Kur krimi mbërrin në majën e inteligjencës shqiptare

2026-09-23 21:56:00 / POLITIKË ALFA PRESS
Kur krimi mbërrin në majën e inteligjencës shqiptare

 

Masa e arrestit ndaj drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit ka hapur një nga pikëpyetjet më të pazakonta të viteve të fundit: çfarë ndodh kur dyshimet për lidhje me një rrjet kriminal mbërrijnë deri te institucioni që duhet të mbrojë sekretet e shtetit?

Në Shqipëri, informacioni sekret është një monedhë që nuk duhet të dalë nga duart e shtetit. Aq më pak nga duart e atyre që janë ngarkuar ta ruajnë atë.

Por tani, një nga institucionet më të mbyllura të republikës është vendosur në qendër të një hetimi penal.

Vlora Hyseni, drejtuese e Shërbimit Informativ të Shtetit, është përballë një mase arresti dhe akuzave që, nëse do të provoheshin, do të preknin jo vetëm përgjegjësinë e saj individuale, por edhe mekanizmat e sigurisë së shtetit.

Në materialet e rrjedhura, emri i saj shfaqet në komunikime me Ergys Agasin, një biznesmen kontrovers nën hetim për disa vepra penale që kanë të bëjnë me “grup të strukturuar kriminal”, “korrupsion aktiv”, “pastrim parash”, “konkurrencë të paligjshme”, “heqje të paligjshme të lirisë” dhe “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera”.

Dhe pikërisht këto komunikime kanë ndezur një debat që tashmë shkon përtej pyetjes nëse një zyrtare ka shkelur ligjin.

Në materialin e publikuar për komunikimet mes Hysenit dhe Agasit, një pjesë e bisedave lidhet me lëvizjet e këtij të fundit dhe me kontakte të zyrtarëve të lartë.

Në një prej komunikimeve, Hyseni i shkruan Agasit:

“Skënderi më thirri me u taku të hënën… Të shpresojmë që ka porosit km…”

Dhe në një tjetër komunikim, sipas materialit, ajo i referohet një takimi me kryeministrin.

Janë fjali të shkurtra, të shkëputura nga një komunikim më i gjerë, që kanë ngritur dyshimin se marrëdhënia mes një drejtueseje të shërbimit sekret dhe një individi nën hetim mund të ketë qenë më shumë se një kontakt i zakonshëm.

Analisti Redi Shehu e sheh këtë ngjarje të lidhur me kryeministrin e vendit. Në reagimin e tij, ai e konsideron akuzën ndaj Hysenit jashtëzakonisht të rëndë dhe ngre pyetjen se si një grup kriminal mund të arrijë deri në nivelet më të larta të aparatit shtetëror.

“Nuk mundet asnjë grup, sado i fuqishëm të jetë, të depërtojë në këto nivele pa mbrojtjen dhe dijeninë e kreut të qeverisë”, shkruan Shehu.

Për ekspertët e sigurisë, çështja ka edhe një dimension që nuk lidhet drejtpërdrejt me fajësinë apo pafajësinë e Hysenit. Lidhet me besimin.

“Është një fyerje shumë e rëndë për shtetin dhe për imazhin e Shqipërisë e të shqiptarit që shefja e shërbimit sekret të vendit të akuzohet se jo vetëm ndihmon individë të përfshirë në grupe kriminale, por edhe u jep informacione të klasifikuara si sekret shtetëror. Një akuzë e tillë është aq e rëndë, sa vështirë të jetë e pabazuar në prova nga SPAK-u. Të godasësh kaq fort dhe aq thellë, detyrimisht duhet të jesh i sigurt si institucion, ndaj edhe GJKKO-ja e aprovoi kërkesën e SPAK-ut”, thotë Shehu.

Një tjetër ekspert i sigurisë, Xhavit Shala, argumenton se mënyra se si është zhvilluar çështja krijon një hije mbi vetë institucionin.

“Ajo kontaktet i ka marrë si përfaqësuese e Shqipërisë, cilado qoftë. Kështu krijohet një hije dyshimi mbi shtetin dhe Inteligjencën shqiptare.”

