Media britanike: Brenda revolucionit shqiptar! Kulti i Edi Ramës po shpërbëhet

15 August 2026, 10:15 / POLITIKË ALFA PRESS

Më 16 maj 2026, një revolucion nisi në Zvërnec, një fshat i qetë në bregdetin shqiptar, ku Jared Kushner dhe Ivanka Trump planifikonin të ndërtonin një resort luksoz. Ai u përhap në të gjithë vendin, ndërsa shqiptarët shprehën zhgënjimin e tyre ndaj një klase politike të akuzuar për korrupsion dhe prapakthim demokratik, të drejtuar nga Edi Rama, kryeministri prej 13 vitesh dhe i preferuari i Bashkimit Evropian.

Aris Roussinos vizitoi vendin e trazuar në kulmin e asaj që tani po quhet “Revolucioni i Flamingove”, duke folur me aktivistë, liderë të opozitës dhe madje edhe me vetë kryeministrin Rama, i cili beson se populli i tij nuk ka jetuar kurrë më mirë.

“Pse po jetoj në Angli?”, më pyeti me zemërim Avniu, një shqiptar rreth të 40-ave që punon si ndërtues në Londër, teksa po ecnim drejt rreshtave të policisë anti-rebelim që ndanin protestuesit e “Revolucionit të Flamingove” nga parlamenti shqiptar.

“Shqipëria është një vend shumë i mirë, këtu nuk ka luftë. Ne nuk duhet të jemi emigrantë. Duhet të kthehemi në shtëpi”, shtoi ai, duke më treguar se fshati i tij në veri të Shqipërisë tashmë ishte krejtësisht i boshatisur, pasi të gjithë ata që mundeshin ishin larguar drejt Britanisë ose vendeve të tjera të Evropës Perëndimore.

“Sepse qeveria [në Shqipëri] është shumë e korruptuar, njerëzit nuk kanë të drejta, por nëse njeh dikë nga qeveria, bëhesh milioner për dy ditë. Të gjithë deputetët e Shqipërisë bëhen miliarderë, kanë shtëpi gjigante, para pa fund, të fshehura kudo. Të gjithë kushërinjtë e tyre kanë para pa fund. Është një qeveri vërtet, vërtet e korruptuar dhe ne jemi ngopur me këtë. Ata na shtyjnë të gjithëve drejt Evropës, por ne duhet të kthehemi.”

Ishte dita e 54-t dhe më e dhunshmja deri atëherë e protestave në rrugë që kishin lënë në hije verën shqiptare, për pakënaqësinë e qeverisë së Partisë Socialiste të Edi Ramës, e cila ka drejtuar vendin për 13 vite rresht.

“Gjithkush mendon se ky është një shtet demokratik”, më tha Bora Mitrovica, një aktiviste shqiptaro-kanadeze, të cilën e gjeta pranë barrikadave të policisë, duke bërtitur “Poshtë komunizmi!” dhe duke sharë policinë me një arsenal të tërë shprehjesh ballkanike.

“Jo. Nuk është. Edi Rama është diktator. Kjo është diktaturë.”

Bora sapo ishte spërkatur me gaz lotsjellës nga policia, pasi kishte tentuar të çante barrikadat drejt parlamentit shqiptar.

Protestuesit kishin hedhur vezë dhe shishe uji ndaj rreshtave të policisë, si dhe ndaj makinave të politikanëve që përpiqeshin të hynin në sallën e votimit. Kur policia i zmbrapsi me gaz lotsjellës, topa uji dhe spraj piperi, protestuesit shpërthyen në britma zemërimi. Disa këputën gjethe aloe nga bimët dekorative të rrugës dhe shtrydhën lëngun e tyre në sytë që u digjnin.

“Diktatura nuk merr fund me një thirrje. Duhet të luftosh. Ne kemi nevojë që burrat shqiptarë të ngrihen në këmbë dhe të mos thonë thjesht ‘q***u’, sepse kështu nuk ndryshon vendin”, më tha Bora.

“U këshilloj të gjithë turistëve të ikin sa më shpejt që të munden, sepse nuk do të jenë në gjendje të përballojnë atë që ne, si shqiptarë, mund ta përballojmë.”

Nga nisi gjithçka

Protestat kishin nisur në fshatin bregdetar jugor të Zvërnecit në maj.

Banorët kishin zbuluar se hyrja drejt varkave të tyre të peshkimit dhe ullishtave bregdetare ishte mbyllur papritur me rrethime sigurie, ndërsa mjete ndërtimi kishin nisur, me sa dukej, punimet për një resort luksoz të mbështetur nga vajza dhe dhëndri i Donald Trump, Ivanka dhe Jared Kushner, dhe të përkrahur fuqishëm nga qeveria e Ramës.

