Protestat “pushtojnë” Francën/ Popullariteti i Macron arrin nivelin më të ulët që nga 2017-a, humbasin terren edhe Bardella dhe Le Pen

Presidenti francez Emmanuel Macron po përballet me një rënie drastike të mbështetjes publike, ku rreth 82% e qytetarëve nuk e miratojnë më punën e tij, duke e çuar popullaritetin e kreut të Elizeut në nivelin më të ulët historik që nga marrja e mandatit në vitin 2017.
Sipas sondazhit më të fundit të zhvilluar nga Ipsos BVA-Cesi për “La Tribune Dimanche”, vetëm 15% e të anketuarve kanë një mendim të favorshëm për Presidentin Macron. Kjo “rënie e lirë” vjen në një kohë kur Franca po përballet me protesta të nxënësve të shkollave të mesme, krizë karburanti dhe debate të ashpra parlamentare për buxhetin. Në krahun tjetër, kryeministri Sébastien Lecornu ka pësuar një rritje të lehtë, duke arritur në 22% mbështetje.
Sipas anketës, fuqia blerëse mbetet shqetësimi kryesor i 54% të qytetarëve francezë, e ndjekur nga e ardhmja e sistemit të mirëqenies me 44% dhe niveli i lartë i borxhit publik që shqetëson 33% të publikut.
Rënia e ekstremit të djathtë pas skandalit Mediapart
Pavarësisht krizës së ekzekutivit, udhëheqësit e ekstremit të djathtë vazhdojnë të kryesojnë renditjen si pasardhës të mundshëm presidencialë, por me një rënie të dukshme mbështetjeje:
Jordan Bardella: 33% opinione pozitive (-3 pikë)
Marine Le Pen: 32% opinione pozitive (-4 pikë)
Goditja ndaj Rassemblement National vjen pas investigimit të publikuar nga media hulumtuese “Mediapart”, e cila zbuloi mesazhe me përmbajtje antisemite dhe konspirative që i atribuohen Bardellës nga një llogari e vjetër në rrjetet sociale – akuza këto që janë mohuar prej tij.
Në vendin e tretë të pëlqyeshmërisë renditet ish-kryeministri Édouard Philippe me 20%, i ndjekur nga Sarah Knafo e partisë nacionaliste Reconquête dhe ish-presidenti socialist François Hollande, secili me nga 18%.
Në krahun e majtë, Jean-Luc Mélenchon merr 17% mbështetje, po në të njëjtin nivel me qendristin Gabriel Attal dhe udhëheqësin e republikanëve Bruno Retailleau. Megjithatë, kreu i “La France Insoumise” regjistron shkallën më të lartë të refuzimit në vend, ku 69% e francezëve deklarojnë se nuk do të dëshironin kurrsesi ta shihnin atë në krye të shtetit.
Po ndodh...
ide
The electoral arithmetic of reform
Who is not blackmailable and who can we trust?
The law was passed, now the test of sovereignty!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
