"Djegia e teserave turp"/ Rama mohon përçarjen, ndërsa Reforma Territoriale sjell përplasje brenda PS-së

2 August 2026, 15:42 / POLITIKË ALFA PRESS
"Djegia e teserave turp"/ Rama mohon përçarjen,

Për herë të parë pas valës së reagimeve ndaj draftit të Reformës së re Territoriale, kryeministri Edi Rama ka dalë publikisht në mbrojtje të projektit, duke mohuar se kundërshtitë e shfaqura përbëjnë shenjë përçarjeje brenda Partisë Socialiste.

Megjithatë, debati për reformën vijon të thellohet. Kundërshtimet nuk kanë ardhur vetëm nga opozita apo qytetarët, por edhe nga drejtues vendorë dhe zëra brenda vetë mazhorancës, të cilët kanë shprehur hapur rezervat për ndarjen e re administrative të propozuar nga qeveria.

Në një reagim në rrjetet sociale, Rama i cilësoi normale qëndrimet kundër draftit, duke kujtuar se ai ndodhet në fazën 60-ditore të konsultimit publik. Sipas tij, çdo bashki, institucion apo qytetar ka të drejtë të japë opinionin e vet, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret vetëm pas përfundimit të këtij procesi në Kuvend.

Kryeministri reagoi edhe ndaj djegies së teserave të Partisë Socialiste në Poliçan, duke e cilësuar atë një akt të turpshëm dhe të papranueshëm.

Ky është reagimi i plotë:

“Vazhdon qarja e hallit të kalorësit se po i varen këmbët, së fundi edhe me një agjitim të madh nga vajtorët e vajtojcat, që tanimë po protestohet edhe “brenda PS” dhe kjo qenka një shenjë tmerrsisht e keqe për “regjimin”.

Në fakt jo, përjashto aktin e turpshëm të djegies së teserave të PS në një rast, nga disa individë që as vetë s’kanë ditur tamam ç’kanë bërë apo ndonjë rast kur deputetë tanët kanë bërë “tribunin e vegjëlisë” pa ditur tamam çfarë thonë, gjithçka tjetër është jo vetëm normale po edhe e mirëseardhur.

Një, sepse dokumenti i reformës së propozuar është pikërisht në fazën e vet të konsultimit publik ligjor prej 60 ditësh dhe kjo fazë do të thotë pikërisht, bujrum gjithkush të shprehet lirisht për propozimin.

Dy, sepse sipas ligjit kryetarët e bashkive e këshillat bashkiakë duhet të shprehen me shkrim për qëndrimet e tyre dhe është krejt e kuptueshme që ata që janë kundër të shprehen edhe me forma të tjera paqësore – për sa kohë nuk bllokojnë rrugë e nuk pengojnë të tjerët të bëjnë jetën e tyre, duke u futur vetë në konflikt me ligjin dhe me PS bashkë.

Tre, sepse as në Shqipëri nuk ka regjim, as në PS nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë vendim për të shkurajuar askënd që të shprehë opinionin e vet për këtë reformë, për të cilën sigurisht do të vendosë parlamenti, por deri atëherë të gjithë do të dëgjohen, përfshirë edhe bashkitë që mund të duan të integrojnë tek vetja bashki më të vogla që në propozimin aktual mbeten siç janë.

Nga ana tjetër të gjithë do të informohen shumë më tepër përgjatë këtyre 60 ditëve lidhur me arsyet logjike të propozimeve – ku nuk ka pasur si të merren parasysh reputacioni i zonës bashkiake që nga koha e antikitetit, numri i të rënëve në luftrat e 2000 vjetëve të fundit apo të tjera të dhëna e gojëdhana të kësaj natyre, të cilat s’kanë qenë dhe s’mund të jenë farë argumenta në këtë debat.

Po ndodh...

ide