Në skena të dhunshme, rojet e sigurisë dhe banorët u përleshën, përpara se protestuesit vendas të shembnin gardhet dhe të rimerrnin kontrollin e asaj që ata pretendojnë se është toka e tyre.

Kujt i përket realisht toka mbetet ende objekt mosmarrëveshjeje.

Për shkak të reformave të shumta mbi tokën dhe shpërndarjeve të pronës që kanë shoqëruar kalimin e Shqipërisë nga sundimi osman drejt pavarësisë, pushtimit italian, e më pas nga regjimi izolues i Enver Hoxhës drejt tranzicionit kaotik demokratik, pretendimet mbi pronësinë në Shqipëri shpesh mbivendosen. Shpesh më shumë se një palë mund të pretendojë titullin ligjor mbi të njëjtën parcelë.

Pronari i pretenduar i bregdetit të Zvërnecit, në qendër të projektit të Kushnerit, është një biznesmen me bazë në Miami, Artur Shehu. Ai është akuzuar nga avokatët që punojnë për banorët vendas se ka falsifikuar dokumente pronësie të periudhës osmane për të marrë kontrollin e pronës së tyre me vlerë të lartë.

Në qershor, u bë gjithashtu e ditur se Shehu ishte nën hetim nga SPAK-u, organi kundër korrupsionit i krijuar nga qeveria e Ramës, për pastrim parash dhe trafik ndërkombëtar kokaine.

Shehu, nga ana e tij, mohon çdo shkelje, duke këmbëngulur se është një biznesmen legjitim që e ka trashëguar tokën nga paraardhësit e tij mesjetarë.

Çështjen e komplikojnë edhe të dhënat që sugjerojnë praninë e zyrtarëve qeveritarë në takime me Shehun dhe persona të tjerë të dyshuar si trafikantë kokaine.

Dokumente të SPAK-ut të nxjerra në media ndërkombëtare sugjerojnë se hetues belgë vunë në dukje se “këto takime duket se lidhen me projekte imobiliare në Shqipëri, potencialisht të financuara me fonde të paligjshme, me mbështetjen e autoriteteve politike”.

Në të njëjtën kohë, SPAK-u thekson se “në këtë fazë nuk paraqitet asnjë provë që identifikon zyrtarët e përfshirë apo që provon pjesëmarrjen e tyre në aktivitete të paligjshme”.

Hendeku mes këtyre dy pretendimeve është mbushur tashmë në Shqipëri me spekulime politike të zjarrta dhe dramatike, të përdorura nga opozita, Partia Demokratike, për të pretenduar korrupsion në nivelet më të larta të politikës.

Nga flamingot te revolucioni

Për shkak se laguna e kripur e Zvërnecit është një zonë e rrallë evropiane shumimi për flamingot, protestat fillestare në Tiranë ishin protesta mjedisore, ku protestuesit festivë mbanin flamingo gjigante prej polisteroli si simbol.

Por gjatë javëve në vijim, protestat u përshkallëzuan: nga ndalimi i projektit dhe rikthimi i ligjeve të mbrojtjes së mjedisit që Shqipëria kishte shfuqizuar së fundmi, në kërkesa për një revolucion të plotë kundër të gjithë sistemit politik.

Protestuesit tani kërkojnë që Rama të japë dorëheqjen dhe të përballet me gjyqin për korrupsion, së bashku me liderin e opozitës, Sali Berisha, ndërsa Shqipëria duhet të vendosë një qeveri teknokrate 12-mujore përpara zgjedhjeve të reja.

Natyrisht, Rama nuk ka ndërmend të pranojë. Dhe kështu përplasja vazhdon.

Megjithëse protestat e mbrëmjes përgjatë bulevardeve të gjelbëruara të Tiranës janë kryesisht tubime familjare dhe paqësore, ato të mëngjesit janë më të tensionuara, duke mbledhur një bërthamë më të angazhuar aktivistësh që e quajnë veten revolucionarë.

Mund të shihen të rinj të maskuar që hedhin objekte, burra më të moshuar të klasës punëtore me qeleshe tradicionale shqiptare ose duke valëvitur flamurin e Shqipërisë së Madhe, por shumica janë pjesë e borgjezisë së re, të arsimuar dhe shoqërisht liberale të Tiranës, si dhe nga diaspora — zakonisht një bazë e sigurt votash për qeverinë reformiste dhe pro-BE të Ramës.

Gra të reja konservatore me hixhab qëndrojnë krah për krah me hipsterë të mbushur me tatuazhe, duke thirrur “Rama, jep dorëheqjen” në shqip, me ritmin e “Seven Nation Army” të The White Stripes, ose “Rama, Rama, Fuck You”, me ritmin e “We Will Rock You”.

