3-0 për burgun e Veliajt/ Gjykata e Lartë vulos masën, Apeli: Rrezikshmëri për provat, arratisjen dhe përsëritjen e veprave

15 September 2026, 12:35 / POLITIKË ALFA PRESS
3-0 për burgun e Veliajt/ Gjykata e Lartë vulos masën, Apeli:

Gjykata e Lartë vendosi këtë të martë, 15 shtator, të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke rrëzuar kërkesën për ndryshimin e masës së vendosur më herët nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Çështja u shqyrtua në dhomë këshillimi, ndërsa arsyetimi i plotë i vendimit nuk është bërë ende publik. Sipas raportimit të gazetares së TCH, Anila Hoxha, tre gjyqtarët e Kolegjit Penal votuan unanimisht, 3-0, për lënien në fuqi të vendimit të Apelit.

Me këtë vendimmarrje, Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi edhe vlerësimin e Apelit mbi proporcionalitetin e masës së sigurisë. Apeli kishte argumentuar se “arresti në burg” ishte një masë proporcionale në raport me rrezikshmërinë e veprave penale për të cilat Veliaj dyshohet.

Në vendimin e saj, Gjykata e Posaçme e Apelit kishte renditur një sërë rrethanash që, sipas saj, justifikojnë vijimin e masës së sigurisë. Ndër to përmendeshin dyshimet për kryerjen e veprave penale në bashkëpunim dhe në mënyrë të përsëritur, vlera e lartë e produktit të dyshuar të pastruar, si dhe rrezikshmëria që lidhet me natyrën e veprave dhe sjelljen e të dyshuarit pas vendosjes së masës së sigurimit.

Në vlerësimin e Apelit ishte marrë në konsideratë edhe statusi i Veliajt si subjekt i posaçëm dhe funksionar publik, ndërsa gjykata kishte çmuar se në rastin e tij ekzistonin të tria kushtet e veçanta të parashikuara nga neni 228, pika 3, e Kodit të Procedurës Penale.

Këto kushte lidhen me rrezikun e prishjes ose helmimit të provave, rrezikun e largimit dhe rrezikun e kryerjes së veprave të tjera penale të të njëjtit lloj me ato për të cilat personi po procedohet.

Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë e lë kështu në fuqi masën e “arrestit në burg” ndaj Veliajt, ndërsa pritet publikimi i arsyetimit të plotë të trupës gjyqësore.

Po ndodh...

ide