Faturat që po paguajnë “gomarët” e Berisha-Metajt!

24 Prill 2023, 14:24 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Faturat që po paguajnë “gomarët” e Berisha-Metajt!

Ilir Metaj këtë të hënë kur gazetarët e pyetën për sondazhet të cilat e nxjerrin koalicionin e tij dhe të Berishës humbës dhe në diferencë të thellë, “u tërbua”, duke akuzuar mediet në bllok se këtë punë e bëjnë duke u paguar nga paratë e mafies.

Është e vërtetë që mafia politiko-oligarkike dhe mediatike është përfshirë fortë në këto zgjedhje, fundja siç ka bërë gjithmonë. Por Metaj me Berishën do të bënin mirë që ta zbërthenin këtë mafie elektorale me emra eksponentësh të krimit të organizuar, të oligarkëve kryesorë, pronarëve të medieve, analistëve që i shërbejnë dhe në fund fare, të tregonin burimin e financave të mëdha që po hidhen në këtë fushatë.

Nuk e bëjnë sepse po ti shohësh, jo në përgjithësi por konkretisht, i kanë bashkë me Edi Ramën, Erion Veliajn dhe kandidatët e PS nëpër Shqipëri.

Duket qartë se ende pa u futur fushata në fazën e saj më të nxehtë, kandidatët e primareve dhe të “Bashkë Fitojmë”, kanë nisur që të paguajnë faturat e dyshes Berisha-Metaj. Edi Rama e ka kapur me kohë këtë dhe e ka kthyer fushatën në gjithë Shqipërinë sikur për kryetar bashkie në të gjithë vendin, kandidojnë Sali Berisha dhe Ilir Metaj.

Çështja është se edhe Edi Rama me kandidatët e tij kanë fatura të shumta për të paguar për 10 vitet  e një qeverisje nga më të korruptuarat në historinë pluraliste të Shqipërisë dhe posaçërisht për këto zgjedhje të pushtetit lokal, të cilin edhe pse e patën monist, sërish më shumë se sa punë bënë para për veten, bizneset dhe organizatat kriminale që kanë nën sqetull.

Por ata janë në pushtet dhe kanë “edhe gurin edhe arën”, në këtë përballje elektorale. Kurse opozita do të duhej që ti luftonte pikërisht me të kundërtën e korrupsionit dhe lidhjet me oligarkët dhe organizatat kriminale. Jo vetëm që koalicioni Berisha-Metaj nuk e ka këtë kartë morale, por ngado që ta vërtisësh dalin në një shteg dhe në një tavë me Edi Ramën.

Ndaj ajo që po bën ky i fundit është e thjeshtë: Ne nuk jemi të virgjër, por shihni kë kemi përballë, kandidatët e “nongratës” Sali nga SHBA dhe nga Britania e Madhe dhe Metajn e majtë që është i shpallur “nongrata” nga demokratët, të cilin Berisha ua ka vënë kryetar dhe duhet ti votojnë këshilltarët bashkiakë!

Le të marrim një shembull i cili përfaqëson më së miri gjithë Shqipërinë; Tiranën.

Kandidati i Metaj-Berisha, Belind Këlliçi, personalisht nuk ka fatura për të paguar. As morale, as korruptive dhe as pushtetore në karrierën e tij. Ai flet për shkatërrimin e Tiranës prej betonizimin por nuk e thotë dot se kush qëndron pas kësaj. Edi Rama dhe Erion Veliaj, nuk kanë vetë firma ndërtimi.

Këlliçi e godet Erion Veliajn duke e quajtur mashtrues për “1 milion pemët” dhe me të drejtë, por nuk thotë dot me emër se kush i ka betonizuar fushat, kodrat, oborret mes pallateve, ku duhet të ishin ato pemë dhe madje nga janë zhdukur shumë e shumë të tjera.

I thotë dot ai siç bën kandidati i Partisë Demokratike, Roland Bejko, emrat e Shefqet Kastratit që zhduku nën beton kodrën e gjelbër prapa “Sheraton” dhe madje nuk paguan as taksën e territorit për pyllin e pallateve që ka mbjell aty?!

Po të Saimir Manes, Bashkim Ulajt, Shkëlqim Beshirit, firmës “Kontakt” e të tjera, i përmend dot?!

A mundet dot Belind Këlliçi që të bëjë një gjë të thjeshtë fare; të marrë të gjitha lejet e ndërtimit që ka dhënë “armiku” dhe kundërshtari i tij në këto zgjedhje, Erion Veliaj, pastaj të nxjerrë emrat e atyre që i kanë marrë dhe kompanive që qëndrojnë realisht prapa tyre?!

A shkon dot te Kodra e Diellit ku banon Veliaj dhe të pyesë se me kë rri dhe ndan ai lejet e ndërtimit natën, pasi është kthyer nga fushata “e egër” kundër Berishës, Metajt dhe kandidatit të tyre që është ai vetë?!

Jo, sepse tërbohet Sali Berisha dhe Ilir Metaj dhe shumica e medieve në Shqipëri. Kjo lloj situate është edhe në Durrës, Elbasan, Shkodër, Korçë, Sarandë, Vlorë e gjithë andej. Biznese dhe eksponentë të krimit të organizuar “janë çarë” duke marrë leje ndërtimi dhe punë publike nga bashkitë e Ramës, por nga ana tjetër kanë sponsorizuar edhe Revolucionin e Berisha-Metajt.

Ashtu siç e thamë edhe në fillim të këtij shkrimi, pikërish këtë realitet Edi Rama e di mirë sepse vetë e ka lejuar, por faturën e këtij kazani parash që nuk ka ngjyrë, po ua lë kandidatëve të primareve për ta paguar.

Ndaj edhe kandidatët e tij i quan “gomarë që mbajnë”, kurse ata të Berisha-Metajt, “gomarë me veshë të gjatë”.

Kjo është e gjithë fushata e tij sepse e di mirë që në thelb, edhe kandidatët e tij edhe ata të Berisha Metajt, janë thjesht “gomarë” të cilët në 14 maj së bashku do të dalin në të njëjtin shteg, i cili është Trekëndëshi politiko-oligarkik-kriminal!/Alfapress.al 


  

ide