Gjatë ditëve dhe netëve të protestave ku mora pjesë, fjalime të gjata dhe pasionante e cilësonin qeverinë si terroriste, si diktaturë, dhe dënonin atë që pretendohej si shitje e tokës shqiptare tek interesat izraelite.

Kjo e fundit, një pretendim mjaft konspirativ, rezultoi të ishte një temë e përsëritur në bisedat me shqiptarët.

Edhe sticker-at në shtyllat e ndriçimit në qendër të Tiranës e paraqisnin Ramën si kukull të George Soros ose si hebre hasidik.

Xhoana, një drejtuese marketingu e veshur me stil, më tha:

“Qeveria jonë po ia shet tokën Jared Kushnerit dhe Ivanka Trump-it, si dhe oligarkëve në vendin tonë. Ata nuk punojnë për popullin. Ne duam revolucion sepse gjithçka është rrëmujë.”

“Shqipëria tani nuk ka nevojë për revolucion”, tha një zëdhënës i qeverisë, i cili këmbënguli të mbetej anonim, ndërsa pinte cigare në një kafene në trotuar.

“Njerëzit kanë 50 ditë që thonë se na duhet një revolucion, por nuk kanë asnjë plan për atë që vjen më pas. Një revolucion në këtë fazë, kur jemi kaq pranë hyrjes në BE, është diçka e rrezikshme.”

Qeveria e Partisë Socialiste të Ramës ka premtuar anëtarësimin e Shqipërisë në BE deri në vitin 2030, por negociatat kanë ngecur që prej vitit 2009, të vonuara nga shqetësimet mbi shtetin ligjor, varfërinë relative të vendit dhe krimin e organizuar — veçanërisht dominimin e trafikimit ndërkombëtar të kokainës nga klanet shqiptare.

Pushtimi rus i Ukrainës i dha një shtysë të re procesit të anëtarësimit, pasi zyrtarët evropianë ndjenë nevojën që BE-ja të forconte rolin e saj në epokën e re të konkurrencës gjeopolitike.

Por dritarja për anëtarësimin mund të jetë e ngushtë dhe jetëshkurtër.

Si për Partinë Socialiste në pushtet, ashtu edhe për BE-në, protestat masive të kësaj vere janë një komplikim i padëshiruar.

“Evropa, kryesisht Komisioni Evropian, donte të shihte vetëm progres”, më tha Genc Pollo, një intelektual i njohur konservator shqiptar dhe ish-zëvendëskryeministër.

“Ata nuk donin të shihnin prapakthimin demokratik dhe në raportet e tyre vjetore i lanë jashtë të gjitha problemet, për çfarëdo arsye.”

Skeptik ndaj progresit të Shqipërisë nën qeverisjen e Ramës, të cilën e quajti një “narko-shtet”, të drejtuar nga një “regjim kleptokratik”, Pollo më tha:

“Rama ka lejuar që grupet shqiptare që sjellin kokainë nga Amerika Latine në Evropën Qendrore dhe Veriore të pastrojnë paratë e tyre përmes ndërtimit. Dhe pastaj, kur vijnë zgjedhjet, ata me paratë dhe muskujt e tyre e ndihmojnë atë të sigurojë votat.”

Sipas tij, diplomatët evropianë janë të shurdhër ndaj shqetësimeve të opozitës.

“Edi Rama është mjeshtër në skenografi, në organizim, në organizimin e samiteve në Tiranë, dhe pastaj ke liderët në ndonjë restorant duke paraqitur një picë me fytyrën e tij në kutinë e picës, dhe më pas Presidentja e Komisionit Evropian thotë: ‘Oh, kjo është e mrekullueshme, e mrekullueshme, oh, i dashur Edi’.”

Paradoksi i suksesit të Ramës

Në pamje të parë, megjithatë, protestat, të mbështetura nga çdo shqiptar me të cilin fola dhe që nuk ishte pjesë e qeverisë, duken çuditërisht të kohës së gabuar.

Nën drejtimin e Ramës, PBB-ja e Shqipërisë është pothuajse trefishuar në një dekadë, një ritëm rritjeje që evropianët perëndimorë mund ta kishin zili.

Kulla të reja, me dizajne të guximshme të krijuara gjatë periudhës së pasurisë së re, ngrihen mbi arkitekturën e bukur qytetare të Tiranës së periudhës së Musolinit dhe mbi xhamitë e pakta osmane dhe hanet që kanë mbijetuar.

Deri vonë të konsideruara destinacione disi të pazakonta, si Tirana ashtu edhe resortet bregdetare të vendit tashmë janë mbushur me turistë: evropianë veriorë që kërkojnë diellin e verës, turq dhe arabë të Gjirit që kërkojnë t’i shpëtojnë atij.

Kafenetë, baret dhe restorantet e zhurmshme janë po aq elegante dhe komode sa kudo tjetër në Mesdhe, edhe pse nuk janë më dukshëm më të lira.

