Kush mban përgjegjësi për këtë grua të vetëvrarë?!

12 Shkurt 2024, 13:44 / IDE NGA ELONA CASLLI

Kush mban përgjegjësi për këtë grua të
Profilet, faqet apo grupet me nofka nëpër rrjetet sociale janë po aq të shpeshta sa profilet me identitet. Cili është ndryshimi mes një individi që i vesh mendimit të tij një identitet dhe një individi që fshihet pas një nofke?!

Një individ me identitet mbart një përgjësi të caktuar kur shprehet mbi një temë, pasi mund të hasë kundërshti të shumëllojshme që i drejtohen emrit të tij të përveçëm.

Një individ, që fshihet pas një nofke, mund të shpifë, të sulmojë dhe të bëjë ç’ti thotë mendja pasi nuk mban asnjë përgjegjësi. Edhe nëse has kundërshtime, nuk i has identiteti i tij, por nofka e tij. Nofkat ndërrohen, identiteti jo.

Nofka gjen sa të duash. Mjafton të përcaktosh nëse do të jesh një nofkë që përfaqëson një personazh libri, një emër rruge, apo një togfjalësh që lidhet me të shkuarën e Shqipërisë.

Një individ duhet t’i dalë zot mendimit që shpreh, cilido qoftë ai. Sulmet, që prodhohen nga nofkat, më kujtojnë as më pak e as më shumë veçse shprehjen ” hedh gurin e fsheh dorën”.

Liria, para se të jetë e drejtë e njeriut, është përgjegjësi e tij dhe shumë njerëz parapëlqejnë rehatinë e skllavërisë se përgjegjësinë e lirisë. Të jesh i lirë, do të të thotë të mbash përgjegjësi.

Profilet me nofka nuk mbajnë përgjegjësi për asgjë. Mund të sulmojnë padrejtësisht këdo dhe të mos sulmohen nga askush.

Anonimati i nofkave numëroi viktimën e dytë sot.

Kush mban përgjegjësi për një grua të vetëvrarë?!