Arrestohet në Belgjikë Jasin Avdyli, i dënuar me 12 vite burg në Shqipëri për dosjet “339” dhe “Volvo 4” Sep 15, 2026 | 11:49

15 September 2026, 12:08 / AKTUALITET ALFA PRESS

Arrestohet në Belgjikë Jasin Kala alias Jasin Avdyli, i dënuar me 12 vite burg në Shqipëri në kuadër të dosjeve “339” dhe “Volvo 4”.

Avdyli është ndaluar gjatë një operacioni antidrogë të zhvilluar në bashkëpunim mes SPAK, policisë shqiptare dhe autoriteteve belge.

Ai ishte dënuar për përfshirjen në një grup kriminal të hetuar në kuadër të dosjes “Volvo 4”, ku mes akuzave ishte edhe aktiviteti i lidhur me një laborator për përpunimin e heroinës në Has.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve në Belgjikë, gjatë kësaj faze të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, në bazë të informacioneve të shkëmbyera në kuadër të një hetimi mbi trafikimin e lëndëve narkotike, është bërë i mundur lokalizimi dhe kapja në Belgjikë, e shtetasit:

-J. K. alias J. A., 58 vjeç, banues në Shijak.Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendim e datës 04.04.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Nga hetimet e kryera nga SPAK, dyshohet se 58-vjeçari ka qenë pjesë e një grupi që ka organizuar trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike dhe më pas shitjen e saj, në shtete të ndryshme.
Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se të ardhurat e përfituara nga veprimtaria kriminale, ky shtetas i ka investuar në 2 pasuri të paluajtshme (lokale), në Shijak.

Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Belgjikë, për finalizimin e procedurave për ekstradimin e shtetasit të arrestuar, në Shqipëri.

Po ndodh...

ide