
Dëshmia e vëllait të aktorit të njohur që u arratis në Greqi: Odiseja 10-vjeçare me tabllotë e Nënë Terezës, që s’mund t’i sillja dot në Tiranë

Vendi i helenëve nuk i dhuroi mikpritje; duke i rezervuar një sfilitje, ngaqë nuk donin të besonin se ai ishte arratisur si artist i ndrydhur nga liria e munguar. Iu desh shumë stërmundim që të vërtetonte se ai nuk ishte një agjent i Sigurimit te Shtetit, siç dyshohej, por një artist që kërkonte liri fjale dhe liri artistike. Ai erdhi në vendin e lirë, (SHBA), ku më parë kishte qenë ati i tij dhe u vendos pikërisht në qytetin ku kishte jetuar babai, në Filadelfia. Pas vështirësive të fillimit arrin që të realizoi ëndrrën që mbartte me vete që nga Shqipëria; studimin në një shkollë arti me emër në Amerikë. U regjistrua në “Pennsylvania Academy of the fine Arts”.
Pasi u diplomua shkëlqyeshëm në “University of Pennsilvany of the fine Arts”, ndërmori udhëtimin drejt Parisit dhe Londrës, për të njohur botën e magjishme të artit. Është koha kur merr dhe një ftesë për të dhënë mësim në Akademinë e njohur të Firences, kryeqendra e Rilindjes. Jep mësim skulpture për 6 muaj, për një grup artistësh amerikanë, por detyrohet ta braktisë mësimdhënien, për arsye shëndetësore. Kthehet sërish në Paris dhe prej andej në Filadelfia. Më 1973, Zoin është profesor në “Free University” në San Francisko, më pas jep leksione në “Instituto Ajende” në Meksikë. Ai ekspozon aty; më pas do të ekspozonte në Paris, ku merr titullin e nderit, ndërsa disa vite më vonë po aty do të nderohej me Medaljen e Argjendtë e të Artë, në të tjera ekspozita, që do të hapeshin po në “Grand Salon des Artists Française”.
Më 1978, ai është realizuesi i një portreti të Skënderbeut, me porosi të komisionit të Sheshit “Skënderbeg”, portret që ai ia dhuroi bashkisë së Parisit, në shenjë nderimi për atë që i bëri popullit shqiptar. Pikërisht me 1982, Zoi kthehet në Nju Jork dhe më pas shkon në Uashington, ku fillon punë si gazetar në ‘Zërin e Amerikës’. Edhe pse i sëmurë, me diagnozë tashmë të përcaktuar, ai nuk ndahet nga studioja e tij, aty në Bronx. Po në ç’rrugë rrjedh më vonë jeta dhe aktiviteti artistik i Zoit? Cila është odiseja e tij me panelet kushtuar Nënë Terezës, që për 10 vjet nuk ka mundur t’i çojë në Tiranë? Le të ndjekim intervistën.
– Zoti Shyti, edhe pse me probleme shëndetësore, ju ende po mbijetoni pengun e parealizuar, për të dërguar në Shqipëri ciklin e veprës tuaj kushtuar Nënë Terezës. Keni ende shpresa se një ditë, do të jeni në Shqipëri së bashku me ciklin?
Po, pa tjetër që kam shpresa. Pa shpresa nuk bëhet asgjë. Unë çdo gjë që bëj, nga dita në ditë, e bëj për hir të shpresave; se do dalë mirë, se do shihet me sy të mirë nga të tjerët, se do përfundoi me muret e ndonjë koleksioneri të ri, e kështu me radhë, se jeta pashpresa, do jetë jetë e pakuptimtë dhe e pavlerë. Unë nuk mund t’i zgjidh dot çështjet e mia shëndetësore, se ato janë çështje mjekësie dhe çështje fati. Unë vetëm i bindem fatit tim dhe shpresoj që “ditët e mira paskëtaj vijnë”. Shpresa shëron. Kështu e ushtroj punën time artistike e krijuese unë, pavarësisht nga vështirësitë e paparashikuara.
