Foltorja nr.2 nga brinja e dytë e trekëndëshit të Bermudës së politikës shqiptare

16 Prill 2024, 21:08 / IDE NGA NERITAN VLADI

Foltorja nr.2 nga brinja e dytë e trekëndëshit të
Klasa politike e 33 viteve, mëkatare e pengesës së zhvillimit të Shqipërisë, dhe tre politikanët kryesorë Rama-Berisha-Meta janë në panik nga drejtësia e re. Rezultatet e SPAK, një institucion që ka mbështetjen e fuqishme të aleatëve tanë SHBA-BE-Britani e Madhe, por që i ofrohet edhe asistencë në mënyrë sistematike edhe nga FBI dhe DEA, kanë bërë që trekëndëshit të Bermundës së politikës shqiptare t’i shkundet dheu nën këmbë. Ndaj po tentojnë sërish një aleancë kundër aleatit tonë historik dhe më dashamirës për çështjen shqiptare siç është Amerika.

Ilir Meta pas zhdukjes nga skena politike, madje dhe nga rrugët e Tiranës, pas ankesës se ishte sëmurë, së fundmi është parë me daljet e tija të çuditshme herë mbi paralele, e herë në palestër, herë i shfaqur me fëmijë teksa iu jep numrin e telefonit, apo dhe në studion televizive të Trekëndëshit të Bermundës, teksa flet përçart, e çon mesazhe me kode mafioze dy bindjeve të tjera, për ta shpëtuar nga ajo që e pret, a thua se ata e kanë fajin!

Është fatkeqësi për çdo qytetar shqiptar, të shihte mbrëmë një personazh të cilit i ka besuar shumë në shtetbërje nga deputet e kryeministër që në moshë të re, kryetar Kuvendi dhe së fundmi President i Republikës, teksa fliste si kodra pas bregut, kërcënonte dhe fyente drejtësinë e veçanërisht SPAK dhe drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion të nderuarin Altin Dumani.

Ilir Metës nuk ia ka fajin Dumani, drejtësia, as Amerika, por përgjegjësinë duhet ta kërkoj tek vetja, tek zullumet që ai dhe dy brinjët e tjera kanë bërë këto 33 vite në kurriz të shqiptarëve. Mbrëmë Meta çirrej duke kërcënuar dhe betohej se nuk do t’i ndodhte asgjë pasi ishte dhe ai akullore si Gjushi, e ndërkohë nuk ishte i gatshëm të bënte transparencë për aktivitetin e tij politik dhe drejtues në institucionet e shtetit shqiptar! Ky personazh qesharak herë sillej si viktimë e herë si triumfator në studion e Fevziut, e denjë për tentativë shpëlarje për hajdutët e administratës dhe qeverisjes shqiptare.

E kishte bërë edhe më parë, por mbrëmë Meta, brinja e dytë e trekëndëshit të Bermundës nisi foltoren antiamerikane nr.2, për të bindur shqiptarët se ai është i pafajshëm, pro amerikan dhe se nuk ka asnjë faj për çfarë ka ndodhur këto më shumë se 3 dekada në vendin tonë. A thua se Ilir Meta kishte rënë mbrëmë nga qielli, fliste për një Shqipëri Europiane, të zhvilluar dhe me demokraci.

Kjo foltore nr.2 e Metës, e brinjës së dytë të trekëndëshit të Bermudës së politikës shqiptare, pas ulërimave të tij antiamerikarike në podiumet dhe shkallët e Presidencës kur fliste për mafie ndërkombëtare duke iu referuar ambasadorëve, përfaqësuesve të SHBA në Tiranë, do të ketë të njëjtin fat me të Sali Berishës, por lutemi që të mos zgjas aq sa e Brinjës së Parë dhe drejtësia të jap verdiktin mbi ta bazuar mbi prova. Rezultati i kësaj foltoreje të Metës do të jetë zero sa i përket synimeve të tij që drejtësia të mos i kalojë në filtrin e kontrollit atë dhe dy brinjët e tjera Berisha-Rama.

Janë në panik sepse nuk kanë më kontroll mbi drejtësinë siç më parë e ndanin me parcela nga emërimet që bënin. Gjendur ngushtë dhe përballë llogaridhënies janë bërë bashkë sërish kundër SPAK duke “harruar” që ky institucion i drejtësisë së bashku me GJKKO janë fëmijë të lindur fal mbështetjes së fuqishme amerikane. Tentativa e tyre do të dështojë veçse ato janë përpëlitjet e tyre të fundit me shpresën që do të ia hedhin. Kësaj herë janë të pashpresë pavarësisht përgjërimeve të tyre.

 

Po ndodh...

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128