Asgjë nuk e ndal revoltën/ Protesta antiqeveritare dhe Anti-Kastë, sot në ditën e 59
Protesta antiqeveritare hyn sot në ditën e saj të 59-të, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se tubimet do të vijojnë edhe këtë të martë, duke këmbëngulur se nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesës së tyre për largimin e kryeministrit Edi Rama.
Dita e 58-të e protestës u karakterizua nga një sërë tubimesh dhe marshimesh në pika të ndryshme të Tiranës. Qytetarët nisën protestën që në orët e mëngjesit para Kuvendit, ku kundërshtuan zhvillimin e seancës plenare.
Zona përreth Parlamentit u rrethua nga forca të shumta policie, ndërsa gjatë përpjekjeve të protestuesve për t’iu afruar godinës pati tensione me efektivët. Gjatë protestës disa persona u shoqëruan nga Policia.
Pas incidenteve para Kuvendit, protestuesit marshuan drejt Komisariatit nr. 1, ku kërkuan lirimin e personave të shoqëruar dhe kundërshtuan ndërhyrjen e forcave të rendit gjatë tubimit.
Në orët e pasdites dhe të mbrëmjes, protesta u zhvendos përpara godinës së Kryeministrisë, ku qytetarët mbajtën fjalime dhe shprehën kundërshtimin ndaj qeverisë. Gjatë tubimit u hodhën kritika edhe ndaj platformës “Besa”, të prezantuar së fundmi nga kryeministri Edi Rama, të cilën protestuesit e cilësuan si të pamjaftueshme për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre.
Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit zhvilluan marshimin e përnatshëm në rrugët e kryeqytetit, duke përsëritur thirrjet “Rama ik!”, “Dorëheqje!”, "Rama në burg, Berisha në burg", “Shqipëri e re” dhe “Revolucion”. Marshimi u zhvillua pa incidente.
Organizatorët deklaruan se protesta tashmë ka një objektiv të vetëm, largimin e kryeministrit Edi Rama dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira, ndërsa theksuan se mobilizimi do të vazhdojë çdo ditë deri në realizimin e këtij qëllimi.
Edhe sot, në ditën e 59-të të protestës, pritet që qytetarët të mblidhen sërish në Tiranë, duke vijuar aksionin e tyre të përditshëm kundër qeverisë dhe Kastës së korruptuar të Tranzicionit.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128