Gjermanët kalojnë mesatarisht 22 ditë në pushim mjekësor! Qeveria planifikon masa më të ashpra

15 August 2026, 10:34 / BOTA ALFA PRESS

Gjermanët kalojnë mesatarisht 22 ditë në pushim

Punonjësit në Gjermani kaluan mesatarisht rreth 22 ditë në pushim mjekësor gjatë vitit 2024, ndërsa qeveria po shqyrton masa më të ashpra për të reduktuar mungesat në punë dhe për të rritur produktivitetin.

Qeveria e kancelarit Friedrich Merz po diskuton mundësinë e kufizimit të marrjes së raportit mjekësor përmes telefonit. Gjithashtu, punëdhënësve mund t’u jepet e drejta të kërkojnë vërtetim mjekësor që nga dita e parë e mungesës.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se masa të tilla mund të trajtojnë pasojat dhe jo shkaqet e rritjes së mungesave në vendin e punës.

Sipas të dhënave të raportuara, presioni i lartë në punë, mungesa kronike e stafit, pagat e ulëta, mundësitë e kufizuara për avancim dhe ngarkesa emocionale janë ndër faktorët që ndikojnë veçanërisht në sektorët e shëndetësisë, arsimit dhe shërbimeve sociale.

Punonjëset në sektorin e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale ishin mesatarisht 27 ditë në pushim mjekësor gjatë vitit 2024, ndërsa mësuesit rreth 24 ditë. Në sektorin financiar mesatarja ishte 18 ditë, ndërsa në komunikime 16 ditë.

Një shqetësim tjetër është rritja e mungesave për shkak të problemeve të shëndetit mendor. Numri i ditëve të pushimit mjekësor për këto arsye është rritur me 47 për qind që nga viti 2014, duke i bërë problemet psikologjike një nga shkaqet kryesore të mungesave afatgjata.

Planet e qeverisë kanë hasur në kritika nga sindikatat dhe organizatat e mjekëve. Sipas tyre, kufizimi i mundësisë për marrjen e raporteve mjekësore përmes telefonit mund të rrisë edhe më shumë ngarkesën mbi ordinancat mjekësore.

Sindikata Verdi e ka kritikuar qasjen e propozuar, duke e cilësuar si shenjë të një “kulture mosbesimi” ndaj punëtorëve.

Debati pritet të vazhdojë ndërsa qeveria gjermane kërkon mënyra për të ulur mungesat në punë, ndërsa sindikatat dhe ekspertët kërkojnë që krahas rregullave më të rrepta të trajtohen edhe kushtet e punës që po ndikojnë në shëndetin e punonjësve.

Po ndodh...