"E kujtoj çdo ditë"/ Vrasja e Martin Canit, Rama: Ata që e përdorën për politikë e harruan

16 July 2026, 15:42 / POLITIKË ALFA PRESS

Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës në Qendrën e Komandës dhe Kontrollit të projektit “Smart City”, rikujtoi ngjarjen tragjike pranë shkollës “Fan Noli”, ku humbi jetën adoleshenti Martin Cani.

Rama u shpreh se ndryshe nga ata që sipas tij e përdorën atë tragjedi për qëllime politike dhe më pas e harruan, ai e kujton çdo ditë përmes punës për zbatimin e një projekti që synon të rrisë sigurinë e nxënësve në shkolla.

Kreu i qeverisë theksoi se komponenti “Siguria në Shkolla”, pjesë e projektit “Smart City”, është përgjigjja institucionale ndaj asaj ngjarjeje, duke synuar parandalimin e rasteve të ngjashme përmes teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.

Ai bëri të ditur se projekti ka nisur me 20 shkollat e para të përzgjedhura dhe synon krijimin e një sistemi modern monitorimi, për t'u garantuar nxënësve një mjedis sa më të sigurt.

“Unë nuk e kam harruar, siç e kanë harruar të gjithë ata që e përdorën dhe e keqpërdorën atë tragjedi. E kujtoj çdo ditë duke ndjekur këtë projekt, që është përgjigjja jonë”, u shpreh Rama ndër të tjera.

Deklarata e Ramës:

Sot, të gjithë e kanë harruar vrasjen tragjike e cila tronditi mbarë vendin dhe krijoi një situatë me versione të ndryshme të ngjarjes, me politizimin ekstrem të vdekjes dhe me gazetarinë e gjakut. Ne ndërkohë që Policia e Shtetit dhe, natyrisht, përmes Policisë së Shtetit, Ministria e Arsimit, qeveria, u vunë në shënjestër të gjithfarë lloj spekulimesh, akuzash, sajesash dhe fabrikimesh të cilat zgjatën jo pak dhe torturuan jo pak familjarët, por edhe të gjithë opinionin publik.

Unë nuk e kam harruar siç e kanë harruar të gjithë ata që e përdorën e keqpërdorën, abuzuan deri në fund atë tragjedi, sepse e kujtoj përditë duke ndjekur pikërisht këtë projekt që është përgjigjja ime dhe përgjigjja jonë ndaj asaj tragjedie.

Një shtet nuk matet dot me çdo gjë që ndodh, sepse edhe në shtetet më të zhvilluara, me tradita më të konsoliduara institucionale, me sisteme më të sofistikuara administrative, me historitë më të gjata të formimit të kulturës shtetërore, ka raste që ndodhin gjëra që trondisin mbarë opinionin publik.

Por një shtet ama matet me se si reagon ndaj çdo gjëje që ndodh dhe reagimi ynë në këtë rast është një reagim sistemik, i cili edhe në nderim të kujtimit të një viktime të pafajshme dhe të panevojshme do të mundësojë që shumë fëmijë, të cilët mund të jenë potencialisht të rrezikuar, të mos kenë asnjë pasojë, pikërisht sepse ky reagim sistemik do të lërë pas një mekanizëm të sofistikuar teknologjik që do të harmonizojë të gjitha përpjekjet e njerëzve të institucioneve me aftësitë e pakonkurrueshme të IA dhe kësisoj do të mundësojë që parandalimi të ngrihet në një nivel tjetër.

Sot ne kemi nisur pikërisht me zemrën e projektit që është "Siguria në shkolla". Me 20 shkollat e para që janë përzgjedhur nga dendësia e numrit të nxënësve, për nga dendësia e popullsisë përreth, veprimtarive rreth e rrotull dhe patjetër edhe për nga domosdoshmëria që, duke e testuar modelin në këto shkolla, ne të nxjerrim të gjitha konkluzionet për të vazhduar me fazat e tjera.

Besoj që sot të gjithë prindërit që kanë fëmijët në shkolla duhet të ndjehen mirë për faktin që qeveria, ndryshe nga si përshkruhet në të përditshmen e jetës së kanaleve sociale dhe në të përditshmen e jetës pa një minutë gjumë të algoritmit, është një trup që thotë dhe bën atë që thotë.

Po ndodh...

ide