Guximi është frika që zgjat një minutë më shumë

12 August 2026, 10:47 / IDE NGA ARDI STEFA

Guximi shpesh është keqkuptuar si mungesë frike. Sikur njeriu trim të ishte ai që nuk trembet. Sikur të kishte lindur me një lloj imuniteti ndaj rrezikut, humbjes, poshtërimit apo dështimit. Ide romantike, kjo për guximin. Si për ta bërë guximin të paarritshëm për shumicën e njerëzve.

Frika është një nga instinktet më të vjetra të njeriut. Ajo na paralajmëron, na mbron, na thotë të tërhiqemi. Kur na “mbron nga e vërteta” dhe na bind të heshtim, të përshtatemi, të ulim kokën dhe të pranojmë atë që në të vërtetë nuk duhet ta pranonim.
Të ulim kokën kur duhet ta mbajmë lart. Të largohemi kur duhet të qëndrojmë. Të pranojmë të padrejtën sepse është më e sigurt sesa ta kundërshtosh.

Në të vërtetë, guximi nuk është mungesa e frikës e as nuk fillon aty ku mbaron frika. Është frika që zgjat një minutë më shumë. Guximi fillon pikërisht aty ku frika të thotë: “Ik!” dhe ti vendos të qëndrosh edhe një minutë.

Ndoshta prandaj guximi është kaq njerëzor. Sepse hero nuk është ai që nuk dridhet, por ai që dridhet dhe megjithatë ecën përpara. Nuk është ai që nuk dyshon, por ai që, mes dyshimit dhe bindjes, zgjedh të mos dorëzohet.
Një minutë. Vetëm një minutë më shumë.
Aty mund të ndryshojë gjithçka.
Pikërisht aty lind guximi. Në atë çast kur njeriu vendos se çmimi i heshtjes është më i madh se çmimi i përballjes.

Në minutën kur mund të largohesh, por vendos të qëndrosh. Kur mund të heshtësh, por vendos të flasësh. Kur mund të pranosh padrejtësinë sepse është më e leverdishme, por vendos të thuash “jo”. Kur mund të zgjedhësh sigurinë e kompromisit, por vendos të mbrosh dinjitetin.

Kjo është edhe arsyeja pse shoqëritë nuk ndryshohen nga ata që nuk kanë frikë. Ndryshohen nga njerëz që kanë frikë dhe, megjithatë, nuk lejojnë që frika t'u marrë vendimin.

Ka njerëz që qëndrojnë në vende ku nuk respektohen, në punë ku nuk vlerësohen, në shoqëri ku duhet të heshtin për të mbijetuar. Jo sepse nuk e kuptojnë të vërtetën, por sepse kanë frikë nga çfarë vjen pasi ta pranojnë.
Në politikë, në veçanti, kjo minutë ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Pushteti mbështetet jo vetëm te forca e tij, por edhe te frika e atyre që e kundërshtojnë. Çdo sistem i mbyllur e di këtë. Prandaj përpiqet t'i bindë njerëzit se kundërshtimi është i kotë, se ndryshimi është i pamundur, se heshtja është më e mençur dhe përshtatja më praktike.
Në fakt, pushteti fillon të dobësohet në çastin kur njerëzit nuk tremben më nga kostoja e së vërtetës.
Guximi nuk është të bësh diçka madhështore. Shpesh është vetëm një vendim i vogël, i marrë në një çast të vështirë.
Thjesht të thuash: “Jo!”
Ndaj poshtërimit; gënjeshtrës; frikës;  bindjes se asgjë nuk mund të ndryshojë.
Ngaqë frika kërkon vetëm një gjë prej nesh: të dorëzohemi pak më herët.
Guximi është të mos ia japësh atë minutë. Të durosh edhe një minutë; të mos ikësh, të mos heshtësh, të mos përkulesh.
Ndonjëherë një minutë më shumë frikë bëhet forcë dhe sekonda e parë e lirisë.

Po ndodh...