Megaoperacioni policor, kapen në portin francez 10 tonë kokainë

5 Mars 2025, 08:27 / BOTA ALFA PRESS
Megaoperacioni policor, kapen në portin francez 10 tonë kokainë

Agjencitë e sigurisë në Francë kanë sekuestruar një sasi rekord kokainë këtë fundjavë, pas një operacioni të suksesshëm në portin e Dunkirk, në veri të vendit.

Sipas burimeve policore bëhet fjalë për 10 tonë kokainë, e cila ishte fshehur në një kontejner dhe ka një vlerë të tregut prej 320 milionë euro.

Operacioni u realizua nga autoritetet doganore, të cilat kanë qenë në vëzhgim të vazhdueshëm për aktivitetet e trafikimit të lëndëve narkotike. Edhe pse droga është kapur, ende nuk ka pasur asnjë arrestim lidhur me këtë ngjarje.

Ky aksion i suksesshëm i policisë franceze megjithatë tregon rritjen alarmante të të sasive të mëdha të kokainës që po qarkullon në Francë. Sipas statistikave, autoritetet franceze kanë kapur gjithsej 53.5 tonë kokainë gjatë vitit 2024, një rritje e konsiderueshme prej 130% krahasuar me vitin 2023, ku u konfiskuan 23 tonë.

Ndërkohë, edhe pse ky operacion u zhvillua në portin e Dunkirk, porti i Le Havre është ai që ka lidhje të forta detare me vendet e Amerikës së Jugut, ndër prodhuesit kryesorë të kokainës në botë, dhe konsiderohet si një nga portat kryesore të kokainës në Evropë, sipas Observatorit Francez për Drogën dhe Trendet e Varësisë.

Ky sekuestrim i madh ka ngritur shqetësime të reja për nivelin e trafikimit të drogës në rajon, duke theksuar nevojën për intensifikimin e masave dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për të luftuar këtë fenomen

Po ndodh...