Qeveria e Groenlandës do të marrë pjesë në takimin e Rubios me zyrtarët danezë për të ardhmen e ishullit

Qeveria e Groenlandës do të marrë pjesë në takimin që pritet të zhvillohet javën e ardhshme mes Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe zyrtarëve danezë, në një moment tensionesh lidhur me të ardhmen e ishullit arktik. Lajmi u konfirmua sot nga ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt.
“Asgjë për Groenlandën pa Groenlandën. Sigurisht që do të marrim pjesë në takim. Ne ishim ata që e kërkuam këtë takim”, deklaroi Motzfeldt për televizionin publik danez DR, pas konfirmimit nga Rubio se do të zhvillohet një takim me përfaqësues të Danimarkës.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se presidenti Donald Trump po e shqyrton “me shumë kujdes” me ekipin e tij mundësinë e “blerjes” së Groenlandës, duke refuzuar edhe një herë të përjashtojë opsionin ushtarak për t’i dhënë Uashingtonit kontroll mbi këtë territor autonom të Danimarkës.
Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, deklaroi të martën se takimi me kreun e diplomacisë amerikane pritet të “sqarojë disa keqkuptime” që kanë lindur pas deklaratave të përsëritura të Trumpit. Rasmussen ka kundërshtuar argumentin e presidentit amerikan se Kopenhaga ka neglizhuar sigurinë e Groenlandës, duke theksuar se Danimarka ka investuar fuqishëm në sigurinë arktike gjatë 12 muajve të fundit, me rreth 90 miliardë korona daneze (1.2 miliardë euro).
Për ministren e Jashtme të Groenlandës, bisedimet e javës së ardhshme duhet të shërbejnë si një mundësi për normalizimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. “Kemi vendosur tashmë një dialog të drejtpërdrejtë me SHBA-të”, tha ajo për gazetën groenlandeze Sermitsiaq.
“Shpresa ime më e madhe është që ky takim të çojë në përmirësimin e marrëdhënieve tona. Groenlanda ka nevojë për SHBA-të dhe SHBA-të kanë nevojë për Groenlandën, veçanërisht në aspektin e sigurisë në Arktik”, shtoi Motzfeldt.
Sipas gazetave Wall Street Journal dhe New York Times, Marco Rubio u ka thënë ligjvënësve amerikanë se opsioni i preferuar i Trumpit mbetet blerja e Groenlandës nga Danimarka, duke përjashtuar një pushtim të afërt ushtarak.
Po ndodh...
Fundi i liderit tregëtar, Rama!
ide
Ankthi i zbrazëtisë: pse liderët nuk ikin në Shqipëri
Morali im, ligji yt: anatomia e një pushteti pa kufij
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
