Arrestohet ish-Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte! Gjykata Ndërkombëtare Penale e akuzon për krime kundër njerëzimit

11 Mars 2025, 16:23 / BOTA ALFA PRESS

Arrestohet ish-Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte! Gjykata

Policia e Filipineve ka arrestuar ish-Presidentin Rodrigo Duterte pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhër-arresti duke e akuzuar për krime kundër njerëzimit pas luftës së tij vdekjeprurëse ndaj drogës. Gjatë Presidencës së tij mbi 6000 persona u vranë pa gjyq nga policia në emër të luftës kundër drogës

Rodrigo Duterte, ish-presidenti i Filipineve, u arrestua të martën në Manila me një urdhër nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit në luftën e tij kundër drogës, me ekzekutime të mijëra filipinasve.

Gjatë arrestimit, 79-vjeçari pyeti mbi arsyen e këtij urdhër-arresti duke u shprehur: Çfarë krimi kam kryer?

Ai nuk ka kërkuar falje për luftën e tij brutale ndaj drogës, në të cilën humbën jetën mijëra njerëz kur ai ishte president që nga 2016 deri në vitin 2022.

Ndërsa Ish-zëdhënësi i Duterte tha se arrestimi ishte i paligjshëm, pasi Filipinet janë tërhequr nga Gjykata Ndërkombëtare Penale në 2019-ën.

Gjykata ndërkohë tha se ka juridiksion në Filipine mbi krimet që pretendohen se kanë ndodhur para se vendi të largohej si anëtar. Aktivistët e kanë quajtur arrestimin një moment historik.

Duterte ishte para arrestimit në Hong Kong ku po bënte fushatë për zgjedhjet afatmesme më 12 Maj pasi kandidon për kryebashkiak të Davaos.

“Kush është mëkati im? Bëra gjithçka në kohën time për paqe për popullin filipinas”, tha ai në tubim para se të kthehej nga Hong Kongu.

Kujtojmë se me një retorikë të dhunshme, Duterte urdhëroi forcat e sigurisë që të ekzekutonin pa gjyq çdo person që dyshoheshin si shpërndarës, por edhe përdorues droge.

Të paktën 6 mijë persona kanë humbur jetën si pasojë e kësaj lufte. Megjithatë grupet e të drejtave të njeriut thonë se numri mund të jetë më i lartë, shumica dërrmuese e viktimave ishin filipinas të varfër urbanë, disa prej të cilëve ishin të mitur dhe njerëz që nuk kishin asnjë lidhje me tregtinë e drogës.

Çështja do të jetë një provë e profilit të lartë për gjykatën, e cila muajt e fundit ka kërkuar arrestimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe kreut të juntës ushtarake në Myanmar, Min Aung Hlaing, duke i akuzuar të dy për krime kundër njerëzimit.

 

Po ndodh...