Bashkitë në protestë, Rama nuk tërhiqet nga reforma territoriale! Zbardhen prapaskenat e mbledhjes me kryebashkiakët

12 August 2026, 17:11 / POLITIKË ALFA PRESS
Bashkitë në protestë, Rama nuk tërhiqet nga reforma

Kryeministri ka zhvilluar një takim informues me kryetarët e bashkive që parashikohet të bashkohen, me qëllim shpjegimin e detajuar të reformës së propozuar nga Partia Socialiste dhe diskutimin e hapave të mëtejshëm mbi këtë nismë. Sipas burimeve nga takimi, ky nuk është parë si një proces i izoluar apo një reformë e ndërtuar vetëm për një bashki të caktuar, por si një ndryshim me shtrirje të gjerë kombëtare që synon të përmirësojë funksionimin e pushtetit vendor në të gjithë vendin. 

Gjatë diskutimeve, duke iu referuar përvojës së Reformës Administrative-Territoriale të vitit 2014, është theksuar se bashkimi i bashkive ka dëshmuar në të kaluarën se sjell përfitime të përbashkëta, më shumë kapacitete administrative, shërbime më të mira për qytetarët dhe një administrim më efikas të fondeve publike. Në këtë linjë, kreu i qeverisë ka qenë i prerë në qëndrimin e tij, duke theksuar se kjo reformë do të ecë përpara pa u ndalur.

“Reforma do të ecë përpara”, mësohet të ketë thënë Rama.

Gjatë takimit janë marrë në shqyrtim edhe raste konkrete, siç është ai i Divjakës dhe Dimalit, ku u diskutua se ky bashkim synon të sjellë përfitime direkte për të gjithë qytetarët e zonës. Një nga pikat më të rëndësishme të diskutuara dhe që është paraqitur si garanci kryesore për banorët është se roli i çdo qyteti do të mbetet i qartë në funksionimin e njësisë së re vendore dhe se shërbimet që ofrohen aktualisht nga bashkitë nuk do të cenohen në asnjë mënyrë.

Burimet konfirmojnë se procesi nuk do të mbyllet me kaq, por do të vijojë përmes konsultimeve të nevojshme me vetë bashkitë, komunitetet lokale dhe të gjithë aktorët e tjerë të përfshirë, me synimin përfundimtar për të ndërtuar një organizim vendor që të jetë më funksional, më efikas dhe shumë më pranë qytetarëve.

 

 

Po ndodh...