Harrojini paratë në dorë, ja si po paguhen faturat e energjisë në sportelet e OSHEE-së

29 October 2026, 09:29 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Harrojini paratë në dorë, ja si po paguhen faturat e

Mbi 23 mijë transaksione elektronike janë kryer për pagesën e faturave të energjisë elektrike në zyrat e Kujdesit ndaj Klientit të Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU), pjesë e OSHEE Group, gjatë vitit të parë të funksionimit të shërbimit të pagesave përmes terminaleve POS.

Sipas të dhënave të OSHEE, vlera totale e faturave të shlyera përmes kësaj mënyre pagese ka arritur në rreth 1 milion euro, që prej nisjes së shërbimit në tetor të vitit të kaluar.

Pagesat elektronike me kartë bankare u prezantuan më 1 tetor 2025, fillimisht si projekt pilot në Tiranë. Në atë kohë, OSHEE njoftoi se terminalet POS do të pranonin kartat e të gjitha bankave, pa kosto shtesë për abonentët, ndërsa shërbimi do të zgjerohej gradualisht edhe në qytete të tjera.

Aktualisht, sipas të dhënave të kompanisë, kjo mënyrë pagese ofrohet në të gjitha pikat e Kujdesit ndaj Klientit, duke u mundësuar abonentëve shlyerjen e detyrimeve për energjinë elektrike pa përdorur para në dorë.

Procedura nis me verifikimin e detyrimit të abonentit në sistemin e FSHU-së. Punonjësi i shërbimit regjistron shumën përkatëse në terminalin POS, ndërsa klienti e përfundon transaksionin duke përdorur kartën bankare ose një pajisje që mbështet pagesat pa kontakt përmes portofolit digjital.

Pas miratimit të transaksionit, sistemi gjeneron konfirmimin elektronik të pagesës. Sipas OSHEE, shërbimi synon të thjeshtojë procedurën e arkëtimit dhe të reduktojë kohën e pritjes në sportele.

Zgjerimi i pagesave përmes terminaleve POS është pjesë e procesit të digjitalizimit të shërbimeve të OSHEE Group, i cili përfshin edhe kanale të tjera për shlyerjen e faturave të energjisë elektrike.

Përveç pagesave në sportele, abonentët mund të përdorin aplikacionin e OSHEE-së, faqen zyrtare të kompanisë dhe platformën e-Albania për pagesat online. Faturat mund të shlyhen gjithashtu përmes bankave të nivelit të dytë, Postës Shqiptare dhe pikave të transferimit të parave.

Ndryshe nga pagesat përmes terminaleve POS, që realizohen fizikisht në zyrat e shërbimit, platformat digjitale të OSHEE-së mundësojnë kryerjen e pagesave në distancë, gjatë 24 orëve të ditës./Monitor

Po ndodh...