Pagat shqiptare nuk kanë mundur të ndjekin ritmin e inflacionit të shpejtë të çmimeve, veçanërisht të ushqimeve dhe pronave, të nxitura nga fluksi i parave, të ligjshme apo jo.

Në një farë mënyre, Edi Rama duket viktimë e suksesit të tij.

“Protestuesit janë një grup urban njerëzish, kryesisht shumë të arsimuar”, thotë Pirro Vengu, deputet i Partisë Socialiste për Vlorën, ku përfshihet edhe Zvërneci, teksa pimë kafe në një prej atyre restoranteve elegante.

“Paradoksi është se kjo është rinia që është rritur gjatë kësaj qeverie. Pra, me sa duket kemi bërë diçka mirë, apo jo?”

I ri, elegant dhe karizmatik, Vengu është një yll në ngjitje i politikës shqiptare. Edhe kritikët e qeverisë në Zvërnec pranonin me keqardhje se e pëlqenin.

“Është gjithashtu krejtësisht legjitime që shqiptarët të mos e krahasojnë vendin me të kaluarën e tij tragjike të viteve ’90. Ne nuk jemi më vendi më i varfër në Evropë. Ne e krahasojmë veten me Evropën Perëndimore, ku të gjithë shqiptarët kanë udhëtuar disa herë.”

Berisha: “Rama e trajton Shqipërinë si çifligun e tij”

Pavarësisht gjithë suksesit ekonomik të vendit, diskursi politik shqiptar është i përçarë nga akuza të bujshme për korrupsion, që vijnë më së shumti nga opozita.

Në zyrën e Partisë Demokratike, Sali Berisha, 81-vjeçari lider i opozitës konservatore, doli nga pas një tavoline të mbuluar me letra për të më dhënë dorën.

Pas tij, në raftet e mbushura plot me libra, një kapele bejsbolli MAGA dhe një fotografi e kornizuar e Nënë Terezës konkurronin për hapësirë.

Lideri i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike i Shqipërisë dhe arkitekti i orientimit perëndimor të vendit, Berisha është po aq qendror në formësimin e rrugëtimit modern të Shqipërisë sa edhe rivali i tij i betuar, Edi Rama.

Vetëm disa javë më parë, administrata Trump, duke cituar arsye të sigurisë kombëtare, kishte hequr sanksionet e vendosura gjatë administratës Biden ndaj Berishës për korrupsion në detyrë, akuza që ai i mohon.

Sanksionet britanike ndaj tij mbeten në fuqi — diçka që Berisha e konsideron të padrejtë, duke më dhënë një kopje të një dokumenti të Foreign Office që lidhet me çështjen e tij dhe duke akuzuar ambasadorin e mëparshëm britanik se ishte “korruptuar” nga Edi Rama.

Sipas Berishës, fluksi i parave nga aktivitetet kriminale ka shtrembëruar ekonominë e vendit, duke shkatërruar eksportet shqiptare drejt Evropës, ndërkohë që paratë pastrohen përmes projekteve të ndërtimit me vlerë të lartë.

“Nëse shikon këtë vend”, më pyeti Berisha në mënyrë retorike, “çfarë do të gjesh? Do të gjesh një pushtet të jashtëzakonshëm në duart e Edi Ramës dhe qeverisë së tij, që është pushteti i drogës.”

“Pushteti i drogës është shumë, shumë miliarda euro. Pushteti i drogës, i karteleve shqiptare të drogës, kontrollon gjithçka në këtë vend.”

I rikthyer së fundmi në vijën e parë të politikës, pasi mposhti rivalët e brendshëm në Partinë Demokratike, Berisha i sheh protestat si një rrugë drejt rikthimit në pushtet, ose të paktën drejt dobësimit të kontrollit të rivalit të tij të hidhur, Ramës.

Ai pranon se “ndoshta 20%” e sloganeve kërkojnë burgosjen e tij, por siguron se këto kërkesa bëhen vetëm nga “grupe ekstremiste të majta”.

Për pjesën më të madhe, tha ai, protestuesit janë kundër qeverisë.

“Dhe kauza e tyre është e drejtë. [Është] kauza jonë. Prandaj ne e mbështesim plotësisht, e respektojmë plotësisht, nuk përpiqemi të marrim drejtimin e saj.”

Për rivalin e tij tha:

“Edi Rama e trajton Shqipërinë si çifligun e tij personal, ku mund të bëjë gjithçka. Si një sulltan, në një sulltanat të shekujve të kaluar, ku ajri, toka dhe uji konsiderohen pronë e sulltanit.”

Takimi me Edi Ramën

Zyra e Kryeministrit ndodhet në një ndërtesë të bukur racionaliste të hapur në vitin 1941, e projektuar për të strehuar guvernatorin kolonial italian.

