Emigracioni që po sfidon Spanjën, BBC: Pyetja e madhe e Europës, valë spontane apo lojë gjeopolitike?
Shumica e dhjetëra mijëra emigrantëve që hynë me not në enklavën spanjolle të Ceutës të enjten janë kthyer tashmë në Marok, të shoqëruar deri në kufi nga ushtarë dhe policë spanjollë.
Por vala e pazakontë e mbërritjeve ka lënë pas një bilanc tragjik: të paktën 72 persona kanë humbur jetën. Trupat e tyre janë nxjerrë nga deti, ku lundronin mes gomave të notit dhe pendëve të zhytjes të braktisura.
Ngjarjet e kësaj jave kanë tronditur edhe politikisht Europën, duke nxjerrë sërish në pah përçarjet mes vendeve anëtare për çështjen e ndjeshme të emigracionit.
Njëkohësisht, kanë lindur edhe pikëpyetje të mëdha mbi atë që e shkaktoi këtë fluks të papritur: a ishte thjesht një valë postimesh virale në rrjetet sociale që premtonin një rrugë të lehtë drejt Europës, apo gjithçka ishte organizuar me qëllim?
Pavarësisht shkakut, kryeministri socialist i Spanjës, Pedro Sanchez, është shprehur i zemëruar me reagimin e disa vendeve europiane.
Ai ka akuzuar disa partnerë të Bashkimit Europian se, në vend që të mbështesnin Spanjën gjatë krizës, zgjodhën ta sulmonin politikisht.
Shënjestra kryesore ishte Italia. Partia e ekstremit të djathtë Fratelli d’Italia, e kryeministres Giorgia Meloni, publikoi menjëherë pamje të emigrantëve që vraponin në rrugët e Ceutës.
"Ky është modeli i Sanchez-it që e majta italiane e pëlqen aq shumë", shkruhej në postim.
Më pas, Meloni njoftoi pezullimin e marrëveshjes Schengen mes Italisë dhe Spanjës, e cila lejon lëvizjen e lirë të njerëzve, duke argumentuar se ekzistonte një kërcënim për sigurinë.
Ky vendim ka zemëruar Madridin. Sipas autoriteteve spanjolle, kriza tashmë ishte vënë nën kontroll dhe Ceuta nuk është pjesë e zonës Schengen. Për këtë arsye, emigrantët marokenë nuk do të kishin mundësi të kalonin pa kontroll drejt pjesës tjetër të Europës.
Sipas qeverisë spanjolle, Meloni e di këtë, por përballet me zgjedhje vitin e ardhshëm dhe koalicioni i saj po humbet mbështetje përballë një partie të re edhe më radikale kundër emigracionit. Për këtë arsye, ajo shfrytëzoi situatën për të treguar një qëndrim të ashpër dhe për të fituar vota.
Megjithatë, Italia nuk është i vetmi vend që e konsideron Spanjën tepër tolerante ndaj emigracionit. Thirrja e Melonit për një mbledhje urgjente të ministrave të Brendshëm të BE-së, që do të zhvillohet të martën, është mbështetur nga pothuajse dy duzina liderësh europianë.
Ata kërkojnë eliminimin e çdo politike që mund të shërbejë si "faktor tërheqës" për emigrantët drejt Europës. Në qendër të kritikave është vendimi i Spanjës për t'u dhënë mundësi qindra mijëra emigrantëve pa dokumente të aplikojnë për leje qëndrimi dhe pune, duke legalizuar statusin e tyre.
Qeveria spanjolle argumenton se vendi po përballet me plakjen e popullsisë dhe ka nevojë për fuqi punëtore. Megjithatë, emigrantët që mbërritën këtë javë në plazhet e Ceutës nuk kishin ardhur për të përfituar nga ky program, i cili tashmë ishte mbyllur.
Pedro Sanchez beson se shkaku kryesor ishte një vendim i fundit i Gjykatës së Lartë të Spanjës, sipas të cilit personat që hyjnë në vend nga deti nuk mund të kthehen menjëherë mbrapsht. Sipas tij, trafikantët e kanë keqinterpretuar këtë vendim, duke u premtuar emigrantëve një hyrje të lehtë drejt Europës.
