Dita e 14-të e protestave/ Kreu i Sindikatës së Universiteteve: Pedagogët çdo ditë në krah të studentëve!

26 October 2026, 16:40 / AKTUALITET ALFA PRESS

Dita e 14-të e protestave/ Kreu i Sindikatës së Universiteteve:

Kreu i Sindikatës së Universiteteve, Aleksandër Kovaçi, ka konfirmuar mbështetjen e pedagogëve për protestat studentore, të cilat kanë hyrë sot në ditën e 14-të radhazi.

Duke folur për mikrofonin e News24 nga protesta përpara Ministrisë së Arsimit, Kovaçi deklaroi se bojkoti i mësimit është vullnetar, ndërsa theksoi se pjesëmarrja e studentëve në auditore është e pamjaftueshme për zhvillimin normal të procesit mësimor.

“Bojkoti është vullnetar dhe nuk besoj se ka studentë mjaftueshëm nëpër salla për të zhvilluar mësim”, u shpreh ai.

Kovaçi theksoi se studentët kanë hyrë në një fazë të re organizimi, duke ngritur forume për të koordinuar më tej lëvizjen e tyre.

“Studentët tani janë në një fazë tjetër për t’u organizuar në forume. Ne jemi në mbështetjen e tyre për të ndihmuar se si mund të kalohet kjo situatë”, deklaroi kreu i Sindikatës së Universiteteve.

Ai sqaroi se pedagogët kishin vendosur të mos zhvillonin takimin e tyre të planifikuar në orën 10:00, për të mos zhvendosur vëmendjen nga protesta studentore.

“Ne nuk e kemi bërë takimin tonë në orën 10:00 që të mos shpërqendrohet vëmendja nga studentët”, tha Kovaçi.

Në përfundim, ai konfirmoi se pedagogët do të vijojnë të jenë të pranishëm çdo ditë në protestë, duke ndjekur organizimin dhe thirrjet e studentëve.

“Do të jemi çdo ditë këtu në orën 14:00, sipas asaj që kanë thirrur studentët. Ne jemi aty ku do të jenë studentët”, përfundoi Kovaçi.

Po ndodh...