Agjentët e BKH-së i thanë gruas ta telefononte me kamer, biznesmeni dërgoi "location"/ Gafa që e çoi drejt prangave, përgatitet ekstradimi i Ilir Shtufit

28 July 2026, 10:47 / AKTUALITET ALFA PRESS

Ilir Shtufi, një nga biznesmenët e njohur të ndërtimit në Tiranë me kompaninë e tij "Nova Constuction", pritet të ekstradohet së shpejti nga Greqia, ku është arrestuar për llogari të Prokurorisë së Posaçme dhe mbahet në paraburgim.

Në kuadër të një hetimi të gjerë mbi trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimin e produkteve të veprës penale, autoritetet ligjzbatuese kanë dokumentuar veprimtarinë e një rrjeti kriminal që dyshohet se ka operuar në disa shtete të Europës dhe Amerikës Latine.

Bëhet fjalë për një grup që prodhonte e trafikonte kokainë nga vendet e Amerikës Latinne në Europë dhe paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal, i pastronte në Shqipëri përmes lidhjeve me biznesmenët e ndërtimit.

Një ndër ta është edhe Ilir Shtufi. Më 12 Qershor 2026, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit kanë ekzekutuar disa masa sigurimi, ndërsa biznesmeni i "Nova Constuction" u prangos në Greqi.

Letërporosia në Selanik dhe gafa e Ilir Shtufit

Ministria e Drejtësisë raportohet se ka bërë përkthimin zyrtar në greqisht të dosjes së dërguar nga SPAK, për faktet penale në ngarkim të Ilir Shtufit, dhe përmes Ministrisë për Punët e Jashtme e ka dërguar pranë autoriteteve në Selanik.

Binzesmeni akuzohet për veprën penale “Pastrim i produkteve të veprës penale” kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal dhe SPAK ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë "Arrest në burg" në mungesë.

Dosja do të dërgohet në Prokurorinë e Apelit në Selanik dhe më pas në Gjykatën e Ekstradimeve, ku pritet të vendoset nëse kërkesa për ekstradimin e Ilir Shtufit në Shqipëri do të pranohet apo do të rrëzohet. Biznesmeni nuk pranon që të gjykohet në vendin tonë.

Ai ka marrë dy avokatë dhe kërkon rrëzimin e kërkesës së ekstradimit, duke refuzuar përballjen me drejtësinë shqiptare.

Është i paqartë ky vendim i Ilir Shtufit, pasi më herët ai ka bashkëpunuar me agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, fakt që çoi në prangosjen e tij të menjëhershme në Selanik. Ai ishte larguar drejt Greqisë ditën që në Tiranë zhvillohej operacioni.

Vajza e mikut të tij festonte ditëlindjen dhe biznesmeni i "Nova" ishte ftuar mes shumë të pranishmëve të tjerë. Por teksa përgatitej për festë, në shtëpinë e tij në Tiranë ka trokitur BKH dhe Policia e Shtetit. Sipas dosjes, në shtëpi ka qenë vetëm bashkëshortja e Shtufit.

Ajo u ka bërë me dije agjentëve se Iliri ndodhej në Selanik dhe kur ata i kanë kërkuar që ta telefononte me kamer, ajo i është përgjigjur menjëherë. Dhe kështu ka ndodhur. Bashkëshortja ka telefonuar Ilir Shtufin dhe përmes video-telefonatës, ai ka biseduar vetë me agjentët.

Ata i kanë kërkuar që të provonte vendndodhjen përmes dërgimit të një "location" dhe sapo biznesmeni i ka bërë, agjentët e Byrosë Kommbëtare të Hetimit janë larguar nga shtëpia e tij dhe kanë njoftuar homologët në Greqi.

Brenda pak minutash nga video-telefonata, Ilir Shtufi është prangosur në hotelin ku po qëndronte, sipas vendndodhjes që u dërgoi agjentëve. Kjo gafë çoi në prangosjen e tij dhe tashmë kur afati 40 ditor po shkon drejt fundit, pritet që biznesmeni i Nova të ekstradohet.

Po ndodh...