Pas arrestimit të Veliajt, futet “në krizë” kompania e vëllait. Fitimet e “Gogel” ulen me 60%

Për një rastësi të mbrapshtë, bizneset e lidhura me familjarë të kryebashkiakut të Tiranës, kanë pësuar rënie të ndjeshme në fitimet e tyre gjatë vitit 2025, pasi arrestimit të Erion Veliaj.
Kompania lider e familjes, “Gogel” shpk, e drejtuar nga Arbër Veliaj, vëllai i vogël i kryetarit të Bashkisë, deklaron se gjatë vitit 2025 ka shënuar një fitim prej 16.3 milionë lekë të reja ose saktësisht 62.4 përqind më pak se një vit më parë, kur fitoi 43.3 milionë lekë të reja.
Më herët, “Boldnews.al” ka raportuar se gjithashtu fitimet e studios ligjore “Partners Law”, në pronësi të Ajola Xoxes, bashkëshortes së Veliajt, ishin ulur me plot 92 përqind gjatë vitit 2025, krahasuar me një vit më parë.
“Gogel” në krizë
E krijuar në vitin 2009, “Gogel” e Arbër Veliaj që merret me menaxhimin e fushatave promocionale dhe menaxhim reklamash, kishte një nisme modeste.
Maturimi i saj tregtar nisi pas vitit 2013, që përkoi me nisjen e karrierës së lartë qeveritare të vëllait të madh, Erion Veliaj, fillimisht si ministër i Rinisë në kabinetin “Rama 1” dhe më pas si kryetar i Bashkisë së Tiranës për tre mandate.
Në vitin 2023, kur “Gogel” shpk u përthith nga ‘Gogel Holdings”, po në pronësi të Arbër Veliaj, fitimi i deklaruar ishte mbi 160 milionë lekë të reja ose rreth 1.7 milionë euro.
Një vit më pas, në 2024, fitimi u ul disi, në rreth 500 mijë euro, por gjithësesi kompania mbahej më së miri në treg.
Por, në vitin 2025, “Gogel Holdings” e Arbër Veliaj duket se ka pësuar një goditje të rëndë financiare.
Në bilancin tregtar të dorëzuar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) në korrik të këtij viti, shoqëria tregtare deklaron fitim në rreth 170 mijë euro.
Kjo shënon shifrën më të ulët të fitimit, të paktën prej vitit 2018.
Akuzat publike për “Veliajn e vogël”
Rritja progresive e fitimeve të “Gogel” në kohën e rritjes së pushtetit së Erion Veliaj e shndërroi vëllain e tij të vogël, Arbrin, në subjekt të akuzave publike, sidomos nga elementë opozitarë.
Kritikët e Erion Veliajt thonë se kryebashkiaku tashmë i arrestuar i Tiranës ka krijuar skema për shëndoshjen e financave të familjarëve të tij, nëpërmjet shfrytëzimit të postit publik.
Këto akuza publike mbështen kryesisht në faktin se, një mori kompanish private, përfituese të lejeve apo tenderave në Bashkinë e Tiranës, janë njëkohësisht klientë të kompanisë “Gogel” të Arbër Veliaj.
Dy vëllezërit i kanë mohuar me forcë këto akuza publike. Megjithatë, këto dyshime i ka edhe Prokuroria e Posaçme (SPAK). Në korrik të vitit 2025, prokurorët dërguar për gjykim Erion Veliaj, bashkëshorten e tij dhe disa sipërmarrës privatë, në një dosje hetimore për akuza që përfshijnë të paktën 9 raste korrupsioni, pastrim parash e fshehje pasurie.
Krahas dosjes kryesore, e cila pret të nisë gjykimin, SPAK-u po kryen hetime për “pastrim parash” edhe ndaj vëllait të vogël të familjes, Arbër Veliaj.
Në Tetor të vitit 2025 dhe Prill 2026, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kryer kontrolle dhe kanë sekuestruar dokumentacione e pajisje elektronike në zyrat e “Gogel” dhe të një grupi tjetër kompanish private, bashkëpunëtore të saj.
Deri më tani, Prokuroria e Posaçme nuk ka dalë në një konkluzion përfundimtar mbi hetimet që po kryen ndaj Arbër Veliaj dhe shoqërisë së tij, “Gogel Holdings”.
Në momentin që “Gogel” shpk iu nënshtrua kontrollit të parë, në vjeshtën e vitit të kaluar, Arbër Veliaj bëri një lëvizje në strukturën e pronësisë së saj.
Në Tetor të vitit 2025, pronari Arbër Veliaj zëvendësohet nga “REG Investitionen GmbH”, një shoqëri me seli në Austri dhe në pronësi sërish të Veliajt të vogël.
Lobimi në SHBA
Në mars të vitit 2025, në Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA) të Departamentit Amerikan të Shtetit, u publikuan të dhënat e kontratës së lobimit, të regjistruar nga Erion dhe Arbër Veliaj, në favor të kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës.
Dokumentet publike tregojnë se vëllezërit Veliaj kanë angazhuar studio “Kasowitz Benson Torres” në Nju Jork dhe “Mishcon de Reya” në Londër për të përcjellë shqetësimet pranë autoriteteve amerikane për atë që e konsiderojnë si “përdorimin e paraburgimit nga SPAK për qëllime që i konsiderojmë të paligjshme dhe të motivuara politikisht”.
Të paktën deri në Prill të vitit 2026, fatura e lobimit i ka kushtuar familjes Veliaj rreth 483 mijë dollar.
“Unë jam Arbër Veliaj, një sipërmarrës me një përvojë 19-vjeçare në biznes, me të ardhura plotësisht të ligjshme, të cilat burojnë nga aktiviteti im tregtar i zhvilluar për gati dy dekada, në pavarësi të plotë nga im vëlla, Erion Veliaj. Në këtë kontekst, sqaroj publikisht se jam unë garanti financiar për angazhimin e një studioje ligjore amerikane, e cila do të sigurojë konsulencën dhe strategjinë për mbrojtjen juridike të vëllait tim, dhe Kryetarit të Bashkisë së Tiranes, Erion Veliajt”, tha ai në një deklaratë publike të shpërndarë në 10 mars 2025.
Deklarata publike e tij lë të kuptohet se faturat e lobimit paguhen nga të ardhurat e tij personal, duke përjashtuar angazhimin e kompanisë “Gogel Holdings” në transaksione financiare me dy studiot e huaja që asistojnë vëllain e tij./boldnews.al
Po ndodh...
ide
Edi Rama, kujt i ankohesh? Ti ke qenë problemi!
The SP and the DP have created an unshakable Nash equilibrium.
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128