Evropa ka fuqinë ekonomike, por jo atë politike, pse po lihet jashtë vendimeve që përcaktojnë rendin botëror?

19 November 2026, 12:37 / BOTA ALFA PRESS
Evropa ka fuqinë ekonomike, por jo atë politike, pse po lihet

Evropa është një nga fuqitë më të mëdha ekonomike të planetit, por kur vjen puna te vendimet që përcaktojnë të ardhmen e sigurisë ndërkombëtare, ndikimi i saj mbetet shumë më i vogël se pesha që ajo ka në ekonominë globale. Takimi i pritshëm mes presidentit amerikan Donald Trump, presidentit kinez Xi Jinping dhe atij rus Vladimir Putin në Shenzhen e vë edhe një herë në pah këtë kontradiktë: tri fuqitë diskutojnë për çështjet më të rëndësishme të botës, ndërsa Evropa mbetet jashtë tryezës.

Në një analizë të publikuar më 19 nëntor, Reuters argumenton se mungesa e Evropës në këtë takim është domethënëse, veçanërisht pasi temat që mund të diskutohen prekin drejtpërdrejt interesat e saj. Lufta në Ukrainë, konflikti në Iran, kontrolli i armëve bërthamore dhe gara për dominimin e inteligjencës artificiale janë çështje ku Bashkimi Evropian ka interesa të drejtpërdrejta, por jo gjithmonë fuqinë e nevojshme për të ndikuar në vendimmarrje.

Një gjigant ekonomik me ndikim të kufizuar politik

Sipas të dhënave të Bashkimit Evropian, tregtia e bllokut me pjesën tjetër të botës arriti në më shumë se 8 trilionë euro gjatë vitit 2025, duke përfaqësuar pothuajse 16% të tregtisë globale të mallrave dhe shërbimeve. Kjo shifër është më e lartë se pesha e Shteteve të Bashkuara, me 13.5%, dhe e Kinës, me 13%.

Megjithatë, kjo fuqi ekonomike nuk përkthehet automatikisht në ndikim gjeopolitik.

Lufta në Ukrainë është një nga shembujt më të qartë. Çdo marrëveshje e qëndrueshme për përfundimin e konfliktit do të ishte e vështirë të zbatohej pa pjesëmarrjen e Evropës. Lufta zhvillohet në kontinentin evropian dhe çdo zgjidhje do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë, ekonominë dhe marrëdhëniet politike të vendeve të BE-së.

Përpara pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022, Evropa ishte tregu më i rëndësishëm i energjisë për Moskën. Rusia siguronte rreth 40% të importeve të gazit natyror të Bashkimit Evropian dhe një të katërtën e importeve të naftës. Vetëm në vitin 2021, shitjet e energjisë ruse në Evropë arritën rreth 100 miliardë euro.

Rikthimi i këtyre marrëdhënieve tregtare do të kishte pasoja të mëdha edhe për Shtetet e Bashkuara. Pas reduktimit të importeve ruse në vitin 2022, kompanitë amerikane zunë një pjesë të konsiderueshme të tregut evropian të energjisë. Aktualisht, SHBA-ja është furnizuesi më i madh i naftës për BE-në dhe siguron pothuajse dy të tretat e importeve të saj të gazit natyror të lëngshëm.

Pavarësisht kësaj varësie të ndërsjellë, Donald Trump ka lënë vazhdimisht mënjanë liderët evropianë në përpjekjet për të negociuar përfundimin e luftës në Ukrainë, ndërsa Moska ka kundërshtuar përfshirjen e tyre në tryezën e bisedimeve.

Përçarjet brenda BE-së, një tjetër dobësi

Një pjesë e problemit lidhet me vetë mënyrën se si funksionon Bashkimi Evropian. Vendimmarrja në politikën e jashtme kërkon shpesh konsensus mes 27 vendeve anëtare, të cilat nuk kanë gjithmonë të njëjtat interesa dhe prioritete.

Veçanërisht të theksuara janë dallimet mes vendeve të Evropës Perëndimore dhe atyre të Evropës Lindore për mënyrën se si duhet trajtuar Rusia dhe kërcënimi që ajo përfaqëson.

Edhe konflikti në Iran ka nxjerrë në pah kufizimet e ndikimit evropian. Fuqitë evropiane luajtën rol të rëndësishëm në negociatat që çuan në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Teheranin. Sot, megjithatë, roli i tyre në përpjekjet për t'i dhënë fund konfliktit mbetet shumë më i kufizuar.

Evropa mund të kontribuonte në garantimin e sigurisë së transportit detar në Ngushticën e Hormuzit ose në monitorimin e një marrëveshjeje të re për programin bërthamor iranian. Por deri tani, reagimi i saj është përqendruar kryesisht në deklarata politike.

Shpenzimet ushtarake nuk mjaftojnë për ta bërë Evropën një fuqi ushtarake

Një tjetër dobësi e Bashkimit Evropian bëhet e dukshme në fushën e mbrojtjes.

Vendet anëtare shpenzuan së bashku 418 miliardë euro për mbrojtjen gjatë vitit 2025, një rritje prej 20% krahasuar me një vit më parë. Rritja erdhi si përgjigje ndaj kërcënimit rus dhe presionit të administratës Trump që vendet evropiane të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre.

Megjithatë, shpenzimet e larta nuk nënkuptojnë se Bashkimi Evropian zotëron një ushtri të përbashkët. Forcat e armatosura mbeten nën kontrollin e qeverive kombëtare, ndërsa mbrojtja kolektive e kontinentit vazhdon të mbështetet kryesisht te NATO-ja dhe fuqia ushtarake amerikane.

Për të kapërcyer këto kufizime, Franca, Gjermania dhe nëntë vende të tjera anëtare kanë kërkuar së fundmi reforma që do ta bënin vendimmarrjen e politikës së jashtme më të shpejtë dhe do të kufizonin mundësinë e bllokimit të vendimeve nga një shtet i vetëm.

Por edhe këto reforma nuk do të jenë të lehta. Përçarjet politike dhe rritja e forcave të ekstremit të djathtë dhe të majtë, disa prej të cilave janë skeptike ndaj zgjerimit të rolit ushtarak të BE-së, mund ta vështirësojnë procesin.

Evropa duhet të vendosë çfarë roli dëshiron të ketë në botë

Sipas analizës së Reuters, problemi i Evropës nuk mund të zgjidhet vetëm përmes ndryshimeve në procedurat e vendimmarrjes. Bashkimi Evropian duhet të rishikojë edhe mënyrën se si e koncepton identitetin dhe rolin e tij në rendin ndërkombëtar.

Evropa nuk është një superfuqi në të njëjtën kategori me Shtetet e Bashkuara apo Kinën, pavarësisht peshës së saj ekonomike dhe historisë së gjatë në politikën botërore.

Takimi në Shenzhen shërben si një tjetër paralajmërim për këtë realitet. Nëse nuk arrin të shndërrojë fuqinë e saj ekonomike në ndikim të koordinuar politik dhe ushtarak, Evropa rrezikon të mbetet jashtë negociatave që mund të përcaktojnë të ardhmen e sigurisë së saj dhe të gjithë rendit botëror.

Po ndodh...