E kaluara nuk e lë të qetë, pas magjisë kundër Galatasaray-t, vjen dënimi i papritur për Salah

21 September 2026, 15:58 / SPORT ALFA PRESS

Mohamed Salah shënoi tregolëshin e tij të parë të sezonit në fitoren e thellë 4-0 të Trabzonsporit kundër Galatasaray-t në Superligën Turke.

Galatasaray e kishte nisur sezonin pa humbje, por u dominua totalisht teksa Salah dhuroi një paraqitje individuale mahnitëse, duke shënuar tre gola dhe duke asistuar një tjetër.

Ka qenë një fillim sezoni me luhatje për Trabzonsporin, që vinte në këtë ndeshje me dy fitore, një barazim dhe dy humbje në pesë javët e para të kampionatit. Por ashtu siç bënte te Liverpool-i, “Mbreti Egjiptian” vazhdon të jetë pika e referimit për golat, dhe tregolëshi i tij kundër Galatasaray-t e çon në kuotën e shtatë golave në gjashtë paraqitje në kampionat me klubin e tij të ri.

Me sa duket, Salah po vazhdon në Turqi aty ku e la në Angli, duke gjetur rrugën e rrjetës me atë lloj rregullsie me të cilën tifozët e Liverpool-it u mësuan gjatë nëntë viteve të tij në “Anfield”.

Ndërsa gjërat duket se po shkojnë në mënyrë perfekte në fushën e blertë, Salah ka marrë një lajm jo të mirë jashtë futbollit, që lidhet pikërisht me kohën e tij në Angli. The Sun raporton se Mohamed Salah i është hequr e drejta e drejtimit të automjetit për gjashtë muaj, pasi një “Rolls-Royce” i regjistruar në emër të tij u kap duke tejkaluar shpejtësinë në Wilmslow, Cheshire.

Dokumentet e gjykatës tregojnë se automjeti u regjistrua duke udhëtuar me 36 milje në orë (rreth 58 km/h) në një zonë me kufizim 30 milje në orë (rreth 48 km/h) më 27 mars, me Salah që më pas refuzoi t’i jepte policisë identitetin e personit që drejtonte mjetin. Koha e incidentit është veçanërisht e rëndësishme, pasi ndodhi vetëm tri ditë pasi Liverpool-i njoftoi se Salah do të largohej nga klubi në fund të sezonit 2025/26.

Sipas dokumenteve të gjykatës, reprezentuesi egjiptian nuk iu përgjigj njoftimit të prokurorisë të ngritur nga Policia e Cheshire dhe nuk bëri asnjë deklaratë mbrojtëse. Më pas, Salah u ndoq penalisht në Gjykatën e Warrington dhe u shpall fajtor për mosdhënie të informacionit në lidhje me identifikimin e shoferit.

34-vjeçarit iu hoq patenta për gjashtë muaj dhe u urdhërua të paguajë një gjobë prej 1,044 paundësh. Dënimi lidhet me faktin që Salah nuk identifikoi shoferin dhe jo me vetë shkeljen e shpejtësisë, pasi dokumentet e gjykatës nuk vërtetojnë që ish-sulmuesi i Liverpool-it të ishte pas timonit në atë moment. Për Salah-un, vëmendja tani do të kthehet sërish te çështjet e fushës, pas një fundjave të paharrueshme për klubin e tij të ri. Mohamed Salah do të zbresë sërish në fushë të premten, kur Egjipti do të përballet me Angolën në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Kombeve të Afrikës.

Po ndodh...

ide