Ia dha Jet Ski-n me qira një 12-vjeçari, gjobitet pronari i mjetit lundrues në Dhërmi

2 August 2026, 18:40 / AKTUALITET ALFA PRESS
Ia dha Jet Ski-n me qira një 12-vjeçari, gjobitet pronari i mjetit

Pronari i një mjeti lundrues tip Jet Ski është gjobitur me 10 mijë lekë të rinj, ndërsa mjeti i është bllokuar, pasi ia kishte dhënë me qira një 12-vjeçari.

Rasti u konstatua nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare gjatë kontrolleve të zhvilluara përballë plazhit të Dhërmiut.

Sipas Policisë, efektivët ndaluan mjetin lundrues dhe gjatë verifikimeve rezultoi se ai drejtohej nga një 12-vjeçar. Po ashtu, u konstatua se Jet Ski nuk kishte në bord dokumentacionin e detyrueshëm.

Për këto shkelje, pronari i mjetit, shtetasi me iniciale M. Xh., u ndëshkua me masë administrative prej 10 mijë lekësh të rinj, ndërsa mjeti lundrues u bllokua.

Policia Kufitare u bën apel qytetarëve dhe subjekteve që japin me qira mjete lundruese të mos ua besojnë ato të miturve ose personave që nuk plotësojnë kushtet ligjore për drejtimin e tyre, pasi një veprim i tillë rrezikon jetën e drejtuesve dhe sigurinë e pushuesve.

Ndërkohë, kontrollet në të gjithë vijën bregdetare do të vijojnë me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë në hapësirat detare, si dhe zbatimin e rregullave të lundrimit.

Po ndodh...

ide