Punonjësit më shoqëruan nëpër korridore të gjata, të veshura me qeramika klasike greke dhe osmane, deri në zyrën e Edi Ramës.

Ai më injoroi dukshëm për njëfarë kohe, i zënë duke lëvizur gishtin në telefonin e tij.

Rama kishte qenë artist dhe shkrimtar përpara se të hynte në politikë si kryebashkiaku reformist i Tiranës, politika e të cilit për zbukurimin e kryeqytetit e kishte kthyer atë në një destinacion turistik të përshtatshëm për Instagramin, ndërsa vetë Ramën në sundimtarin e dytë më jetëgjatë të Shqipërisë që nga pavarësia në vitin 1912, i tejkaluar vetëm nga diktatura komuniste.

Një burrë i madh dhe me pamje imponuese, sot i veshur tërësisht me rroba të zeza të lirshme, përveç atleteve të bardha të pastra, Rama është po aq karizmatik sa edhe frikësues.

Por intervistat e fundit ndërkombëtare kishin qenë të tensionuara dhe atmosfera në zyrë ishte e rënduar.

Kur më në fund u ul pranë meje, duke u mbështetur në karrigen e tij, e pyeta për protestat.

“Protestat sot nuk janë protestat e qershorit, kështu që njerëzit që folën sot janë të ndryshëm. Ata janë të angazhuar në parti politike. Janë të angazhuar në partitë opozitare, parti të vogla opozitare, të majtë ekstremë dhe të djathtë ekstremë”, pretendoi ai.

“Ndërsa protestat e qershorit ishin ndryshe, ishin më të mëdha, dhe aty kishte shumë njerëz që kishin votuar për ne.”

Në çdo rast, shtoi ai:

“Jam shumë, shumë krenar që kemi pasur një protestë kaq të madhe për kaq shumë ditë, në një mënyrë shumë paqësore, dhe që askush nuk u lëndua, askush nuk u pengua të bënte atë që donte.”

“Përfundimi është se kjo protestë tregon një vend që është si një vend normal evropian, ku ka protesta.”

Duke përsëritur pretendimin e qeverisë se protestat po nxiteshin nga aktorë të huaj, ai sugjeroi se:

“Algoritmi bëri shumë për t’i sjellë ata në bulevard, e dini? Po ju them, një nga gjërat që kemi parë nga ana tjetër e pasqyrës, në rrjetet sociale, është se një përqindje shumë e lartë e përmbajtjes prodhohet jashtë ndërtesës. Nuk është shqiptare.”

Në fakt, shtoi Rama:

“Nëse kjo nuk do të kishte qenë për Jared Kushnerin dhe Trump-in dhe Ivanka-n dhe të gjitha llojet e fantazive, kjo nuk do të kishte qenë kaq e mirë për algoritmin.”

Sipas tij, lidhja me Kushnerin “solli të gjithë anti-Trumpistët me steroid”.

Kur nuk rashë dakord me të, ai shtoi:

“Ju jeni një përjashtim në këtë rast, nëse nuk po kërkoni një këndvështrim për të thënë se sa i tmerrshëm është Trump-i dhe se si ka vrarë flamingot në Shqipëri.”

“Nuk është Trumpi, janë problemet tona”

Por as Trumpi dhe as flamingot nuk duken si burimi kryesor i pakënaqësisë në Zvërnec.

“Shqipëria nuk është demokraci”, më tha një burrë i moshuar në greqishten e tij të theksuar.

“Ata janë hajdutë, të gjithë. Edi Rama dhe Sali Berisha janë njësoj”, tha ai, duke fërkuar gishtat tregues dhe të mëdhenj për të nënkuptuar paratë.

“Ne nuk kemi pasur ujë këtu prej dy muajsh. Duhet të përdor pusin tim të vogël, por pastaj ata marrin gjithçka që kemi këtu për vete.”

Një grua vendase ra dakord.

“Ata i kanë marrë ullishtat e babait tim të moshuar. Këto parcela i kemi pasur brez pas brezi, por ata nuk na japin dokumentet që vërtetojnë se na përkasin, madje as për shtëpinë ku jetojmë.”

Për vendlindjen e krizës politike shqiptare, Zvërneci është një vend i qetë, një fshat me disa qindra banorë, kryesisht grekë etnikë ose barinj vllehë të helenizuar.

Pranë qytetit jugor të Vlorës, baret e zhurmshme të plazhit shtrihen përgjatë vijës ranore deri në kufijtë e fshatit.

Zvërneci pasqyron një Mesdhe më të vjetër dhe të paprekur, gjithnjë e më shumë një kujtim nostalgjik edhe në Shqipëri.

