Pretendon se bashkëpunoi me CIA-n dhe se ka ndihmuar në arrestimin e anëtarëve të Al-Kaedas, SHBA kërkon deportimin e Blerim Skoros
Administrata e presidentit Donald Trump po përpiqet të deportojë Blerim Skoron, një shtetas me origjinë nga Kosova, i cili pretendon se ka bashkëpunuar me CIA-n dhe ka qenë i infiltruar në rrjete terroriste pas 11 shtatorit, duke ndihmuar në arrestimin e disa anëtarëve të organizatave si Al-Kaeda dhe Al-Shabaab.
Agjentët e ICE e arrestuan 55-vjeçarin më 3 gusht jashtë një zyre emigracioni në New Jersey, ku kishte shkuar për të rinovuar dokumentet. Skoro jeton në Staten Island me gruan dhe tre fëmijët e tij.
Sipas dokumenteve të FBI-së, bashkëpunimi i tij me autoritetet amerikane nisi pas arrestimit për trafik droge në vitin 2000.
I ardhur në SHBA në 1994 pas largimit nga Ushtria Jugosllave, gjatë kohës që vuante dënimin mes viteve 2002-2006, ai thotë se mblodhi informacione për FBI-në, përfshirë të dhëna mbi një kamp trajnimi në Siri, duke u renditur si informator në një hetim që lidhej me Osama bin Ladenin.
Pas 2007-s, sipas pretendimeve të tij, CIA e përdori për t'u infiltruar në rrjetet e Al-Kaedës nga Ballkani, duke udhëtuar në disa vende të Lindjes së Mesme dhe Azisë.
Ai thotë se ndihmoi në arrestimin e Betim Kaziut, i dënuar me 27 vite burg për tentativë armatimi të Al-Shabaab, si dhe në parandalimin e dërgesave të uraniumit drejt Kosovës.
Në nëntor 2022, një gjykatës federal kishte ndaluar deportimin e tij drejt Kosovës për shkak të rrezikut të torturës, në bazë të Konventës Kundër Torturës, pa i dhënë megjithatë status të ligjshëm qëndrimi.
Tani avokatët e tij argumentojnë se ICE duhet të marrë autorizim gjyqësor para se ta deportojë, dhe çështja pret përgjigjen e qeverisë përpara gjykatësit federal Robert Kirsch.
ICE, CIA dhe FBI nuk kanë dhënë ende koment publik mbi rastin. Gruaja e tij, Susan Skoro, e cilësoi arrestimin si "tradhti", duke thënë se bashkëshorti "e kreu dënimin, pothuajse humbi jetën" dhe meritonte një falje, jo deportim.
Po ndodh...
The power of vanity! The protest broke the "magic" of Rama and Berisha
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128