Rekord fitimesh për bankat, niveli më i lartë në 8 vite/ Ritmi i rritjes së të ardhurave tejkaloi atë të shpenzimeve

16 Shkurt 2025, 13:05 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Rekord fitimesh për bankat, niveli më i lartë në 8 vite/

Të ardhurat neto të bankave, ose fitimi, gjatë tremujorit të katërt të vitit të kaluar arritën në 37.3 miliardë lekë, sipas të dhënave më të fundit nga Banka e Shqipërisë.

Ky është niveli më i lartë i fitimeve në tetë vitet e fundit, duke reflektuar performancën pozitive të sektorit bankar si në kreditim ashtu edhe në depozita. Rikujtojmë se të dy treguesit, kanë shfaqur rritje gjatë këtij viti.

Fitimi i bankave përfshin të ardhurat neto pa zërat e jashtëzakonshëm dhe taksat mbi të ardhurat.

Në të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, të ardhurat neto të bankave që operojnë në vendin tonë, fiksoheshin në 32.4 miliardë lekë, çka do të thotë se në harkun kohor të një viti ato janë shtuar me 4.9 miliardë lekë ose  rreth 49 milionë euro shtesë në formë të ardhurash.Në terma vjetorë rritja përllogaritet në 15.2%. 

Sa i përket të ardhurave bruto të sektorit bankar gjatë tremujorit tè fundit të vitit 2024, ato fiksohen në 99.5 mld lekë, nga 88.1 miliardë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të vitin 2023.

Sipas të dhënave të analizuara nga “Scan Intel”, të ardhurat nga interesat mbajnë peshën kryesore, ndërsa pjesa e mbetur përfshin të ardhura nga komisionet, instrumentet financiare dhe shoqëritë e lidhura me bankat.

Ndërkohë, në linjë me të ardhurat janë rritur edhe shpenzimet e sektorit bankar gjatë vitit të kaluar.

Shpenzimet janë ngjitur në 51 mld lekë, nga 46.5 mld lekë që ishin në  tremujorin e katërt të  vitit të  kaluar, duke u rritur kështu me rreth 9.68% brenda vitit. Megjithatë, ritmi i rritjes së të ardhurave, ka tejkaluar atë të shpenzimeve, duke përforcuar fitimet e sektorit bankar./SCAN

 

Po ndodh...