Maqedonia e Veriut në prag të zgjedhjeve presidenciale

21 Prill 2024, 21:38 / BOTA ALFA PRESS

Maqedonia e Veriut në prag të zgjedhjeve presidenciale
Fushata presidenciale në Maqedoninë e Veriut po shkon drejt fundit të saj. Shtatë kandidatë janë në garë; prej tyre dy shqiptarë, të cilët shprehen të bindur se do të kalojnë në raundun e dytë. Garuesit dhe partitë e tyre kanë hedhur akuza për afërsinë e disa prej kundështarëve politikë me Federatën Ruse apo për pengimin e proceseve të integrimit të vendit drejt BE-së. Presidenti i ri pritet të zgjidhet në balotazh më 8 maj, kur mbahen edhe zgjedhjet parlamentare

Fushatës presidenciale në Maqedoninë e Veriut po i afrohet fundi. Në të ka mbizotëruar një retorikë e ashpër. Zgjedhjet mbahen më 24 prill. Ndonëse heshtja zgjedhore hyn në fuqi 24 orë para kësaj date, nga ana tjetër vazhdon pa pengesë fushata e zgjedhjeve parlamentare të 8 majit, një gjë që për herë të parë ndodh në këtë vend ballkanik.

Kandidatët shqiptarë shprehen të bindur se do të kalojnë në raundun e dytë, por kjo nuk i ka ndodhur një garuesi shqiptar deri më tani në Maqedoninë e Veriut. Është e qartë se politikanët shqiptarë garojnë në zgjedhjet presidenciale për të parë sa mbështetje kanë tek elektorati sidomos në rrethana të këtilla kur zgjedhjet parlamentare mbahen vetëm dy javë më pas.

Drejtuesit e koalicionit opozitar shqiptar “Vlen” shkuan në Gjermani dhe Zvicër për takime me diasporën në kërkim të votave.

Zoti Arben Taravari duke ditur vështirësitë e emigrantëve për t’u kthyer vetëm sa për të votuar, u kërkon atyre që të ndikojnë tek familjarët dhe të afërmit në vendlindje që votat t’i hedhin për kandidatin e koalicionit VLEN më 24 prill dhe për zgjedhjet parlamenare të 8 majit.

“Ju nuk jeni rastësisht këtu se keni dashur, por sepse keni parë plot padrejtësi dhe mosfunksiom të shtetit; shtetit të së dretjës, ekonomisë, etj. Më 24 prill kush fiton, 8 maji është gati. Kapitulim. Ne e kemi shumë me rëndësi atë ditë. Në qoftë se mendoni se duhet të na përkrahni, të loboni kush mundet edhe mirësevini, sepse krijoni një atmosferë dhe frymë fituese. Kush nuk mundet të vijë, së paku një telefonatë anndej ku mundeni, një gjysëm fjale që ta përkrahin ndryshimin, sepse shqiptarët prej 2011 kanë votuar për ndryshim”, u shpreh kandidati për president, Arben Taravari.

Bujar Osmani, kandidat i koalicionit Fronti Evropian bën thirrje për ruajtjen e harmonisë ndëretnike në vend dhe shmangien e ndikimeve keqdashëse që do ta largonin vendin nga orientimi strategjik pro-evropian:

“Është një kërkesë për 61 deputetë që të na përjashtojnë edhe ne, edhe turqit edhe romët dhe boshnjakët nga vendimmarrja. Me vendimin për fuqizimin e Frontit Evropian ju do t’ua ngritni një mur atyre që duan të na izolojnë nga bota në kushte kur bota është ne periudhën e saj më të vështirë: Një eskalim në Lindjen e Mesme; me luftën në Ukrainë; me vlimin që ndodh në Ballkan, më së paku që na duhet neve në këtë shtet multietnik është paqartësia strategjike; është izolim nga rrjedhat botërore”, tha zoti Osmani.

Gordana Siljanovska dhe partia e saj VMRO-DPMNE akuzojnë Lidhjen Social Demokrate dhe Bashkimin Demokratik për Integrim për korrupsion apo edhe për lëshimet, që sipas tyre, i janë bërë partisë shqiptare në dëm të interesave shtetërore:

“Maqedonia nuk guxon të jetë një shtet dykombësh sepse kjo çon drejt boshnjakëzimit dhe modelit të Qipros. Maqedonia duhet të jetë shtet i qytetarëve të barabartë dhe i një shoqërie shumëkulturore; por jo shtet dykombësh”, shprehet ajo duke aluduar në shqiptarët.

Stevo Pendarovski, i cili garon për një mandat të dytë, akuzon VMRO-DPMNE-në se ndryshe paraqitet para publikut vendas dhe ndryshe para diplomatëve perëndimorë:

“Hristijan Mickovski saherë që flet me ambasadorët e huaj thekson se përparësi e tij është përfshirja e pakicës bullgare në kushtetutë, ndërsa para zyrtarëve të partisë së tij dhe mbëstetësve të tij e thotë të kundërtën”. Zoti Pendarvoski thotë se ka shumë arësye për mos t’i besuar zotit Mickovski dhe stafit të tij.

Në garë janë edhe Maksim Dimitrievski i partisë së quajtur “Znam”, Stevçe Jakimovski i “Opsionit Qytetar për Maqedoninë” dhe Biljana Vankovska e partisë nacionaliste “E Majta”.

Dy garuesit me më tepër vota nga zgjedhjet e 24 prillit do të kalojnë në balotazhin e 8 majit kur mbahen edhe zgjedhjet parlamentare. Votat e elektoratit shqiptar zakonisht kanë ndikim në balotazh për të përcaktuar fituesin, por kjo kërkon thirrjen nga partitë politike shqiptare, të cilat deri më tash nuk janë shprehur se si do të veprojnë./VOA



Po ndodh...