Nga Guardian te Reuters, çfarë shkruajnë mediat e huaja për vendimin e Gjykatës së Hagës për liderët e UÇK-së

16 September 2026, 13:48 / KOSOVA ALFA PRESS

Vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka marrë vëmendje të gjerë në mediat ndërkombëtare.

Në qendër të raportimeve është dënimi me 25 vite burgim i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa mediat kanë pasqyruar edhe vendimet ndaj tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

“The Guardian” e ka vendosur lajmin në krye të raportimeve të saj për zhvillimet në Europë, me titullin: “Ish-presidenti i Kosovës, Thaçi, dënohet me 25 vite burg nga gjykata ndërkombëtare në Hagë”.

Edhe Reuters e ka raportuar gjerësisht vendimin, duke e përshkruar si aktgjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-anëtarëve të tjerë të UÇK-së në procesin për krime lufte. Agjencia ndërkombëtare raporton se Thaçi u dënua me 25 vite burgim dhe se gjykata e gjeti fajtor për vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm.

Euronews e ka titulluar raportimin: “Ish-presidenti i Kosovës Thaçi dënohet për krime lufte në gjykatën e Hagës”, duke e vendosur vendimin në kontekstin e luftës së Kosovës të viteve 1998-1999.

Ndërkohë, Deutsche Welle e ka pasqyruar lajmin me titullin: “Ish-presidenti i Kosovës Thaçi dënohet për krime lufte”, duke e vendosur theksin te vendimi i gjykatës ndaj ish-presidentit kosovar.

Al Jazeera e ka raportuar vendimin me titullin: “Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dënohet me 25 vite për krime lufte”, duke e vënë në fokus dënimin e ish-presidentit.

Edhe Sky News i ka kushtuar vëmendje vendimit, me titullin: “Ish-presidenti i Kosovës dënohet me 25 vite burg për krime lufte”.

Vendimi ndaj Thaçit është pjesë e një aktgjykimi që përfshin edhe Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Sipas vendimit të shpallur sot, Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burgim, Veseli me 18 vite, ndërsa Selimi me 13 vite, në një total prej 81 vitesh burgim.

Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet nga palët.

Po ndodh...

ide