Origjina e duhanit që konsumohet në Shqipëri/ Polonia dhe Greqia kryesojnë listën, rritet tregtia edhe me Rumaninë e Gjermaninë

26 Mars 2025, 18:40 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Origjina e duhanit që konsumohet në Shqipëri/ Polonia dhe Greqia

Çmimi i cigareve në Shqipëri ka pësuar rritje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit, si pasojë e politikave fiskale që synojnë uljen e konsumit të duhanit. 

Në Janar 2025, çmimi i paketave të cigareve u rrit me 20 deri në 30 lekë për paketë, si rezultat i rritjes së akcizës së duhanit. Aktualisht, paketa më e shtrenjtë e cigareve në treg shitet me çmimin maksimal prej 380 lekë. 

Krahasuar me vendet e tjera europiane, çmimi i cigareve në Shqipëri mbetet relativisht më i ulët. Kjo diferencë vjen si pasojë e nivelit më të ulët të akcizës dhe taksave mbi produktet e duhanit.

Megjithatë, të dhëna nga INSTAT tregojnë se importi i këtij produkti ka qenë në rritje vitet e fundit. Në Shkurt të këtij viti, si periudha e fundit me të dhëna nga tregtia e jashtme, rezulton se importi i duhanit arriti në rreth 746 milione lekë.

Nga cilat vende e importon Shqipëria duhanin?

Sipas të dhënave të muajit shkurt 2025, rezulton se Polonia është importuesi kryesor i duhanit për Shqipërinë, duke pasur një rritje me 76.2% nga një vit më parë.

Pesë partnerët kryesorë që furnizojnë Shqipërinë me duhan janë: Polonia, Greqia, Rumania, Gjermania dhe Maqedonia e Veriut.

Ajo që vihet re nga këto të dhëna është se Greqia dhe Polonia kanë ndërruar renditjen, pasi në Shkurtin e vitit 2024 vendin e parë për importin e duhanit e mbante Greqia./SCAN