Në ç’rrethana lindi cikli shumëpanelash për Nenë Terezës?
Kur unë punoja si korrespondent dhe lajmdhënës i ‘Zërit të Amerikës’ dhe kur, për të parën herë në jetën time, bleva shtëpinë time në Uashington, në vitin 1985, zoti Albert Akshia nga Roma, më kërkoi në telefon, që të shkruaja diçka për Nënë Terezën, për konkursin ndërkombëtar të organizuar nga Dom Lush Gjergji në Ferizaj të Kosovës. Unë i premtova dhe e mbajta fjalën. I dërgova poezinë “Nëna e Dhimbjes”, një improvizim i çastit, që një muaj më vonë po ai më lajmëron në telefon, që poezia ime kishte zënë vendin e parë në atë konkurs, dhe ai e recitoi atë në telefon. Në mbarim m’u lut t’i vija ato imazhe në pikturë, me të njëjtën forcë bukurie. Prap i premtova dhe bëra disa studime, ca bocete të vogla, që më pëlqyen.
Nuk ishte thirrja e tij, që më vuri përpara këtij misioni të mëtejshëm piktoral; ishte vet fati ai që ndikoi në drejtimin e mëtejshëm të jetës sime. Vendosa të largohem nga puna, shita shtëpinë, dhe u shpërngula në South Miami Beach në Floridë, ku klima tropikale më vuri përballë jetës lakuriqe të dobësive të njerëzve alkoolik, drogistë, vjedhës e me vese të tjera, dukuri kjo që më dha material të bollshëm, për projektin tim.
Ajo ndodhi 19 vjet më parë. Tani, që projekti është i mbaruar, vendi i tij nuk është më në studion time, se i përket publikut, që ta shijoi e ta gjykoi atë, sipas nivelit të vet. Çështja tani që i tërë projekti është përfunduar është shumë lehtë dhe e zgjidhshme, se tani çdo gjë mbetet në transportin dhe sigurimin për në ekspozitë. Si thuhet dhe në Anglisht: “When there is a will, there is a way!”. (Po qe vullneti, gjendet edhe zgjidhja).
Si u prit cikli për Nënë Terezën? A pati komente në fillesat e realizimit të tij?
Po e nis përgjigjen me një citim: “Ideja juaj për një altar të përhershëm, kushtuar një Shenjti të Gjallë”, më shkruante analisti filozof, Jungian, Doktor Roger J. Radloff, më 30 Prill 1987, kur ai vizitoi bashkë me kryebashkiakun e qytetit, të gjashtë panelat e para të ciklit në Muzeun Metropolitan të Korall Gejbels në Floridë, “është një ide e shkëlqyer dhe njëkohësisht qëndron në kundërshtim me dashurinë e kushtëzuar të morializuar kaq shpesh në ditët tona, në emër të të vdekurit ndaj dhe të shkaqeve të pakonceptueshme të së shkuarës”.
Ku dhe kur u ekspozuan panelat, në qendër të të cilave ishte Nënë Tereza dhe ç’pritje i rezervoi publiku?
Ky cikël tablosh të mëdha u ekspozua së pari në tërësi në vitin 1991, në Rotanden e Pallatit të Kongreseve, organizuar nga Kongresmeni Tom Lantos dhe Kongresmeni John Porter, të Komisionit të të Drejtave të Njeriut, pranë Kongresit Amerikan. Kështu ata i dhanë rastin kësaj çështjeje që Nëna Terezë, të njihej publikisht si bijë shqiptare, në sajë të parullave që vura unë në hyrje të ekspozitës. Por e them me keqardhje që askush nga shqiptarët e Uashingtonit, nuk bëri xhap për t’i bërë një vizitë, me përjashtim të valltarëve të vegjël të Nju Xhersit dhe të turmave të studentëve e të vizitorëve amerikanë, që i mbushën sallat me kureshtjen e tyre. Bile dhe ata shqiptarë të zgjedhur të Diasporës që erdhën në Uashington, për të biseduar me Departamentin e Shtetit për të hapur bizneset e parë të tyre në Shqipëri në kohën e turbullirave shoqërore që tundën themelet e bastionit të kuq, as e morën mundimin që të ktheheshin për të ditur, se ç’na ka bërë ky artist me këto imazhe!
