Pas dy vitesh rënie, ringjallet tregu i pronave/ Shitblerjet rriten me 15%, Tirana mban peshën kryesore të transaksioneve
Pas një ngadalësimi 2-vjeçar, tregu i pasurive të paluajtshme ka shënuar rikthim të aktivitetit gjatë vitit 2025. Numri i kontratave të shitblerjes së pronave është rritur, ndërsa Tirana vijon të mbajë peshën kryesore të transaksioneve në rang vendi.
Në total, në vitin 2025, sipas të dhënave të NAREA për “Monitor”, numri i kontratave të shitblerjes së pasurive të paluajtshme të regjistruara në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) arriti në 36,027.
Krahasuar me vitin 2024, numri i tyre u rrit me 15%. Rritje është shënuar edhe për tregun e Tiranës. Në vitin 2025, numri i transaksioneve të shitblerjes së pronave u rrit me 9% në raport me 2024.
Në vitin 2025 shitjet e pronave në Tiranë përbënë rreth 37% të kontratave të shitblerjes në të gjithë vendin.
Të dhënat për 6 vitet e fundit tregojnë se tregu i shitblerjes së pasurive të paluajtshme ka hyrë në disa faza. Në vitin 2020 në total në të gjithë vendin u regjistruan 22,986 transaksione, ndërsa në vitin 2021 numri u rrit në 33,156. Për vitin 2021 krahasuar me vitin paraardhës numri i transaksioneve u rrit me 44%.
Rritja vijoi edhe në vitin 2022, kur tregu arriti nivelin më të lartë me 37,900 transaksione.
Pas këtij niveli, aktiviteti i shitblerjes për pasuritë e paluajtshme shënoi rënie. Për 2023 numri i kontratave të regjistruara në ASHK ra me 6% krahasuar me vitin e mëparshëm. Ngadalësimi vijoi edhe përgjatë vitit 2024 me rënie të totalit të kontratave me 13% krahasuar me vitin 2023.
Situata paraqitet e ngjashme edhe për tregun e Tiranës. Në 2023 kur nisi rënia e totalit të numrit të transaksioneve të shitblerjes së pronave, në kryeqytet numri i tyre ra me 12% krahasuar me 2022.
Rënia vijoi edhe gjatë 2024 në Tiranë, ku numri i kontratave të regjistruara në ASHK ra me 20% krahasuar me 2023.
Për ekspertët, tregu i shitjes së pasurive të paluajtshme është më i lartë sesa numri i kontratave të shitblerjes së pronave të ASHK, pasi pjesa dërrmuese e pronave në Tiranë shiten me kontrata porosie në fazat e fillimit të ndërtimit.
Në këto raste, blerësi lidh një kontratë porosie me ndërtuesin dhe kryen pagesa me disa këste përpara se objekti të përfundojë dhe përpara se të pajiset me certifikatën e pronësisë.
Në disa raste, sipas noterëve, blerësit kanë paguar edhe 100% të vlerës së apartamentit përpara përfundimit të ndërtimit dhe pajisjes së tij me certifikatë pronësie.
Pavarësisht detyrimit ligjor, jo të gjithë porositësit i regjistrojnë kontratat e porosisë në Kadastër, çka krijon pasiguri për shitjet e dyfishta të pronave.
Noterët shpjegojnë se i pari që ka detyrimin ligjor që të regjistrojë lejen e ndërtimit në kadastër është sipërmarrësi.
Më pas porositësi i apartamentit apo blerësi është i detyruar ta regjistrojë nëpërmjet noterit në kadastër pronën e porositur. Në rast vonese në regjistrim penaliteti arrin 500 lekë në ditë në rast vonesë në regjistrim.
“Çdo kontratë porosie duhet të regjistrohet në Kadastër, në mënyrë që të shmanget mundësia e lidhjes së më shumë se një kontrate porosie për të njëjtën pronë, siç ka ndodhur në të kaluarën kur një regjistrim i tillë nuk ishte i detyrueshëm”, pohon noteri Fatmir Laçej. / D.Azo

Nga Revista Monitor
Po ndodh...
Berisha plaket "kur do vetë”, por PD po jep shpirt!
ide
Kryeministri po flet me veten
Të korruptuar në mënyrë të pashërueshme!
Protesta si burimi i ri i legjitimitetit politik
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128