Instituti i Vjenës: Industria shqiptare në rënie për të tretin vit radhazi, prodhimi u tkurr me 17.5% në tre vjet
Prodhimi industrial i Shqipërisë ra për të tretin vit radhazi gjatë vitit 2025, duke zgjeruar hendekun mes rritjes së përgjithshme të ekonomisë dhe ecurisë së industrisë.
Të dhënat e fundit të Institutit të Vjenës (Vienna Institute for International Economic Studies, wiiw), tregojnë se prodhimi industrial bruto u tkurr me 2.6% më 2025, pas rënies me 7.5% në vitin 2024 dhe me 8.4% në 2023.
E llogaritur mbi ndryshimet vjetore të publikuara nga instituti, rënia e akumuluar e prodhimit industrial gjatë këtyre tri viteve arrin në rreth 17.5%. Ritmi i tkurrjes është zbutur ndjeshëm më 2025, por treguesi mbetet në territor negativ, duke sinjalizuar se industria ende nuk ka hyrë në një fazë rimëkëmbjeje.
Kontrasti me ekonominë në tërësi është i fortë. Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 4% në vitin 2023, me 4% në 2024 dhe me 3.7% në 2025. Kjo do të thotë se zgjerimi ekonomik i këtyre viteve është mbështetur nga sektorë të tjerë, ndërsa industria ka humbur terren edhe në periudha kur ekonomia regjistronte rritje relativisht të lartë.
Instituti vlerëson se kërkesa e brendshme ishte nxitësi kryesor i ekonomisë gjatë vitit 2025, me kontributin më të fortë nga konsumi dhe investimet e qeverisë, ndërsa konsumi i familjeve dha një shtysë më modeste.
Sipas raportit, rënia e vazhdueshme e prodhimit industrial përbën një sinjal problematik për strukturën e rritjes. Ndryshe nga shërbimet dhe konsumi, industria ka rol të drejtpërdrejtë në eksportet e mallrave, punësimin, produktivitetin dhe krijimin e një baze më të qëndrueshme prodhuese. Tkurrja trevjeçare tregon se rritja ekonomike nuk është shoqëruar nga një zgjerim i njëjtë i kapaciteteve industriale.
Dobësia e industrisë shfaqet në një periudhë kur ekonomia shqiptare ka përfituar nga rritja e investimeve të huaja. Sipas wiiw, fluksi i investimeve të huaja direkte u rrit nga 1.498 miliardë euro në vitin 2023 në 1.581 miliardë euro më 2024 dhe në 1.635 miliardë euro në 2025. Megjithatë, të dhënat e prodhimit sugjerojnë se rritja e këtyre investimeve nuk është përkthyer në një kthesë të industrisë.
Ndërkohë, paga mesatare mujore bruto u rrit nga 648 euro në 2023 në 769 euro më 2024 dhe në 860 euro në 2025. Rritja e pagave përmirëson të ardhurat e punonjësve, por, e kombinuar me tkurrjen e popullsisë dhe mungesën e fuqisë punëtore, mund të shtojë kostot dhe presionin konkurrues mbi ndërmarrjet prodhuese.
Popullsia e Shqipërisë, sipas serisë së përdorur nga wiiw, zbriti nga 2.412 milionë banorë në 2023 në 2.377 milionë më 2024 dhe në 2.350 milionë në 2025. Brenda dy vjetësh, vendi humbi rreth 62 mijë banorë, një zhvillim që ngushton njëkohësisht ofertën e punës dhe tregun e brendshëm.
Për vitet e ardhshme, Instituti i Vjenës parashikon ngadalësim të lehtë të ekonomisë. Rritja pritet të jetë 3.6% në 2026 dhe 3.5% në secilin prej viteve 2027 dhe 2028. /ekofin.al
Po ndodh...
ide
Shenjat e një ndryshimi të padukshëm: Çarjet që po transformojnë Shqipërinë
Guximi është frika që zgjat një minutë më shumë
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128