Si e shpjegoni indiferencën e shqiptarëve?
Unë nuk komentoj, vetëm sjell fakte. Po shtoj se edhe për festën e ditës së flamurit në Nju Jork Hilton atë vit, më ftuan dhe mua të sillja panelat e ekspozitës për publikun shqiptar. Kur arrita në korridor me panelat e mëdha, organizuesit as që i hodhën një sy punëve. Pas manifestimit të gjithë u zhdukën dhe unë u detyrova të rrija atë natë me to në hotel, derisa të nesërmen u gjet mjeti, për t’i çuar në studion time.
Askush nuk doli zot as për faturën, as për shqetësimin tim. Kështu pra, ky peng i parealizuar, si e quani ju, peng për të ekspozuar në Shqipëri veprën kushtuar Nënë Terezës, është më tepër peng i të interesuarve të tjerë, të cilët kanë shfaqur dëshirën që ta sjellin këtë vepër të publiku shqiptar, por që deri më sot, s’kanë bërë asgjë për t’a realizuar atë. Unë jam mbushur me premtime të thata, por prap jam me shpresa!
Dikur ju i paketuat pikturat drejt Shqipërisë, madje dhe i dërguat në aeroport, përse nuk mbërritën ato në Shqipëri?
Ah, po, histori e shkuar. Ishte ‘Arbëria Airlines’, kompania e parë ajrore e udhëtimeve direkte turistike për në Shqipëri, ajo që mori përsipër në vitin 1993, dërgimin e këtij cikli me kargon e avionit të sajë. Por buja e ‘Arbërisë’, na doli si flaka e kashtës, u ndez shpejt, u përhap shpejt dhe u shua shpejt. Unë atëhere mbeta në zyrat e ‘Arbërisë’, duke komunikuar me telefona, me fakse e me letra me Ministrin e Kulturës, me përfaqësinë tonë pranë OKB-së dhe me ambasadorin e parë shqiptar në Uashington, që të kishin durim.
‘Arbëria’ bile bëri dhe ftesat e hapjes së ekspozitës në Galerinë Kombëtare të Arteve nën emrin e Dr. Sali Berishës, me rastin e vizitës së Shenjtërisë së Tij, Papa Gjon Palit të Dytë, në Shqipëri. Por pasi pagova ‘Arbërinë’ për atë udhëtim, unë paketova punët dhe i çova në aeroport. Avioni s’u ngrit nga pista dhe paratë s’u kthyen më. Vetëm ngjarja e hidhur dhe turpi i pronarit, mbetën në kujtesën time.
Kur e vizituat Shqipërinë për të parën here, pas arratisjes tuaj?
Në fillim të vitit 1992, drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, zoti Ksenofon Dilo, më telefonoi dhe më siguroi që s’ishte aspak e rrezikshme për mua, që të kthehesha në Shqipërinë e lirë Demokratike, me disa punime të vogla, për një ekspozitë në vendlindje. “Ne shokët e t’u do të presim, bashkë me Nënën tënde, që i qan zemra për djalin e saj të zhdukur prej 28 vjetëve. Hajde… nisu”!
Ishte koha kur Ramiz Alia ishte në fuqi dhe unë njihesha si i arratisuri i Ministrisë së Brendshme. Por thirrja e Nënës, ishte më e madhe se frika që mund të me ndodhte gjë. Vajta dhe u përmalluam. Ekspozita me 175 punë të vogla në letër, u mirëprit nga gjithë ata qe e vizituan. Dy vjet më vonë Prof. Ylli Popa dhe unë, patëm një audiencë me Presidentin Sali Berisha, në Vilën nr. 4, mbi çështjen e sjelljes së ekspozitës së Nënë Terezës në Shqipëri.