Zogj shtegtarë thërrasin dhe gurgullojnë në kënetat bregdetare të deltës së Vjosës, ndërsa cikadat gjëmojnë në ullishtat e mbrojtura nga dielli i pamëshirshëm i verës. Gjithçka të kujton Greqinë e 30 apo 40 viteve më parë.

“Ne duam investime, por jo këtë investim”, më tha një grua.

“Kjo është toka jonë dhe ne nuk e kemi marrë kurrë tokën e familjes që prej vitit 1991. Gjithashtu nuk duam izraelitë këtu — kjo është tokë shqiptare dhe nëse vijnë këtu, do t’i vrasim.”

Në plazhin e egër me rërë të Portonovos, bosh përveç disa familjeve vendase që me kënaqësi injoronin tabelat që ndalonin notin, takova Kosta Xhahon, koordinatorin lokal të projektit për PPNEA-n, organizatën më të madhe mjedisore joqeveritare të Shqipërisë.

Kjo, më tha ai, është një nga zonat më të rëndësishme për folezimin e breshkave dhe “Ground Zero” i protestave që më vonë u zhvendosën në qendër të Tiranës.

“Ne nisëm të protestojmë këtu. Pastaj nisëm të luftonim me buldozerët që filluan të ndërtonin një rrugë dhe me kamionët në zonën e mbrojtur. Pastaj nisëm të luftonim me sigurinë që vendosën në gardhe dhe tani po luftojmë me qeverinë që të ndryshojë ligjin, në mënyrë që kjo zonë të mbetet e mbrojtur përgjithmonë.”

Dëshira e PPNEA-s është që plazhi dhe pjesa tjetër e bregdetit të mbeten tokë publike, siç kanë qenë që nga koha e Mbretërisë Shqiptare të Zogut.

Por toka është një mall shumë i kërkuar, njësoj si për ata që e kanë punuar për breza të tërë, ashtu edhe për Kushnerët.

Dhe nuk është e qartë nëse vetë banorët duan që zona të mbetet e pazhvilluar, në vend që të përfitojnë nga bumi turistik që besojnë se Shehu ua ka vjedhur.

Në Vlorën e afërt, opinioni lokal është dukshëm më pozitiv ndaj projektit të Kushnerit.

“Këta njerëz [në Zvërnec] janë budallenj”, më tha një shofer taksie në Vlorë.

“Ata nuk duan të ecin përpara, por ky është një nga investimet më të mëdha në Evropë. Do të jetë shumë mirë për qytetin tonë. Vetëm shpresoj që të jetë ashtu siç thonë dhe që Izraeli të mos ndërtojë një bazë atje.”

Megjithatë, ai më tha se i mbështeste protestat në Tiranë “sepse janë për çmimet e larta”.

“Shqipëria është ende një vend shumë i varfër dhe shumë i korruptuar.”

E pyeta kë kishte votuar.

“Ramën, sigurisht”, tha ai, duke më parë sikur i kisha bërë një pyetje absurde.

“Çdo herë Edi Ramën.”

“Qytetari që jeton më mirë është më i pakënaqur”

Për Ramën, i rizgjedhur pak më shumë se një vit më parë për një mandat të katërt, protestat kanë ardhur si një tronditje.

Në dokumentin strategjik “Besa”, të publikuar së fundmi, emri i të cilit i referohet betimit të pathyeshëm qëndror në kulturën tradicionale shqiptare, qeveria e Ramës deklaroi se “bulevardi i flamingove” përbënte “një pasqyrë që shoqëria na mbajti përpara” dhe provë se “gjithnjë e më shumë shqiptarë, përfshirë edhe të moshuarit, nuk e krahasojnë më Shqipërinë që kemi me atë që kishim në vitin 2013, por vetëm me atë që ata vetë besojnë se Shqipëria mund dhe duhet të jetë”.

Pjesa më e madhe e dokumentit “Besa” duket se bazohet në vëzhgimin e de Tocqueville se momenti më i rrezikshëm për çdo regjim është kur pritshmëritë në rritje, të krijuara nga reformat tashmë të ndërmarra, bëjnë që padrejtësitë e mbetura të duken të patolerueshme.

“Qytetari që ka më shumë se dje”, shkruajnë autorët e strategjisë, “është një qytetar më i pakënaqur. Pikërisht sepse sot jeton më mirë se dje, ai beson gjithashtu se vendi i tij është i aftë të bëjë shumë më tepër sesa bën sot.”

Në një letër të hapur të kohëve të fundit, ish-anëtarja e Partisë Socialiste dhe besnike e Ramës, Elisa Spiropali, e cila së fundmi u largua nga posti i saj si ministre për Evropën, deklaroi se protestat përfaqësojnë një “mobilizim politik dhe shoqëror, veçanërisht mes brezit të ri, që nuk mund të injorohet pa pasoja”.

