EMRI/ U arrestua për dosjen e ndërtimeve pa leje në Sarandë e Ksamil, Apeli nxjerr nga qelia ish-shefin e Komisariatit

17 August 2026, 17:32 / AKTUALITET ALFA PRESS
EMRI/ U arrestua për dosjen e ndërtimeve pa leje në Sarandë

Ish-shefi i Komisariatit të Policisë së Sarandës, Gëzim Bashllari, ka lënë qelinë pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj tij.

Apeli ka rrëzuar masën “arrest me burg”, duke caktuar ndaj Bashllarit masën “detyrim për t’u paraqitur” pranë policisë gjyqësore. Me këtë vendim, ish-drejtuesi i policisë së Sarandës do të hetohet në gjendje të lirë.

Bashllari u arrestua në maj të këtij viti nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, së bashku me tre punonjës të tjerë të Komisariatit të Sarandës, nën dyshimet për shpërdorim detyre në lidhje me kontrollet ndaj ndërtimeve pa leje në zonën e Sarandës dhe Ksamilit.

Hetimi i AMP-së u përqendrua te dyshimet se zyrtarët e policisë nuk kishin ndërmarrë veprimet e nevojshme për ndalimin e ndërtimeve të paligjshme, ndërsa autoritetet ngritën edhe dyshime për favorizim të subjekteve të lidhura me persona me precedentë kriminalë.

Në momentin e arrestimit, Bashllari sipas dëshmisë së tij të bërë publike më herët, kishte deklaruar para hetuesve se në ditët kur po zhvilloheshin kontrollet dhe veprimet hetimore ndaj ndërtimeve pa leje, ai ishte i angazhuar me hetimin e një vrasjeje të ndodhur në Sarandë dhe nuk ishte marrë me çështjet e ndërtimeve pa leje.

Në të njëjtin hetim u arrestuan edhe nënkomisarët Andi Duro dhe Ajdin Ismailaj, si dhe inspektori Robert Çullaj. Sipas AMP-së, ndaj tyre dyshohej se kishin lejuar ose favorizuar ndërtime pa leje, duke mos ndërhyrë në kohë për të parandaluar shkeljet ligjore.

Dosja lidhet me një objekt që po ndërtohej në zonën bregdetare të Sarandës dhe që sipas hetimeve, synohej të shërbente si beach bar gjatë sezonit turistik. Hetuesit kanë ngritur dyshime se pas këtij aktiviteti mund të qëndronin persona të lidhur me një grup kriminal me bazë në Kamëz.

Hetimet e autoriteteve janë shtrirë edhe mbi rrethanat e pronës ku po kryheshin punimet, e cila lidhet me Isuf Jaçajn, i njohur me nofkën “Bushi”, i cili u vra me tritol në vitin 2025. Sipas të dhënave të bëra publike gjatë hetimit, prona dyshohet se ishte marrë në mënyrë të paligjshme nga persona të lidhur me një grup kriminal.

Po ndodh...