Edhe njëherë kjo ekspozitë u bë çështje e medias: “Kur do të vijë ekspozita mbi Nënë Terezën në Shqipëri”? shkruante RD-ja në 1994; “Një pulëbardhë u ul përsëri në breg…”, shkruante gazeta ‘Republika’ në 1992, dhe “An Artist Returns Home With a Mother Teresa Art Show” (Një artist rikthehet në atdhe, me një ekspozitë arti për Nënë Terezën) shkruante Isuf Hajrizi i ‘Illyrisë’ në 1992. Por askush deri më sot, s’i ka dalë burrë zgjidhjes së këtyre thirrjeve mediale.
A kanë patur fat pikturat e ciklit kushtuar humanistes Nënë Tereza, të ekspozohen më pas në ndonjë tjetër ekspozitë?
Në vitin 1998, punët kryesore të këtij cikli monumental mbetën të varura në muret e banesës sime në Bruklin, ku herë pas herë vinin pakica shokësh dhe ekipe korrespondentësh shqiptarë nga të dy anët e Atlantikut, për intervista. Ne kishim dhe programin televiziv të Diasporës, ahere të mbajtur të gjallë nga vëllezërit Osmani. Ishte pikërisht atë kohë kur unë po përleshesha me sëmundjen, por ajo më vuri poshtë, me shpatulla përtokë.
Një miku im amerikan, më solli një ditë me vete dhe kuratoren e muzeut Hargate. Ajo u mahnit nga ato që pa, edhe që kishte vizituar shumë studio artistësh para times, por nuk e imagjinonte dot se përse bëhej fjalë në këtë projekt arti, kur flitej për figurën humanitare të jashtëzakonshme, më të njohur në botën e atëhershme.
Ajo zgjodhi ato punë që flisnin gjuhë të përbashkët me të, meqë salla e ekspozimit atje, tha ajo, nuk kishte aq vend të bollshëm për tërë punët përbërëse të projektit. Punët u transportuan me automjet të veçantë të siguruar për mëse një milion dollarë, nëse ndodhte ndonjë e papritur. Tërë atë javë pas hapjes së ekspozitës mua, i ftuari i tyre, më kishin planifikuar të jepja bashkëbisedime e leksione me pagesë, studentëve dhe profesorëve të artit, mbi çështjen e frymëzimit dhe të ekzekutimit të një vet-porosie të tillë, meqë atyre i dukej e pabesueshme që ky cikël i kushtuar mjerimit njerëzor, nëpërmjet të figurës së Nobelistes Shqiptare, të ishte bërë me pagesat e vet artistit.
Unë ua shpjegova që ishte nevoja ime për të zbuluar vullnetin tim, ajo që më shtyu të shpenzoja mbi 65 mijë dollarët e mi, për të plotësuar këtë porosi të lindur si nevojë kapricioze të vet artistit. Por ndodhi që pas kthimit tim në Nju Jork, nga ajo ekspozitë, mua më shtruan urgjentisht në spital, për dy ndërhyrje kirurgjikale. Por pse të ankohem, kam shpresa që do jem dhe më mirë, kur të dal nga salla e operacionit tjetër që do bëhet javën e parë të shtatorit. E shihni pra?!… Prandaj duhet patur shpresë!
Odiseja e “Testamentit” tuaj artistik, ka nisur që në vitet e para të demokracisë, kur në pushtet ishte Partia Demokratike dhe presidenti Berisha, i cili atëherë pat lëshuar urdhra dikastereve, që të mbështesnin iniciativën tuaj, ku ngeci problemi?
Projekti filloi saktësisht në vitin 1986 dhe pas asaj, “gur mbi gur, bëhet një mur”, thotë fjala e urtë popullore. Unë e kisha të kryer në vitin 1991, kur u ekspozua në Pallatin e Kongreseve Amerikane në Uashington. Por me frymën e Demokracisë në Shqipëri, unë penelova dhe një grup udhëheqësish demokratë shqiptarë, si Dr. Sali Berishën dhe Dr. Ibrahim Rugovën, në tablonë kryesore me portrete të udhëheqësve liridashës të mbledhur rreth Nënë Terezës, Papa Gjon Pali i Dytë, Dalai Lamës dhe Kardinalit O’Conner.
