Marrëveshja për mineralet e rralla të Ukrainës! Zelensky dërgon delegacionin e posaçëm në Uashington për negociatat! Çfarë pritet të diskutohet

7 Prill 2025, 16:46 / BOTA ALFA PRESS

Marrëveshja për mineralet e rralla të Ukrainës! Zelensky

Ukraina do të dërgojë një delegacion në Uashington gjatë kësaj jave për të zhvilluar bisedime mbi marrëveshjen për mineralet e rralla, për të cilat SHBA-të duan akses të privilegjuar në këmbim të ndihmës që i jepet Kievit pas pushtimit të forcave ruse, tha përmes nje deklarate sot, qeveria ukrainase.

Ekipi ukrainas do të ngarkohet për të “përparuarnegociatat” për këtë tekst “strategjik” dhe do të përfshijë përfaqësues të “Ministrisë së Ekonomisë, Punëve të Jashtme, Drejtësisë dhe Financave”, shpjegoi zëvendëskryeministrja ukrainase Julia Sviridenko në një postim në rrjetet sociale X.

“Dialogu” ukrainas-amerikan mbi këtë tekst mbi tokat e rralla të Ukrainës pasqyron “angazhimin tonë të përbashkët për të ndërtuar një partneritet solid dhe transparent”, siguroi Sviridenko, ndërsa versioni i ri i këtij dokumenti është përshkruar nga shumë media dhe parlamentarë ukrainas si shumë i pa favorshëm për Kievin.

Ukraina mori një version të ri të këtij teksti në fund të marsit, ndërsa nënshkrimi i marrëveshjes së parë dështoi në shkurt, pas një konfrontimi verbal midis presidentit ukrainas Volodymyr

Zelensky dhe amerikanit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Më 30 mars, Trump e paralajmëroi Zelenskyn se do të jetë në “telashe serioze” nëse refuzon këtë tekst.

Presidenti amerikan pretendon këtë marrëveshje si kompensim për ndihmën ushtarake dhe ekonomike të dhënë Ukrainës nga paraardhësi i tij në presidencën amerikane, Joe Biden, që nga pushtimi i Ukrainës nga forcat ruse tre vjet më parë.

Nga ana e tij, Kievi këmbëngul në nevojën për të përfshirë në tekst garancitë e sigurisë së SHBA-ve për Ukrainën, në mënyrë që të shmanget çdo sulm rus në të ardhmen. Sipas mediave, versioni i ri i dokumentit nuk përmend garanci të tilla.

Duke kërkuar të ruajë ndihmën ushtarake të Uashingtonit, pavarësisht tentativës së Donald Trump për të rregulluar marrëdhëniet me Rusinë, zyrtarët e qeverisë ukrainase janë përmbajtur kryesisht nga kritikat publike të tekstit të ri.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sibykha, u kufizua duke thënë më 1 prill se vendi i tij do të donte të arrinte një marrëveshje “të pranueshme reciprokisht” me SHBA-në, ndërsa theksoi se ai “në asnjë rrethanë” nuk mund të zhbëjë angazhimet e Ukrainës ndaj Bashkimit Evropian, të cilit ajo shpreson t’i bashkohet në vitet e ardhshme.

 

Po ndodh...