Në botën e inteligjencës, besimi nuk është një element dytësor. Shërbimet shkëmbejnë informacione mbi bazën e supozimit se strukturat që i marrin ato kanë kontroll mbi aksesin, klasifikimin dhe përdorimin e tyre.

Prandaj, një skandal që prek majën e një shërbimi inteligjent nuk mbetet domosdoshmërisht i kufizuar te individi që po hetohet.

Ergys Muzhaqi e vendos çështjen edhe më thellë në kohë.

Sipas tij, problemi nuk fillon me arrestimin e Hysenit. Ai nis që në momentin kur ajo u emërua në krye të SHISH-it.

Muzhaqi ngre pikëpyetje mbi faktin që Hyseni, e cila kishte shërbyer më parë në Kosovë dhe ishte larguar nga ai pozicion, u vendos në krye të një prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë shqiptare.

“Duke qenë vend anëtarë të NATO-s nivele kaq të larta të elementëve më të rëndësishëm të sigurisë sonë janë kaq të ekspozuar ndaj krimit të organizuar sa që kjo kompromenton gjithçka. Marrja e një personi jashtë vendit bëhet nëse objektivat e posaçme nuk i bën dot me personal të këtij pozicioni të rëndësishëm”, thotë Muzhaqi.

Përgjegjësi individuale

Në kampin qeveritar, reagimi ndaj masës së arrestit të kreut të SHISH-it është përqendruar te përgjegjësia individuale dhe pavarësia e drejtësisë.

Pas zhvillimeve, Rama njoftoi shkarkimin e Hysenit dhe u përpoq ta vendoste çështjen brenda një parimi të njohur: përgjegjësia individuale përballë drejtësisë.

“Pafajësia ose fajësia e një bashkëpunëtori të vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës”, shkruan Rama.

Narrativa e qeverisë është se një zyrtare e akuzuar duhet të përgjigjet personalisht dhe procesi duhet t’u lihet prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Ndërsa opozita, ngjarjen dhe materialet e rrjedhura në media i ka interpretuar si konfirmim të akuzave të ngritura më herët për lidhjet mes pushtetit, biznesit dhe strukturave kriminale. Sali Berisha ka deklaruar se “çdo gjë ka ndodhur me urdhër të Edi Ramës!”, ndërsa aktorë të tjerë të opozitës kanë kërkuar që hetimi të shkojë deri në nivelet më të larta politike.

Çështja e Vlora Hysenit tashmë ka dalë përtej një emri dhe një dosjeje.

Ajo tashmë ka prekur një nga vijat më të ndjeshme të shtetit: kufirin mes informacionit që mbrohet në emër të sigurisë kombëtare dhe informacionit që mund të përdoret nga individë me interesa private.

Nëse akuzat do të provohen, përgjegjësia nuk do të jetë vetëm juridike. Do të ngrihet pyetja se si një marrëdhënie e tillë mundi të ekzistojë kaq pranë majës së strukturës së inteligjencës dhe pse mekanizmat e kontrollit nuk e ndalën më herët.

Por ndërkohë, një tjetër proces ka nisur, më pak i dukshëm dhe ndoshta më i rëndësishëm se vetë beteja juridike dhe politike.

Është procesi i rikthimit të besimit.

Sepse një shërbim inteligjent nuk matet vetëm nga aftësia për të mbledhur informacion. Matet edhe nga aftësia për të mbrojtur informacionin, për të kontrolluar njerëzit që kanë akses tek ai dhe për të ruajtur besimin e atyre që ia besojnë sekretet e tyre.

Dosja e Vlora Hysenit tani i ka vendosur të gjitha këto mekanizma nën dritën e fortë të publikut.

Ato do të tregojnë nëse kjo ishte historia e një individi që shkeli kufijtë e detyrës, apo shenja e një problemi më të thellë në mënyrën se si shteti shqiptar mbron institucionet e veta më të rëndësishme.

Dhe tani, pikërisht ky besim është vënë në provë./ Gisela Troplini, shteg.org

Po ndodh...

ide