Dënimi në Hagë/ Thyhen xhamat e bazës së EULEX-it, bllokohet rruga Prishtinë–Fushë Kosovë

2026-09-16 16:32:00 / KOSOVA ALFA PRESS
Dënimi në Hagë/ Thyhen xhamat e bazës së EULEX-it,

Vendimi i Hagës, i cili la në burg krerët e UÇK-së ka zemëruar popullin e Kosovës, të cilët kanë sulmuar bazën e EULEX-it në Fushë Kosovë.

Protestuesit kanë qëlluar në drejtim të bazës me gurë dhe mjete të forta, duke thyer disa xhama dhe duke dëmtuar rrethimin e jashtëm.

Forca të shumta të policisë ndodhen në terren, ndërsa prania e shumtë e automjeteve ka bllokuar rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë që të çon drejt bazës.

Mësohet se, në zyrat e EULEX-it nuk ndodhet asnjë punonjës, pasi janë urdhëruar të punojnë nga shtëpia. Sakaq, qytetarët kanë njoftuar se protesta do të vijojë në shesh të Prishtinës.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, janë dënuar këtë të mërkurë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për krime lufte të kryera gjatë dhe pas luftës së Kosovës të viteve 1998-1999.

Thaçi është dënuar me 25 vite burg, Krasniqi me 25 vite, Veseli me 18 vite dhe Selimi me 13 vite burg.

Gjykata i shpalli fajtorë për vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim/arrestim arbitrar, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit, pasi vlerësoi se nuk ishin provuar përtej dyshimit të arsyeshëm elementët e nevojshëm për këto akuza. Të katër ish-krerët e UÇK-së kanë mohuar akuzat dhe pritet që vendimi të apelohet.

Procesi ndaj tyre nisi në Hagë në prill 2023, pas arrestimit dhe transferimit të tyre në paraburgim në vitin 2020. Çështja lidhej me pretendimet për krime të kryera ndaj personave të konsideruar kundërshtarë ose bashkëpunëtorë të armikut gjatë periudhës së luftës dhe pas saj.

Po ndodh...

ide