Ku ngeci çështja?!… është pyetja juaj. Në përgjigjen e mësipërme, unë i shtjellova pothuajse qartë pengesat e mëdha të premtimeve boshe nga ana shqiptare, meqë ne nuk jemi edukuar t’i shohim veprat e artit, e sidomos të arteve figurative, me sy të të zhvilluar nga pikëpamja estetike, artistike ose të investimeve kulturore. Ndryshe nga muzika e sportet, që na kënaqin aty në çast, artet figurative përjetojnë shekuj historie të identitetit të ndjeshmërisë kombëtare.
A bëtë përpjekje të tjera, për të çuar ciklin në Shqipëri?
Në vitin 1994, unë vajta përsëri në Shqipëri, meqë Nëna ime tanimë ishte në shtratin e vdekjes. Unë qëndrova tërë muajin pranë asaj. Doktor Ylli Popa, më lajmëroi që na kishte ftuar President Sali Berisha, për një vizitë në vilën e tij, për të diskutuar se ç’mund të bëhej për sjelljen e projektit mbi Nënë Terezën në Shqipëri. I hapa tërë ilustrimet e riprodhimet, për të cilat ai tha:
“Po pse s’më lajmëruat përpara vizitës së Shenjtërisë së Tij, Papa Gjon Pali i Dytë, që ishte këtu për një vizitë?” Ia ktheva: “Po pse s’më ftuan përpara vizitës së Papës, kur Ministria e Kulturës po merrej vesh me mua me telefona e fakse, qysh tre vjet më parë”? Pas një heshtje pranë oxhakut me zjarr bubulak, makina e tij n’a përcolli në banesat tona.
Ju keni marrë një ftesë zyrtare që në maj 2005, nga drejtori i Galerisë së Artit në Tiranë, Abaz Hado dhe një tjetër ftesë në korrik 2005, nga drejtori i Muzeut, z. Moikom Zeqo, a përbëjnë shpresë ato për ta konkretizuar përpjekjen tuaj?
Unë shpresoj që qeveria Demokratike e Dr. Berishës, me përvojat e periudhës së parë udhëheqëse edhe në degët e artit e të kulturës kombëtare, tani mund të jetë më në gjendje ta sjellë këtë ekspozitë shëtitëse në vendet e sipërpërmendura. Por duhet patur durim dhe ecuri të vullnetshme. Në Dhjetorin e kaluar unë vajta sërish në Tiranë dhe këtë radhë e bisedova këtë çështje me të dy drejtorët e institucioneve të larta të vendit: me drejtorin e Galerisë Kombëtare të Arteve, zotin Abaz Hado, dhe me drejtorin e Muzeut Historik, zotin Moikom Zeqo.
Të dy e aprovuan dërgimin e dy ekspozitave atje: e para si ekspozitë Retrospektive, e tërë jetës time artistike për Galerinë Kombëtare të Arteve, me 15 – 30 Nëntor; dhe ekspozita tjetër, do hapej me punët e ciklit mbi Nënë Terezën në Muzeun Historik, 1 – 15 Dhjetor të këtij viti. Por iu desh atyre gjashtë a shtate muaj, për të më dërguar ftesat zyrtare për të vërtetuar nëse këto premtime do realizoheshin, apo jo?! Unë deri tani kam një njohuri të fenomenit të mosqenies korrekt, mes njerëzve tanë, edhe që ne jemi shumë të përpiktë ndaj marrëdhënieve me të huajt.
Për këtë arsye çështja tani qëndron në erë, vërtet peng i parealizuar. Mua më vjen keq që gjithë orvatjet e mia të deritanishme, për t’a çuar këtë projekt në Shqipëri e në vendet fqinjë, kanë dështuar. Megjithatë, për të dërguar një vepër humanitare kushtuar Nënë Terezës me ftesën e atyre institucioneve, duhen gjetur sponsorët. Dhe sponsorët nuk mund t’i gjej dot unë, sesa mund t’i gjejë me lehtësi të madhe një organizatë e diasporës. Prandaj dhe unë them që ky peng është peng shqiptar, se unë vet, detyrën time të ndërgjegjshme ndaj kombit, e kam kryer me talentin, me punën, me kohën dhe me shpenzimet e mia. Kusuri tani, varet nga ndërgjegjja e të tjerëve.