Megjithatë, turma që u nis drejt Ceutës nuk kishte nevojë të paguante trafikantët, pasi shumica ishin shtetas marokenë dhe rruga ishte e njohur prej kohësh.
Emigrantët u kanë treguar gazetarëve postime ku dëgjoheshin njerëz që bërtisnin "Spanja është e hapur", ndërsa hidhnin veten në det.
Edhe verifikimet e gazetarëve kanë zbuluar dhjetëra llogari që publikonin video të të rinjve me kostume zhytjeje dhe pendë noti, ose që filmonin veten duke notuar drejt Ceutës. Mes tyre kishte edhe pamje nga vetë qyteti.
Disa prej këtyre llogarive ishin krijuar vetëm pak javë më parë dhe kishin mbledhur dhjetëra mijëra pëlqime.
Por të gjitha premtimet rezultuan të rreme. Ata që arritën në bregun e Ceutës dhe festuan me gëzim u përballën me një realitet krejt tjetër: nuk kishte ushqim, strehim dhe asnjë mundësi për të vazhduar drejt Europës kontinentale. Shumica u detyruan të ktheheshin shpejt në Marok.
Ngjarja ka ngritur edhe një pyetje tjetër: a u përdorën emigrantët si mjet presioni politik, ashtu siç ndodhi disa vite më parë në kufirin mes Bjellorusisë dhe Bashkimit Europian?
Për momentin, sipas analistëve, janë vetëm disa aktorë politikë që po përfitojnë nga situata. Gazetari Andrea Rizzi, në të përditshmen spanjolle El Pais, shkroi se e djathta globale "po feston me entuziazëm" zhvillimet.
Presidenti amerikan Donald Trump, i zemëruar me Spanjën për kundërshtimin ndaj luftës së tij me Iranin, e ka cilësuar situatën një "katastrofë" dhe një "pushtim". Edhe ai përballet me zgjedhje.
Edhe Rusia, sipas analizës, ka reaguar me kënaqësi, pasi përfiton nga kaosi dhe përçarjet brenda Europës, të cilat dobësojnë mbështetjen për Ukrainën. Nga ana tjetër, Maroku fajëson "organizatat kriminale", megjithëse lind pyetja se si rojet kufitare nuk e vunë re grumbullimin e mijëra njerëzve pranë kufirit.
Herën e fundit që ndodhi një incident i ngjashëm, megjithëse në përmasa më të vogla, Spanja dhe Maroku ishin në konflikt për çështjen e Saharasë Perëndimore. Edhe tani ekzistojnë tensione të reja mes dy vendeve.
Megjithatë, Pedro Sanchez ka refuzuar të fajësojë Marokun, duke e quajtur Rabatin një "aleat të mirë".
Kritikët e tij e konsiderojnë këtë një politikë pajtimi dhe kërkojnë që qeveria spanjolle të mbajë një qëndrim shumë më të ashpër.
Ndërkohë, Spanja po përqendrohet në forcimin e sigurisë në Ceuta për të shmangur incidente të tjera. Autoritetet po zgjasin gardhin kufitar edhe në det, duke vendosur një linjë të gjatë me bova portokalli pranë molit, ndërsa anije patrulluese do të monitorojnë zonën për të penguar kalime të reja me not.
Javën e ardhshme ministrat e Brendshëm të Bashkimit Europian do të diskutojnë forcimin e kufijve të jashtëm të unionit, ndërsa partitë populiste të djathta ndihen të inkurajuara nga zhvillimet e fundit.
Ndërkohë, udhëtarët që lëvizin nga Spanja drejt Italisë do t'i nënshtrohen për disa javë kontrolleve të rastësishme të dokumenteve nga policia.
Pra, për shumicën e europianëve nuk ka ndryshime të mëdha. Por për dhjetëra të rinjtë që u hodhën në det duke ndjekur një ëndërr të krijuar nga videot në internet, fundi ishte tragjik. Ata po kthehen në Marok jo me shpresën për një jetë të re në Europë, por brenda arkivoleve.
Po ndodh...
Berisha plaket "kur do vetë”, por PD po jep shpirt!
ide
Të korruptuar në mënyrë të pashërueshme!
Protesta si burimi i ri i legjitimitetit politik
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128