbi 8 milionë eurosh. Kompleksi i plotë parashikohet të kalojë 1 miliard euro.
Çfarë Paradoksi Ekonomik… Qeveria po shkatërron një port tregtar funksional qindra-vjeçar duke ua dhënë truallin ndërtuesve privatë pa taksa, pa garë, ndërsa faturën e portit të ri zëvendësues ua ngarkon qytetarëve shqiptarë.
Rama sigurisht e ka mbrojtur me demagogji dhe propagandë gjithë këtë arkitekturë duke thënë se një port i ri, modern dhe me kapacitet më të madh do të rrisë efikasitetin logjistik të vendit dhe do të japë kontribut të matejshëm në rritjen ekonomike — një premtim që mund të jetë edhe i vërtetë, në letër.
Por premtimi nuk fshin faktin themelor, se vendimi për të shkatërruar një port funksional shekullor u mor pa garë, pa transparencë dhe pa pyetur ata që në fund do ta paguajnë faturën: Qytetarët!
Ndërkohë AlAbbar është një AliBabba modern që teksa po investon vetëm 6-8% të shumës investuese, po fiton miliona teksa po i shkakton miliarda lek humbje vendit. Një tjetër plaçkitje që Rilindja po i bën Shqipërisë, me vlerë miliarda euro!
Po ndodh...
Pushtetit të Ramës nuk i mjafton më Berisha!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128