Raporti i PISA 2025 kërkon reflektim, transparencë dhe përgjegjësi

2026-09-10 16:58:00 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Nga Mirela KARABINA

Rezultatet e PISA 2025 dëshmojnë qartë se nxënësit shqiptarë janë ende nën mesataren e vendeve të OECD-së. Euforia për të paraqitur si sukses rritjen me disa pikë të rezultateve të nxënësve shqiptarë në matematikë dhe shkencë duket si një përpjekje për të mbuluar një çështje serioze që raporti i OECD-së e vë në pah.

Shqipëria është vendosur nga OECD-ja në kategorinë e vendeve me “raportim të kufizuar” dhe nuk është publikuar krahasimi zyrtar i trendit 2022–2025. Arsyeja lidhet me faktin se në test janë përfshirë vetëm 76% e shkollave, duke lënë jashtë shkolla, veçanërisht në zonat rurale, ku kushtet socio-ekonomike janë më të pafavorshme dhe rezultatet kanë qenë historikisht më të ulëta.

Sipas organizatës, “mungesa e plotë e shkollave të vogla krijon një boshllëk në mbulimin e kampionit që nuk mund të korrigjohet plotësisht statistikisht.” Raporti shkon edhe më tej: sipas një përllogaritjeje të OECD-së, rezultati mesatar real mund të ishte më i ulët, rreth 428 pikë në vend të 435, nëse kampioni do të ishte përfaqësues i plotë.

Dhe kjo është shumë e rëndë.

Çështja që shtrohet nuk është thjesht nëse kemi fituar apo humbur disa pikë, por nëse kemi një rezultat që mund të përdoret në mënyrë të besueshme për të vlerësuar gjendjen reale të arsimit shqiptar.

Pyetjet që kërkojnë përgjigje pas këtij raporti janë:

A do të kemi një përgjigje për këtë standard të ndryshuar të PISA-s?

A janë përfaqësuese shkollat që morën pjesë në studim?

Nëse jo, atëherë sa i besueshëm është rezultati dhe deri ku mund të përdoret ai për të nxjerrë përfundime për sistemin arsimor në tërësi?

PISA mbështetet në kampione të përzgjedhura sipas parimeve statistikore të përfaqësimit. Prandaj, përjashtimi i një pjese të konsiderueshme të shkollave, veçanërisht i shkollave të vogla dhe i atyre në zonat rurale, ngre një çështje serioze mbi përfaqësueshmërinë e kampionit.

Atëherë, pse nuk janë përfshirë këto shkolla?

Dhe, nëse përjashtimi i tyre ndikon në rezultat, a duhet të jetë kjo pjesë e një diskutimi publik mbi interpretimin e rezultateve?

Pikërisht për këtë arsye, nxitimi për të deklaruar se kemi përmirësuar rezultatet me disa pikë në shkencë dhe matematikë, ndërkohë që shumë vende të OECD-së rezultojnë me një trend në rënie, kërkon një shpjegim më të plotë dhe më të argumentuar.

Shkaqet e rezultateve të pakënaqshme në PISA, të evidentuara edhe në raportet e mëparshme, lidhen me disa probleme strukturore të sistemit arsimor:

Cilësia e ulët e mësuesve. Për dekada janë pranuar në programet e formimit të mësuesve studentë me rezultate të ulëta, ndërsa trajnimi i mësuesve në shërbim ka qenë shpesh i pamjaftueshëm dhe joefektiv.
Të nxënit përmendësh dhe skematik, i shkëputur nga jeta reale, nga konteksti dhe nga problemet me të cilat nxënësi përballet jashtë shkollës.
Mungesa ose pabarazia e infrastrukturës digjitale në një pjesë të konsiderueshme të shkollave.
Mungesa e familjarizimit të nxënësve me testimin elektronik. Në vend që teknologjia të jetë pjesë e përditshme e procesit mësimor dhe të nxënit, në disa raste nxënësit përballen me pajisjet digjitale kryesisht në funksion të testimeve të tilla si PISA.
Mungesa e një strategjie arsimore të ndërtuar mbi evidencën. Rezultatet e PISA-s dhe të vlerësimeve të tjera kombëtare e ndërkombëtare duhet të shërbejnë si bazë për hartimin e politikave, ndërhyrjeve dhe reformave në arsim.
Atëherë, pyetja themelore është: çfarë strategjie është ndjekur për të minimizuar pikërisht këta faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatet e pakënaqshme të nxënësve shqiptarë dhe, mbi të gjitha, në aftësimin e tyre për jetën?

Çfarë duhet të masë PISA?

PISA nuk është thjesht një test që mat sa njohuri kanë nxënësit në matematikë, shkencë apo lexim. Ajo synon të vlerësojë se sa të përgatitur janë të rinjtë për të marrë pjesë në jetën shoqërore dhe ekonomike dhe për të përballuar sfidat e së ardhmes.

Në këtë kuptim, PISA synon të japë përgjigje për pyetje thelbësore:

a) A i përgatit shkolla nxënësit për të marrë pjesë në mënyrë aktive në jetën e shoqërisë?

b) Sa mirë janë përgatitur nxënësit për të përballuar sfidat e së ardhmes?

c) A janë ata të aftë të analizojnë, të arsyetojnë dhe të komunikojnë idetë e tyre në mënyrë efektive?

d) A janë aftësuar nxënësit që të vazhdojnë të nxënit gjatë gjithë jetës?

e) Cilat struktura dhe praktika arsimore maksimizojnë mundësitë e nxënësve që vijnë nga kushte të pafavorshme?

f) Çfarë ndikimi ka cilësia e burimeve shkollore në arritjet e nxënësve? (Mita, 2020).

Këto janë pyetjet që duhet të na shqetësojnë përtej një ndryshimi prej disa pikësh në një tabelë rezultatesh.

Prandaj, euforia për disa pikë më shumë në shkencë dhe matematikë është paradoksale përballë nevojës për një reflektim serioz mbi gjendjen reale të arsimit dhe për ndërtimin e një strategjie konkrete ndërhyrjeje.

Rezultati i PISA-s nuk duhet të përdoret vetëm si një instrument komunikimi politik për të shpallur sukses. Ai duhet të shërbejë si evidencë për të identifikuar problemet, për të matur progresin dhe për të orientuar politikat arsimore.

Përvojat e Finlandës, Francës, Gjermanisë, Polonisë dhe shumë vendeve të tjera dëshmojnë se institucionet përgjegjëse për arsimin kanë reflektuar mbi rezultatet e PISA-s dhe kanë ndërmarrë ndryshime në politika, si dhe kanë nxjerrë akte ligjore e nënligjore.

Prandaj, pyetja që duhet t'u bëhet institucioneve shqiptare nuk është vetëm “sa pikë kemi marrë?”, por:

Çfarë kemi mësuar nga PISA 2025?

Çfarë do të ndryshojmë?

Cilat janë masat konkrete, me afate dhe përgjegjësi të përcaktuara, për të përmirësuar cilësinë e arsimit?

Dhe mbi të gjitha, a do të kemi një strategji të vërtetë zhvillimi të arsimit, të mbështetur në të dhëna, transparencë dhe përgjegjësi institucionale?

Po ndodh...

ide