Ilir Metaj e çoi revolucionin në SPAK!

22 Shkurt 2023, 15:21 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Ilir Metaj e çoi revolucionin në SPAK!

Thirrja e Ilir Metajt në SPAK shënjon një fazë kulminante për efektet e Reformës në Drejtësi, edhe pse pas 6 vitesh lënguese e sabotuese, që kur kjo klasë politike e votoi me dhunë.

Këtë të martë për herë të parë në historinë e Shqipërisë, një ish-kryeministër, kryetar Kuvendi dhe president, ka qëndruar më shumë se 3 orë përball dy agjentëve të BKH dhe një prokurori të posaçëm. Metaj duhet të jetë krenar, sepse e hapi rrugën për si homologët e Tranzicionit korruptiv!

Nuk e dimë se si është sjellë përpara tyre ish-poseduesi i tre posteve më të larta që të ofron në karrierën politike Shqipëria; si “i fortë”, ka djersitur apo i qetë, por e sigurt është se kur hyri aty i mbante dy gishtat lartë dhe kur doli i kishte “fshehur” kushedi se ku.

Duke folur për gazetarët ai tregoi se seanca e gjatë e pyetjeve, kishte të bënte me aferat CEZ dhe CEZ-DIA. Për këtë të dytën, një nga ish miqtë e tij biznesmenë, Kastriot Ismailaj, është ende në qeli i dënuar me 11 vite burg, kurse bashkëshortja ka folur dhe ka kërkuar azil politik në një vend perëndimor, duke pretenduar se një “kokë e madhe” e politikës shqiptare, e ka kërcënuar me vdekje nëse i nxjerr emrin.

Metaj përpara gazetarëve theksoi këto gjëra; Nuk kishte përgjegjësi për privatizimin e sistemit energjetik nga CEZ pasi kur u krye ka qenë në opozitë, (Gati sa nuk tha që SPAK të pyes Berishën), se ky hetim, (CEZ-DIA), është kryer me lajme portalesh të Endri Fugës, se SPAK ka marrë urdhër për ta thirrur atë nga kongresi i Ramës dhe se, bashkëpunëtorët e drejtësisë për këtë çështje janë mashtrues!

Ju premtoi fillimisht gazetarëve se do të fliste “me qetësi dhe dashuri”, por kur u pyet nëse rrezikonte që të arrestohej për këtë aferë, ai kërceu “pupthi” dhe tha; Mos mooo...

Vetëm pesë minuta pasi u mbyll kjo shfaqje, Sali Berisha doli live. Ishte rëndë. Më rëndë se kurrë më parë. E “çuditshme”, sepse Ilir Metaj të paktën e mbajti veten dhe pas mbi 3 orëve hetuesi, u shfaq më i qetë!

Berisha kërkoi përshpejtimin dhe intensifikimin e revolucionit dhe sulmoi SPAK. Foli edhe për gjoba marramendëse që ish- zyrtari i lartë i FBI, McGonigal, ju ka vënë disa biznesmenëve të mëdhenj në Shqipëri. Ishte shumë i zemëruar, sikur t`ja kishin vënë vetë atij. Deri më tani nga disa shkrime të medieve amerikane dhe shqiptare kanë dalë emrat e Shefqet Kastratit dhe Samir Manes, të cilët nga frika e ndonjë “nongrata”, paskan paguar dhjetëra milion dollarë. Ne i dinim oligarkë të Ramës këta?!

Ilir Metaj aktualisht është bashkë- udhëheqës në revolucionin që ka shpallur Berisha. Interesante është të kujtojmë se bashkëluftëtari dhe ortaku i sotëm i tij, Sali Berisha, edhe disa vite më parë shpalli  një “revolucion”.

Bëhet fjalë për pranverën e vitit 2015 kur Metaj akuzohej se “kishte organizuar eliminimin” e Tom Doshit dhe Sali Berisha e kërcënonte, që ose të jepte dorëheqjen nga kryetar Kuvendi dhe të paraqitej në prokurori, ose ai do të niste revolucion kundër tij dhe ish-ortakut në bashkë-pushtet, Edi Ramës.

Në atë periudhë Berisha e akuzoi Metajn se kishte vjedhur floririn e Shqipërisë, se ishte koka e korrupsionit e madje, edhe për vrasje. Ky ju kundërpërgjigj duke i zënë në gojë djalin, Shkëlzen Berishën, për çështje të rënda që i zbuloi vetëm larg e larg. U aludua për një video-përgjim nga kompjuteri i të ndjerit, Dritan Prifti, i cili u bë më pas denoncues i çështjes “CEZ-DIA”. Gjithsesi revolucioni Berisha nuk u krye, kurse akuzat e ndërsjella u harruan dhe nuk u hetuan.

Nga ana tjetër, Edi Rama, duket edhe më për faqe të zezë se dy kryerevolucionarët. Ai bën sikur po tallet me “revolucionin”, por nga ana tjetër simulon situata lufte dhe “destabiliteti”, duke i “rrethuar” ata 500 revolucionarë që arrin të mbledhë Berisha me Metajn, me mijëra policë të armatosur.

Pasi verifikoi live në konferencën e sigurisë të vendeve të NATO në Mynih, se tashmë është i izoluar dhe i lëshuar në duart e SPAK, Rama, duket se nuk ka rrugë tjetër veçse ti bashkohet revolucionit Berisha-Metaj. Pak rëndësi ka roli që do të luaj në këtë “luftë”, e cila po bëhet për tu treguar ndërkombëtarëve, se këta të tre kanë “çelësat” e stabilitetit të Shqipërisë.

Veçse ka të reja nga Fronti: Sido që ta luajnë lojën që të tre, që këtë të martë, Ilir Metaj, e çoi revolucionin në SPAK!/Alfapress.al