Me çfarë “fytyre” e urojnë sot Kosovën, Rama-Berisha-Metaj?!

17 Shkurt 2023, 13:09 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Me çfarë “fytyre” e urojnë sot Kosovën,

Me rastin e 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës si çdo vit politika këtu në Shqipëri është vënë në garë, se cili prej eksponentëve të saj bën urimin më patetik. Fjala e saktë do të ishte; hipokrit!

Që nga viti 2008 kur parlamenti i Kosovës morri vendimin historik, në Shqipëri kemi pasur qeverinë Berisha 1, qeverinë Berisha- Metaj, qeverinë Rama- Metaj dhe në vazhdim qeverinë Rama X.

Të gjitha këto pushtete gjatë këtyre 15 viteve kanë bërë mbledhje pa fund me homologët e shtetit të dytë shqiptarë, por ajo që ka ndodhur ka qenë një ndasi që sa vjen dhe thellohet, jo vetëm ekonomikisht.

Politika shqiptare e ka përdorur sistematikisht Kosovën për zhvillimet e brendshme dhe kurdoherë kur kanë pasur nevojë për të gjetur strehë te nacionalizmi folklorik, vetëm për të mbuluar daljen nën dritë të qeverisjeve të tyre të korruptuara këtu.

Sali Berisha i parë, ende nuk ka sqaruar përfundimisht se si dhe përse e theu embargo ndaj Serbisë së Milosheviçit, në kohën që blindat e ushtrisë dhe policisë së tij, terrorizonin Kosovën. Përndjekjet, arrestimet e ish- komandantëve të UÇK, loja me FARK, (Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës) rrëmbimi dhe eliminimi i aktivistit të lëvizjes çlirimtare të Kosovës, Remzi Hoxha, etj, etj, janë “mistere” që kërkojnë përgjigje.

Gjithashtu ende askush nuk e ka shkruar të vërtetën e plotë, se cila ishte arsyeja që e detyroi Ibrahim Rrugovën që të ishte i pari që e shpalli Sali Berishën “non grata” në Kosovë, gjatë presidencës së tij pas çlirimit.

Pavarësisht moshës së thyer, a e mban mend Sali Berisha herën e fundit kur ka shkelur në Kosovë?!

Fatos Nano që pasoi Berishën në pushtet në vitin 1997, ende nuk na ka treguar se përse theu protokollin dhe çfarë bisedoi me Milosheviçin “kokë më kokë” në nëntor të vitit 1997 në Kretë.

 Që nga vitet 1999- 2002 kur ishte kryeministër e në vazhdim, Ilir Metaj, ka pasur një marrëdhënie “të çuditshme” me Beogradin. Vizitat e tij jo reciproke me homologët serbë, edhe si Ministër i Jashtëm, Zëvendëskryeministër, si Ministër Ekonomie, apo për foljet për lidhjet e tij me lobe të biznesit serb, bizneset e energjisë etj, kanë nevojë për sqarim.

Qershia mbi tortë është Edi Rama gjatë 10 viteve kryeministër i Shqipërisë:

Ballkani i Hapur të cilin Perëndimi e identifikoi dhe eliminoi më në fund si plan malinj fund e krye serbo-sllav. Lidhja e tij okulte me klonin modern të Milosheviçit, Aleksandër Vuçiç. Refuzon që të fusë në parlament një rezolutë për genocidin serb në Kosovë, ndërkohë nuk lë rast pa i ikur në forumet ndërkombëtare që të mbrojë dhe të justifikojë lojën me dy porta që bën Vuçiç me Perëndimin dhe Rusinë, edhe pas pushtimit të Ukrainës.

Ndërkohë që SHBA- BE po kërkojnë që të zgjidhin përfundimisht marrëdhënien, Serbi-Kosovë deri në njohje, kryeministri i Shqipërisë e paraqet presidentin e Serbisë si “viktimë” të kokëfortësisë së politikanëve dhe qeveritarëve “problematikë” të Kosovës.

Avokatia ndërkombëtare që i bën Serbisë ndërkohë që ajo hapur synon që të destabilizojë Kosovën; përfshirja “e çuditshme” në planin për ndryshimin e kufijve të saj dhe mbi të gjitha helmi që ka lejuar dhe stimuluar mes shqiptarëve në të dy shtetet, kërkojnë përgjigje për arsyen dhe jo deklarata dëshirore “bashkimi”, si ato që lëshon sa herë këtu brenda gjendet në kurth.

Edhe ky nën gjurmët e qeverive, Berisha- Nano- Metaj, ka një preferencë dhe debulesë të veçantë, për të bërë biznes me kompanitë serbe të të gjithë llojeve.

Sot në ditën e madhe të Kosovës dhe të gjithë shqiptarisë, vetëm shqiptarët kanë “fytyrë” që të urojnë shqiptarët. Këta jo.

Përveç atyre që thamë më lartë dhe shumë të tjerave që nuk i thamë, këta eksponentë të korrupsionit 32- vjeçar në Shqipëri, përveç të tjerave janë të piketuar nga Perëndimi, edhe si rrezik destabilizues të rajonit, kupto edhe të Kosovës.

Për ta kuptuar më thjeshtë se sa e duan Kosovën, le ta mbyllim me një thirrje dhe konstatim të diplomatit dhe publicistit të njohur Shaban Murati, i cili u drejtohet pikërisht këtyre:

Thirrje e përsëritur për Festën e Përbashkët të Kombit.Shqipëria ta bëjë 17 Shkurtin festë zyrtare! Kam propozuar qysh në 26 mars 2012 që Shqipëria ta bëjë 17 shkurtin festë zyrtare, sepse pavarësia e Kosovës është ngjarja e dytë më e rëndësishme në historinë e kombit shqiptar pas 28 Nëntorit 1912. Uroj që një qeverie në Tiranë t’i zgjohet ndërgjegjja kombëtare!

Mirë bën zoti Murati që i bën thirrje “ndërgjegjes kombëtare” të kësaj klase politike që ka uzurpuar Shqipërinë për më shumë se 3 dekada, por çështja është që ata kanë vetëm “ndërgjegje pasurore dhe pushtetore”. Atë “kombëtaren” e kanë kthyer në letër higjenike me kohë.

Kështu që më mirë të heshtin edhe për Kosovën, se ngado që ti vërtitësh, njësoj dhe bashkë dalin!/Alfapress.al

 

Po ndodh...