Cairo kritikon FIFA-n dhe flet për të ardhmen: Jam gati ta shes Torinon! Italia? Do të kisha zgjedhur Conten
Presidenti i KF Torinos, Urbano Cairo, ka folur gjerësisht për kombëtaren italiane, politikën në futboll, marrëdhëniet mes FIFA-s dhe UEFA-s, si edhe të ardhmen e klubit torinez. Gjatë një eventi në Versilia, ai u shpreh se interesi i të gjithëve është që Italia e futbollit të rikthehet sa më shpejt në nivelet më të larta.
“Conte do të ishte zgjedhja ime” - Duke komentuar situatën e kombëtares italiane, Cairo tha se ai do të kishte zgjedhur Antonio Conten si trajner.
"Do ta kisha zgjedhur Conten, sepse Italia ka nevojë për një shtysë të fortë që në fillim. E vlerësoj shumë, pasi ka bërë një punë të mirë edhe në drejtimin e kombëtares, pavarësisht se nuk kishte një ekip me cilësi të jashtëzakonshme, sidomos në repartin sulmues. Ishte shumë i motivuar dhe mund të ishte njeriu i duhur. Është e vërtetë që në Serie A kishte një prirje për ta mbështetur Conten, por Malagò (kreu i Federatës) vendosi ndryshe."
Ai shtoi se Nations League do të jetë një provë shumë e rëndësishme për Italinë.
"Është në interesin e të gjithëve që kombëtarja të ecë mirë menjëherë. Nations League është një kompeticion i rëndësishëm edhe për renditjen ndërkombëtare. Vijmë pas mungesës në tre Kupa Bote radhazi dhe kjo është një katastrofë."
Cairo komentoi edhe tensionet e fundit mes FIFA-s dhe UEFA-s, duke shprehur rezerva ndaj disa vendimeve të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.
"Infantino ka bërë disa gjëra të mira, si rritja e të ardhurave nga të drejtat televizive të Kupës së Botës dhe Kupës së Botës për Klube. Por disa vendime, sinqerisht, nuk i kam kuptuar."
Sipas tij, një prej tyre ishte heqja e pezullimit të Balogun. "Futbolli duhet të jetë i paprekshëm."
Presidenti i Torinos kritikoi gjithashtu idenë për t'u shitur investitorëve privatë një pjesë e të drejtave tregtare të Kupës së Botës.
"Ishte një vendim i marrë pothuajse brenda natës. Vendime të tilla duhet të diskutohen dhe të ndahen me të gjithë, jo të merren duke ndjekur një politikë personale."
Duke folur për Torinon, Cairo u shpreh i kënaqur me paraqitjet e ekipit në fazën përgatitore, por theksoi se është ende herët për të dhënë gjykime.
Ai vlerësoi trajnerin e ri Ignazio Abate. "Më pëlqen shumë. Është një trajner me ide, ambicie, dëshirë për të punuar dhe karakter."
Sa i përket merkatos, ai konfirmoi se do të ketë përforcime të tjera. "Edhe pse kam thënë se mund ta shes klubin, kjo nuk do të thotë se do të angazhohem më pak për ndërtimin e skuadrës. Përkundrazi. Nëse ky do të jetë sezoni im i fundit, dua ta mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme dhe t'i lë një skuadër të fortë kujtdo që do të vijë pas meje."
“Nëse vjen blerësi i duhur, jam gati të largohem” - Në shtator do të mbushen 21 vjet që kur Cairo mori drejtimin e Torinos.
"Kam qenë pronar i Torinos më gjatë sesa kam pasur një nga djemtë e mi, që tani është 20 vjeç. E mora klubin pas falimentit, kemi bërë gjëra të mira dhe të tjera më pak të mira. Për 15 vite kemi qenë kryesisht në pjesën e sipërme të renditjes dhe dy herë kemi luajtur në Evropë. Megjithatë, e kuptoj që tifozët duan më shumë."
Ai pranoi se do ta shiste klubin nëse do të paraqitej blerësi i duhur.
"Nëse vjen dikush që ka mundësitë financiare për ta mbajtur Torinon dhe është tifoz i klubit, jam i gatshëm ta shes. Deri tani nuk kam marrë asnjë ofertë zyrtare me shkrim. Kur të vijë, do ta shqyrtoj. Me keqardhje do të largohem, por nuk dua t'i pres krahët askujt. Do të mbetem gjithmonë tifozi i parë i Torinos."
Në fund, Cairo përjashtoi mundësinë e hyrjes në politikë.
"Mund të më pëlqente, por nuk do ta bëj. Kam përgjegjësi ndaj kompanive të mia dhe 4.500 punonjësve. Për momentin, kam ende shumë projekte të tjera për të realizuar."
Po ndodh...
Berisha plaket "kur do vetë”, por PD po jep shpirt!
ide
Kryeministri po flet me veten
Të korruptuar në mënyrë të pashërueshme!
Protesta si burimi i ri i legjitimitetit politik
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128