Trump planifikon pushtimin e ishullit Kharg të Iranit

20 Mars 2026, 14:54 / BOTA ALFA PRESS

Trump planifikon pushtimin e ishullit Kharg të Iranit

Administrata e Donald Trump po shqyrton mundësinë e pushtimit ose bllokimit të ishullit Kharg të Iran, me qëllim ushtrimin e presionit ndaj Teheranit për të rihapur Ngushticën e Hormuzit, sipas një raporti të Axios.

Raporti, i cili nuk është verifikuar ende në mënyrë të pavarur, citon katër burime që kanë folur në kushte anonimiteti. Një zyrtar i lartë i administratës ka deklaruar se qëllimi kryesor është rihapja e ngushticës strategjike: “Ai e do Hormuzin të hapur. Nëse duhet të marrë ishullin Kharg për ta arritur këtë, kjo do të ndodhë. Nëse vendos për një pushtim bregdetar, kjo do të ndodhë. Por ky vendim ende nuk është marrë.”

Një tjetër zyrtar i lartë theksoi se prania ushtarake amerikane në konflikte nuk është e pazakontë, duke shtuar se presidenti do të veprojë sipas asaj që e konsideron të drejtë. Megjithatë, sipas tij, ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.

Ishulli Kharg, një ishull koralor rreth 8 kilometra i gjatë në Gjirin Persik dhe rreth 25 kilometra larg territorit iranian, është një nyje kyçe për përpunimin dhe eksportin e naftës së Iranit, pasi rreth 90% e eksporteve të naftës kalojnë përmes tij.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë bombarduar javën e kaluar instalimet ushtarake në ishull, duke lënë të paprekura objektet e eksportit të naftës. Donald Trump ka paralajmëruar se mund të rishqyrtojë këtë qasje nëse Irani ose vende të tjera ndërhyjnë në lëvizjen e lirë të anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

Kjo rrugë ujore jetike është bllokuar në mënyrë efektive që kur Irani nisi sulme ndaj anijeve, si përgjigje ndaj goditjeve nga SHBA-ja dhe Izraeli, duke shkaktuar një rritje të ndjeshme të çmimeve globale të naftës.

Po ndodh...