“50 mijë euro dhe 4 ndeshje pezullim”/ UEFA reprezalje për Guendouzin pas përleshjes me Lyonin

2026-09-04 23:42:00 / SPORT ALFA PRESS

“50 mijë euro dhe 4 ndeshje pezullim”/ UEFA reprezalje për

UEFA ka marrë vendimet disiplinore pas përleshjes që ndodhi në fund të ndeshjes mes Lyonit dhe Fenerbahçes, e vlefshme për play-off-in e Champions League.

Masat kanë prekur të dy klubet, ndërsa dënimi më i rëndë për një lojtar i është dhënë mesfushorit të Fenerbahçes, Matteo Guendouzi.

Guendouzi është dënuar me 50 mijë euro gjobë dhe katër ndeshje pezullim në kompeticionet europiane. Dy prej këtyre ndeshjeve janë pezulluar me kusht për një periudhë prove prej një viti.

Ai u ndëshkua për fyerje ndaj personave të pranishëm në stadium, provokim të tifozëve dhe shkelje të rregullave të sjelljes.

Për pasojë, Guendouzi do të mungojë në dy ndeshjet e para të Fenerbahçes në fazën e ligës së Champions League, përfshirë edhe përballjen ndaj Romës më 10 shtator.

Edhe Mason Greenwood është dënuar nga UEFA. Sulmuesi i Fenerbahçes ka marrë një ndeshje pezullim me kusht dhe një gjobë prej 30 mijë eurosh.

Ndërkohë, Fenerbahçe është gjobitur me një total prej 95 mijë eurosh për ngjarjet e krijuara gjatë dhe pas sfidës.

Sanksione ka edhe për Lyonin. Trajneri i portierëve të klubit francez, Antonio Ferreira, është pezulluar për pesë ndeshje europiane për agresion të rënduar, ndërsa dy prej tyre janë me kusht. Lyonit i është vendosur gjithashtu një gjobë totale prej 180.5 mijë eurosh.

Vendimet e UEFA-s vijnë pas tensioneve dhe përleshjes që shoqëruan fundin e ndeshjes Lyon-Fenerbahçe, duke sjellë masa disiplinore si për futbollistët dhe stafin, ashtu edhe për klubet.

Po ndodh...

ide