SPAK i sekuestron telefonin Ardi Veliut, çfarë deklaronte pak javë më parë për KAYO-n

2026-10-02 22:54:00 / AKTUALITET ALFA PRESS
SPAK i sekuestron telefonin Ardi Veliut, çfarë deklaronte pak

SPAK ka zgjeruar veprimet në kuadër të hetimit për çështjen “KAYO”, duke kontrolluar edhe banesën e administratorit të kompanisë shtetërore, Ardi Veliu. Gjatë kontrollit, sipas raportimeve, hetuesit i kanë sekuestruar edhe telefonin.

Por kontrolli i sotëm rikthen në vëmendje edhe atë që vetë administratori i KAYO-s deklaronte vetëm disa javë më parë.

Çfarë deklaroi Veliu për trafikun e armëve?

Në intervistën e 10 shtatorit, Veliu u përball me pretendimet e bëra publike nga Arben Ahmetaj për një skemë të dyshuar të trafikut të armëve, ku në diskutime përmendeshin KAYO, TIMAK Defence dhe biznesmeni Ron Yeffet.

I pyetur drejtpërdrejt për përfshirjen e kompanisë shtetërore, Veliu e mohoi kategorikisht.

“Nuk jemi përfshirë në trafik armësh. Zero”, deklaroi ai.

Administratori i KAYO-s shtoi se fabrikat që kompania kishte marrë në pronësi nuk kishin nisur aktivitetin prodhues.

“Deri më tani përfshirja e KAYO-s është zero, se fabrikat që kemi marrë dhe i kemi në pronësi, aktiviteti është zero i prodhimit”, u shpreh Veliu.

Po investimi 15 milionë euro?

Një tjetër çështje e diskutuar në atë intervistë ishte marrëdhënia me TIMAK Defence dhe investimi i deklaruar prej 15 milionë eurosh.

Veliu shpjegoi se shuma nuk do të derdhej menjëherë, por do të përdorej për rivitalizimin e ish-uzinës së traktorëve dhe se projekti ishte ende në proces.

Sipas tij, projekti i propozuar nga TIMAK po analizohej nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes.

Sot, SPAK troket në banesën e Veliut

Zhvillimet e sotme i kanë dhënë një tjetër dimension çështjes.

Në kuadër të hetimit për KAYO, SPAK dhe BKH kanë kryer një seri kontrollesh në disa ambiente. Përveç banesës së Ardi Veliut, kontrolle janë raportuar edhe në banesën e biznesmenit Ron Yeffet, në ambiente të lidhura me Arjeta Pucën dhe në Ministrinë e Mbrojtjes.

Nga këto veprime janë sekuestruar materiale dhe dokumente që pritet të verifikohen nga hetuesit. Në rastin e Veliut, raportohet se është marrë edhe telefoni celular.

Çfarë po verifikon SPAK?

Veprimet hetimore lidhen me çështjen e ngritur pas audiopërgjimeve të publikuara nga Arben Ahmetaj, në të cilat bëhen pretendime për një skemë të dyshuar të trafikimit të armëve dhe përfshihen emra personash e kompanish që operojnë në sektorin e industrisë së mbrojtjes.

Sekuestrimi i telefonit të Veliut do t’u japë hetuesve mundësinë të analizojnë materialet dhe komunikimet që mund të jenë relevante për objektin e hetimit.

Kontrollet dhe sekuestrimet janë veprime hetimore dhe, në këtë fazë, nuk përbëjnë në vetvete një konstatim fajësie për personat apo kompanitë e përfshira.

Po ndodh...