Në atë që mund të lexohet vetëm si kritikë ndaj stilit të qeverisjes së Ramës, Spiropali argumentoi se Shqipëria ka nevojë për:

“jo më shumë personalizim të pushtetit, por institucione më të forta se individët”;

“më shumë përulësi, më pak arrogancë”;

“më shumë përfaqësim dhe më pak përqendrim të vendimmarrjes”;

për të ndërtuar “një shtet ku ligji qëndron mbi pushtetin dhe ku pushteti nuk identifikohet me një person të vetëm”.

Kur e pyeta Edi Ramën nëse letra e hapur e Spiropalit nënvizonte mosmarrëveshje të brendshme brenda Partisë Socialiste, ai e mbylli pyetjen.

“Kjo është një çështje shumë e brendshme, e brendshme e vendit”, tha ai.

“Dhe duhet ta mbajmë për vete, sepse nuk mendoj se duhet t’i eksportojmë gjërat tona të brendshme jashtë, sepse pastaj bëhet sikur po ushqejmë me kuriozitet një audiencë që nuk është aspak brenda historisë, nuk është e informuar.”

Por opozita nuk kishte të njëjtin shqetësim, i thashë, duke shtuar se Berisha kishte bërë akuza shumë specifike se figura politike brenda rrethit të Ramës kishin marrë pjesë në takimin në Aruba me trafikantin e dyshuar të drogës, Artur Shehun, dhe se qeveria kishte lidhje të pakëndshme me drejtues të krimit të organizuar.

“Ku është? Kush, ku? Ku është fotografia? Ku është dokumenti? Ku janë biletat? Ku, ku?”, u përgjigj ai.

“Pra, si do t’i përgjigjeshit”, shtoi ai, duke më treguar me gisht, “për shembull, një akuze se ju dje ishit me disa trafikantë droge në hotelin ku po flini? Si do t’i përgjigjeshit?”

Ai vazhdoi:

“Po, figurat e opozitës mund t’ju thonë shumë gjëra, por nuk është detyra ime t’ju them nëse jemi apo nuk jemi të lidhur. Është detyra e tyre të provojnë nëse jemi apo nuk jemi të lidhur, sepse jam vërtet i neveritur prej vitesh nga fakti që në këtë vend… barra e provës ka kaluar tek ata që akuzohen.”

I pyetur për karakterizimin e Shqipërisë nga opozita si një “narko-shtet”, Rama e hodhi poshtë plotësisht idenë.

“Ju mund të thoni çfarë të doni. Por ‘narko-shtet’, një narko-shtet që ka nisur të mbyllë kapitujt e negociatave me BE-në? Nuk përputhet në asnjë mënyrë.”

“Nëse Shqipëria ka probleme me korrupsionin, Shqipëria nuk e ka luftuar kurrë korrupsionin si këto vite. Nëse Shqipëria ka probleme me krimin, Shqipëria nuk e ka luftuar kurrë krimin si këto vite.”

“Dhe kur vjen puna te krimi, po ju them, ne paguajmë një çmim të madh në Ballkan për faktin që njerëzit nga Ballkani janë shumë aktivë në krimin e organizuar. Jashtë. Por industria e krimit nuk është këtu. Është atje.”

Duke iu referuar faktit se unë jam gazetar, ai shtoi:

“Ju i njihni narko-shtetet, besoj, e dini si ndihen, e dini si ndihen vendet e varfra dhe të korruptuara, e dini si ndihen vendet me të ardhura mesatare. Nuk mendoj se keni nevojë që unë apo dikush tjetër t’ju tregojë se në çfarë lloj vendi ndodheni, me të mirat dhe të këqijat e tij.”

“Nuk ndihet i pasigurt, nuk ndihet si një vend i varfër, nuk i ndjen të gjitha këto gjëra.”

E pyeta Ramën nëse, pasi kishte siguruar vendin e tij si një prej figurave më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë, shqetësohej se përshkallëzimi i protestave mund të dëmtonte trashëgiminë e tij.

“Jo, si mund ta kërcënojnë protestat trashëgiminë?”, tha ai.

“Më pëlqen presioni.”

Ai kishte kaluar dy valë të mëparshme protestash, tha, ndoshta më të mëdha se këto të sotmet, në vitin 2013, pak pasi kishte ardhur në pushtet, dhe në vitin 2018.

“Kur erdhi e para, u tërhoqa sepse ata kishin të drejtë. Kishin një argument shumë të fortë. Thashë, keni të drejtë, do të ndalojmë. Dhe mbaroi, ata morën atë që donin.”

“Herën e dytë, nuk u tërhoqa. Por nisa një dialog me ta dhe bëmë gjëra të mira.”

