Vrasja me breshëri plumbash e Edmond Sulës, arrestohet 44-vjeçari, dyshohet për konflikt pronësie

3 August 2026, 09:51 / AKTUALITET ALFA PRESS
Vrasja me breshëri plumbash e Edmond Sulës, arrestohet

Vrasja e Edmond Sulës, i cili u ekzekutua me breshëri plumbash në derën e shtëpisë së tij, pak pas mesnatës së 12 korrikut, sot e kësaj dite është në qendër të vëmendjes nga blutë e Tiranës të cilët po zhvillojnë kërkime për gjetjen e autorit të ngjarjes.

Pak ditë pasi blutë morën aprovimin e Gjykatës së Tiranës për të ushtruar kontrolle në banesa në Bërxullë, mësohet së është vënë në pranga një person si autor i dyshuar i vrasjes së Sulës.

Sipas burime të Vna.al mësohet se është kontrolluar banesa e shtetasit J. Koni. Raportohet se viktima dhe 44-vjeçari ishin në konflikt për prona, që është dhe një nga pistat kryesore të hetimit.

Policia e Tiranës, gjatë kontrolleve fizike në banesën e shtetasit të sipërpërmendur thuhet se ka gjetur një armë zjarri pistoletë. Për pasojë është vënë në pranga Koni, i cili për momentin po mbahet në paraburgim për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Ndërsa bëhet me dije se ai po hetohet nëse ka pasur “gisht” në vrasjen e Edmond Sulës.

Siç kemi raportuar dhe më parë, viktima Edmond Sula rezulton se ka qenë më herët i arrestuar në kuadër të hetimeve për vrasjen e teknikut të kondicionerëve, Indrit Çelaj ngjarje e rëndë e ndodhur më 22 gusht 2019 në rrugën "Myslym Shyri" në Tiranë.

Edmond Sula ishte shok i ngushtë i vëllezërve Albano dhe Bujar Kusi, në pronën e të cilëve ndodhi vrasja e Indrit Çelajt.

Në atë kohë, Sula u arrestua nën dyshimet për veprat penale "Vrasje me dashje në bashkëpunim", "Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve" si dhe "Përkrahje e autorit të krimit", duke u akuzuar se kishte ndihmuar Albano Kusin pas ngjarjes. Megjithatë, pavarësisht akuzave të rënda ai arriti të lirohej nga burgu.

Bashkë me Edmond Sulën u arrestuan edhe Ferdinand Bakalli dhe Luan Çakaj, të akuzuar për veprat penale "Moskallëzim krimi" dhe "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës". Më pas në vijim të hetimeve në pranga ranë edhe Griseldo Kusi, Lorenc Veliaj dhe Bujar Kusi.

Ndërkohë, Albano Kusi vijon të jetë në kërkim, edhe pse ndaj tij ekziston një vendim dënimi i formës së prerë nga Gjykata e Apelit të Tiranës.

Vrasja e Indrit Çelajt tronditi opinionin publik në verën e vitit 2019. Sipas hetimeve tekniku i kondicionerëve kishte shkuar në biznesin e Bujar Kusit për të instaluar një sistem kondicionimi, kur pas një konflikti të çastit për rrjedhjen e ujit nga tubi i kondicionerit, situata degradoi në përdorimin e armës.

Ishte Griseldo Kusi ai që e qëlloi Indrit Çelajn me armë zjarri në kokë, duke i shkaktuar vdekjen në vend. Për këtë ngjarje, Gjykata e Tiranës dënoi Griseldo Kusin me 12 vite burg, ndërsa vëllai i tij, Albano Kusi, u dënua me 2 vite burg. Ky i fundit vijon ende të jetë në kërkim nga autoritetet.

Po ndodh...

ide