Për Revolucionin e Kohës së Ardhme të Pakryer Dëshirore!

23 Shtator 2022, 15:43 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Për Revolucionin e Kohës së Ardhme të Pakryer

Ndërkohë që muaji Shtator po ikën për ti hapur rrugën Tetorit, në rrjet ka shpërthyer mes demokratëve dhe opozitarëve një pakënaqësi e madhe për dështimin e “Revolucionit të Shtatorit”.

Mes përkrahësve të Berishës dhe atyre të Ilir Metajt ka zhgënjim dhe dëshpërim, por gjithsesi shpresa dhe vlaga vazhdon, edhe pse nga sulmi kanë kaluar në mbrojtje.

Shumë të cilët kanë besuar se aleanca Berisha- Metaj në mos do të rrëzonte me protesta shpejt Edi Ramën, të paktën do ti bënin presionin e duhur siç ndodhi me demonstratat e studentëve, kanë nisur të kërkojnë “llogari”.

Kurse ndjekësit e krahut tjetër brenda PD-së të cilët kanë marrë revansh me postulate të tipit “Saliu ka hallin e vetë dhe të familjes”, “Mete (aj) për vete”, përveç ngazëllimit se po ju del fjala, edhe po tallen hapur.

Deklarimi i nënkryetarit të Partisë Demokratike të Rithemelimit Flamur Noka në studion e Ylli Rakipit, se “revolucioni mund të nisë për 1- 2- 3 muaj apo për një vit a më shumë”, është kthyer në meme pa montazh.

Deklarimet e Sali Berishës dhe Ilir Metajt se çdo ditë e Edi Ramës dhe qeverisë së tij të korruptuar në krye të vendit është shkatërrimtare për Shqipërinë, rezultojnë se janë bërë për një Kohë të Ardhme të Pakryer Dëshirore. Kjo “dëshirore”, në fakt ha debat.

Gjithsesi jemi në një situatë kur jo vetëm demokratët, opozitarët në përgjithësi, shqiptarët të cilëve paaftësia dhe korrupsioni i kësaj qeverie po ju bluan kockën, por edhe socialistët e ndershëm janë gati të mbushin sheshet dhe rrugët e gjithë Shqipërisë. Kjo nuk diskutohet më dhe këtë e di më së miri, edhe vetë Edi Rama.

Atëherë përse nuk ndodh?!

Sepse janë pa alternativë. Janë në gjendjen e Nastradinit që përpiqej që të gjente ndonjë kumbull të pa pshurrur, kur i gjithë thesi ishte ashtu. Alternativën e ka mbytur estabilishmenti 30 vjeçar. E ka burgosur në mes mureve të kapjes së partive, ekonomisë dhe votës në çdo nivel.

Sali Berisha në parlament, gati i dëshpëruar, ju bëri thirrje shqiptarëve në përgjithësi; pa dallim feje, krahine, partie, gjinie dhe profesioni, ngrihuni!

Pak ditë më parë i tha një të moshuari i cili i kërkonte leje për të vrarë Edi Ramën, se “vota është plumbi ynë”. Vetëm 3 ditë më herët kishte thënë se “Regjimi i Ramës, nuk hiqet me votë”. Këtë të premte u pyet nga gazetarët se a kishte një datë për protestat, por thelbi i përgjigjes ishte prapë për një revolucion në tentativë, i cili do të niste në Kohën e Ardhme të Pakryer Dëshirore!

 E theksojmë se kjo e fundit, (dëshira), ha debat.

Ilir Metaj testoi te oborri i Inceneratorit të Tiranës dhe rezultati i eksperimentit ishte mortor, si gjithë atmosfera e varrezave të Sharrës aty pranë. Ndaj u tregua më “i ndershëm” dhe ju kthye sallave që në TV japin idenë, se “revolucioni” po shpërthen.

Në fund fare “Revolucioni Metaj”, duket se u mbyll me entuziazmin fëmijëror pas një vizite të ambasadores, Yuri Kim, në zyrën e tij te godina e ish- LSI.

Ky mund të quhet vërtet një revolucion brenda revolucionit Berisha-Metaj, por mbetet për tu parë në vazhdim!

Këtë Shtator, ka pasur në fakt një revolucion të vërtetë brenda kësaj lloj opozite: Ai ka ndodhur në SPAK me hetimin ndaj një prej udhëheqësve të tij (nëse është ende) Ilir Metajt dhe thirrjen e tjetrit, Sali Berishës. Bashkë me këta, edhe gjithë qeveritë e Ramës janë në SPAK.

Vini re!

Nuk janë aty për çështje politike, partiake, opozite, të djathta apo të majta. As për revolucione apo kundërrevolucione, por për paratë dhe pasuritë që i mungojnë Shqipërisë gjatë këtyre 30 viteve.

Edi Rama nga ana e tij është braktisur nga Perëndimi dhe në dëshpërim troket te dera e vetme që i ka mbetur; ajo e Erdogan. E qerasi papritur me mbylljen fashiste të një shkolle që qenka e kundërshtarëve të tij politikë, por që e pranon Perëndimi.

Qeveria e tij po shembet jo vetëm nën peshën e korrupsionit makut, por edhe në gropën e falimentimit. Thesari i Shtetit mezi po kullandriset për rrogat e administratës, mësuesve, mjekëve dhe paratë e pensionistëve. Prangat në SPAK për Ilir Beqajn, Arben Ahmetajn, Engjëll Agaçin, disa kryebashkiakë e të tjerë në të gjitha nivelet, gjenden vërtet në kasafortë tani për tani por aty janë.

Taulant Balla deklaroi në seancën e fundit parlamentare se, “jemi me fat që kemi mes nesh Sali Berishën” dhe mund ta shtyjmë kështu, edhe 100 vite.

Të gjithë ata që kanë katandisur Shqipërinë në këtë situatë duke i hapur gropën për 30 vite rresht, po zihen për radhën përpara Drejtësisë. Por kjo nuk ju intereson më shqiptarëve. Të gjitha kumbullat e Nastradinit janë të pshurrura dhe të vazhdosh me shpresën se ca kokrra janë të ngrënshme  e ca nuk janë është jo vetëm kohë e humbur, por edhe përpëlitje pa fund në lumin e tranzicionit.

Shqiptarët duan vërtet gati me dëshpërim një Revolucion, por vetëm atë që do ti japë fund sundimit të kësaj klase politike 30 vjeçare.

Vjen nga Perëndimi, nga Drejtësia apo të dyja bashkë, nuk ka rëndësi. Ai edhe pse ende vetëm një foshnjë, ka lindur dhe ka nisur që të rritet pikërisht tani. Jo në Kohën e Ardhshme të Pakryer Dëshirore!/Alfapress.al

 

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128