“Këtë herë kam mësuar gjëra, kështu që nuk do të tërhiqemi nga projekti [i Zvërnecit], kjo është e sigurt. Por do të bëjmë një proces konsultimi.”

Në fund shtoi:

“Unë besoj fuqimisht se projekti do ta mbyllë plotësisht këtë kapitull, sepse do të jetë i bukur.”

Një krizë që mund të shkojë përtej Ramës

Shumë shqiptarë me të cilët fola, përfshirë edhe disa që në përgjithësi e mbështesnin Ramën, e krahasuan situatën e tij aktuale me atë të “të fortit” të Serbisë, Aleksandar Vuçiç — jo një krahasim i favorshëm në Shqipëri — i cili gjithashtu ka fituar mbështetjen e BE-së ndërkohë që përballet me muaj protestash në rrugë.

Edhe pse nuk ka gjasa që protestat, të vetme, ta rrëzojnë Ramën, ato tregojnë qartë një pakënaqësi në rritje ndaj sistemit dypartiak dhe politikës aktuale të patronazhit.

Kryesisht të rinj, liberalë dhe shumë të arsimuar, protestuesit janë, në një masë të madhe, fëmijët politikë të Edi Ramës.

Për pothuajse një brez, marka e Ramës e paternalizmit zhvillimor dhe dashamirës ka transformuar vendin në një ekonomi vërtet dinamike, me ritëm marramendës.

Por, ashtu si banorët e Zvërnecit, edhe shtresat e mesme të Tiranës ndihen më të varfra, jo më të pasura, përballë rritjes së dukshme dhe pasurisë që shpërthen përreth tyre.

Për vëzhguesit perëndimorë, tashmë të mësuar me paga të ndenjura dhe kufizimet e sistemeve dypartiake, kriza politike e Shqipërisë tregon, në mënyrë ironike, se sa evropian është bërë vendi, edhe pse mbetet në dhomën e pritjes ballkanike të BE-së.

Me protestat që vazhdojnë, në kundërshtim me pritshmëritë e para, edhe gjatë gushtit, mundësia që ato të përshkallëzohen në motin më të freskët të vjeshtës, kur turistët të jenë kthyer në shtëpi dhe studentët në universitete, duket se po rritet.

Por, teksa përpiqet të sigurojë njëkohësisht miratimin e vëzhguesve të BE-së, administratës Trump, të paparashikueshme dhe të prirur për interesa, partisë së formuar sipas imazhit të tij dhe votuesve të tij gjithnjë e më të paduruar, Rama shfaq vetëm qetësi.

I mbështetur në kolltukun e tij në fund të takimit tonë, më tha:

“Dëgjoni, jam këtu prej 13 vitesh. Pra, kam edhe tre vite. Nuk kam asgjë për t’i provuar vetes. Sepse në fillim, e dini, ka shumë gjëra që duhet t’ia provosh vetes.”

“Siç thatë ju, unë e kam vendin tim në historinë e këtij vendi. Pastaj, në çfarë drite do të vendoset kjo, do ta vendosin njerëzit.”

Por përpjekjet e Ramës për të fituar favorin e presidentit amerikan, qoftë duke iu bashkuar skemës së diskutueshme të Trumpit, “Board of Peace”, apo duke shtyrë përpara projektin e diskutueshëm imobiliar të familjes Kushner, kanë nxjerrë në pah çarje që më parë nuk dukeshin në bazën e tij elektorale.

Shpërblimi i vetëm i Ramës deri tani ka qenë rehabilitimi i papritur nga Uashingtoni i rivalit të tij më të madh politik, Sali Berishës, në atë që mund të lexohet vetëm si një mënyrë për të ushtruar presion amerikan.

Ajo që do të ndodhë gjatë vjeshtës do të vendosë gjithçka, më tha Sali Berisha.

“Shumëçka do të varet nga shtatori. A do t’i riorganizojnë dhe rimobilizojnë? A do të arrijnë partitë opozitare të bashkohen në një front të madh? A do të vazhdojnë të kërkojnë një qeveri kujdestare dhe zgjedhje të reja, apo jo, nuk mund ta parashikoj.”

“Është e vështirë, por mendoj se është jetike.”

Por shanset e Partisë Demokratike për ta kthyer pakënaqësinë popullore në pushtet duken të dyshimta, duke pasur parasysh natyrën e gjerë dhe anti-sistem të protestave.

Në rrugën përpara zyrës së Berishës, teksa ndalova për të kontrolluar telefonin, vura re një slogan të shkruar dukshëm mbi një kosh të madh metalik:

“Revolucion, Rama burg, Berisha burg.”

Rama në burg, Berisha në burg.

Është, me një diferencë të madhe, slogani më i popullarizuar që dëgjohet në rrugët e Tiranës./ Përshtati në shqip Alfapress.al

Po ndodh...