Dëmtimi që mori me kombëtaren, te Trabzonspor të shqetësuar për gjendjen e Muçit

17 November 2026, 11:27 / SPORT ALFA PRESS

Dëmtimi që mori me kombëtaren, te Trabzonspor të

Me Maran në stol, Ernest Muçi është vendosur në qendër të projektit tek ekipi përfaqësues. Ylli kuqezi realizoi një super gol ndaj Finlandës, një perlë e vërtetë, që hapi rrugë suksesit 2-0. Për fat të keq, Muçi pësoi një dëmtim, në dukje i rendë, duke bërë që në sfidën e fundit në Grupin C1, atë ndaj Bjellorusisë, ta ndiqte nga tribuna.

Për gjendjen e Muçit tani shqetësohen në radhët e Trabzonspor, pasi trajneri dhe drejtuesit e klubit janë në ankth për të kuptuar shkallën e vërtetë të dëmtimit. Sipas mediave në Turqi, Muçi do t’i nënshtrohet vizitave më të detajuara pasi të zbarkojë në Trabzon.

Sipas gazetarit turk, Tuncel, i cili mbulon nga pranë ekipin e Trabzonspor, prezenca e Muçit në sfidën e radhës, atë kundër Eyupspor më 22 nëntor, është në dyshim, pasi fillimisht pritet konfirmimi zyrtar nga stafi mjekësor i klubit.

Lajmi i mirë për Trabzonspor, i theksuar edhe nga gazetari turk, është fakti që Maran dhe stafi i FSHF-së, morën një masë paraprake, nuk rrezikuan ndaj Bjellorusisë duke mos e përfshirë në grupin e lojtarëve. Dëmtimi i Muçit shqetëson shumë stafin e Trabzonspor pasi bëhet fjalë për një titullar fiks, një nga pikat kryesore të ekipit. Në 11 javë në Turqi, Muçi ka shënuar 3 gola dhe ka dhuruar 6 assiste.

Po ndodh...