“Lufta për miliardat e Kupës së Botës”/ UEFA përgatit betejë ligjore ndaj FIFA-s dhe Infantinos pas projektit të dështuar

Konflikti mes UEFA-s dhe FIFA-s ka hyrë në një fazë të re, pasi institucioni që drejton futbollin europian po shqyrton mundësinë e nisjes së procedurave ligjore ndaj FIFA-s dhe presidentit të saj, Gianni Infantino.
Sipas raportimeve të mediave britanike, UEFA i ka dërguar një letër zyrtare Infantinos ku paralajmëron se po vlerëson mundësinë e një padie, arbitrazhi ose ankese rregullatore lidhur me projektin e braktisur për shitjen e një pjese të të drejtave tregtare të Kupës së Botës tek investitorë privatë.
Projekti i FIFA-s parashikonte krijimin e një strukture të re financiare për menaxhimin e të drejtave tregtare të kompeticioneve, përfshirë edhe Kupën e Botës. Ideja për shitjen e një pjese të aksioneve të turneut më të madh të futbollit solli reagime të forta nga UEFA, konfederata të tjera dhe sponsorë, duke detyruar FIFA-n të tërhiqej nga plani.
Në letrën drejtuar Infantinos, UEFA kërkon ruajtjen e të gjitha dokumenteve dhe komunikimeve elektronike që lidhen me këtë projekt. Institucioni europian paralajmëron se fshirja ose humbja e materialeve që mund të shërbejnë si prova mund të sjellë pasoja ligjore.
Në proceset e mundshme mund të përfshihen jo vetëm FIFA dhe Infantino, por edhe disa investitorë dhe institucione financiare të lidhura me projektin, mes tyre Joshua Kushner, Greg Maffei, JP Morgan dhe OpenEconomics.
Përplasja mes dy institucioneve më të fuqishme të futbollit është thelluar prej kohësh, ndërsa raportimet për përplasjet mes presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, dhe Infantinos kanë shtuar tensionet.
UEFA kishte paralajmëruar më herët se federatat europiane mund të bojkotonin kompeticionet e FIFA-s nëse projekti do të miratohej. Edhe pse FIFA e ka tërhequr propozimin, UEFA nuk ka hequr dorë nga mundësia e ndjekjes së rrugës ligjore.
Sipas dokumentit të dërguar nga UEFA, FIFA-s i është lënë një afat prej pesë ditësh pune për të konfirmuar ruajtjen e të gjitha provave dhe materialeve që lidhen me projektin.
Po ndodh...
Berisha plaket "kur do vetë”, por PD po jep shpirt!
ide
Kryeministri po flet me veten
Të korruptuar në mënyrë të pashërueshme!
Protesta si burimi i ri i legjitimitetit politik
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128