Shqiptarët nuk heqin dorë nga cash-i, paraja në qarkullim kalon 5.4 miliardë euro

2 August 2026, 18:24 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Pagesat me para në dorë vijojnë të dominojnë në Shqipëri, pavarësisht shtimit të përdorimit të kartave bankare dhe formave të tjera elektronike të pagesës.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në muajin qershor 2026 vlera e parasë në qarkullim jashtë sistemit bankar ka kaluar për herë të parë pragun e 5 miliardë eurove.

Konkretisht, në qarkullim kanë qenë 5 miliardë e 415 milionë euro, ose 683 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, niveli i lartë i parasë fizike në ekonomi tregon se cash-i vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në transaksionet e përditshme. Të dhënat historike tregojnë se gjatë 10 viteve të fundit, sasia e parasë që qarkullon jashtë bankave është më shumë se dyfishuar.

Për të frenuar përdorimin e cash-it dhe për të nxitur pagesat elektronike, këtë vit kanë hyrë në fuqi kufizime të reja. Qytetarët nuk mund të kryejnë blerje me vlerë mbi 5 mijë euro në para fizike, ndërsa për bizneset kufiri është ulur në 1 mijë euro.

Gjithashtu, strukturat akomoduese, institucionet publike dhe sektori i transportit janë të detyruara të ofrojnë edhe mundësinë e pagesës me kartë.

Ekspertët vlerësojnë se qarkullimi i lartë i cash-it krijon hapësira për evazion fiskal dhe informalitet, pasi është më i vështirë për t’u monitoruar. Megjithatë, gjatë sezonit veror, rritja e parasë fizike lidhet edhe me fluksin e turistëve dhe remitancat që hyjnë në vend në formë cash.

Po ndodh...

ide