A keni bërë përpjekje për t’iu drejtuar diasporës shqiptare për të sponsorizuar transportimin e pikturave? A u jeni drejtuar biznesmenëve të veçantë, apo ndonjë shoqate shqiptaro-amerikane?
Për t’iu drejtuar Diasporës për një ndihmë të tillë, duhet më parë që diaspora të vihet në dijeni të qenies së këtij spektakli artistik, që ka të bëjë me transportimin dhe me sigurimin përkatës të këtyre punëve arti, nga çasti që dalin nga studio ime e derisa arrijnë në Tiranë, dhe prej andej, po qe se Ministria e Kulturës ndërhyn pranë Ministrive motra të vendeve fqinje, të dërgohet në kryeqytetet e trojeve shqiptare, dhe të mbarojnë në Romë.
Unë shpresoj që Gazeta ‘ILLYRIA’, që i ka tërë kontaktet me biznesmenët e suksesshëm shqiptarë, në çdo qoshe të Shteteve të Bashkuara, mund t’i bëjë atyre një thirrje në emrin e saj, për të mëkëmbur vlerat e bukura shqiptare në kohën e trazirave, duke mos e lënë emrin shqiptar, të bëhet i njohur vetëm nëpërmjet të komenteve negative të medias së huaj. Duhet ditur që po nuk i shfaqëm në vlerat tona, kush do verë ujë në zjarr për ne? Edhe media ne Tiranë, mund të sensibilizoje opinionin.
Pas një lajmërimi të tillë, unë do jem i gatshëm të shkoj në ato qendra dhe t’i ilustroj bashkë-takimet me shfaqje videosh e me materiale të tjera. Por kjo duhet organizuar nga të tjerët me kërkesat e tyre. Edhe enteve private a shtetërore amerikane i duhen drejtuar kërkesat nga Gazeta Illyria, që është i vetmi organ i shtypit, që përfaqëson zërin shqiptar në botën e lirë, ose nga individë të tjerë.
Ç’farë të reja presim në projektet e tua artistike?
Unë tani po merrem me një kuadër të madh mbi gjenocidin e kohëve të fundit në Kosovë, që ende po vazhdon gërmimet e reja, ku shfarosja e njeriut nga njeriu, u bë shëmtimi më i madh fizik e shpirtëror i njeriut, nga autorët e barbarive të shfarosjes. Unë nuk parashikoj dot se ç’hap tjetër do hedh më vonë. Unë jetoj nga dita në ditë. E ardhmja s’më përket mua. Është vetëm shpresa ajo që më mban gjallë në botën time të artit me letërsinë dhe me muzikën klasike. Të tjerat janë jashtë sferës te vullnetit tim.
Nëpër cilat ekspozita ka shëtitur Nënë Tereza e Zoi Shhytit në Amerikë dhe Europë dhe si është realizuar transportimi i saj?
Trajektorin historik të gjithë vendeve ku është ekspozuar ky projekt, e kemi sqaruar më sipër. Por çmimet këtu në SHBA-ës, për transportimin dhe sigurimin e veprave të artit, janë më të larta se ato të Evropës. Kur bëhet fjalë për ekspozita shëtitëse, po të paguhen shpenzimet nga dy a më shumë institucione të ndryshme, pagesat përgjysmohen. Por personat e marrëdhënieve publike, këtu kanë superioritet, në lidhje me mbledhjen e fondeve për atë qëllim. Nëse një galeri arti, a një muze i tillë bën kërkesa shkëmbimesh të ekspozitave nga një qendër në tjetrën, ekspozitat lëvizin me lehtësi, dhe shpenzimet përpjesëtohen.
Në këto raste institucionet e tilla kanë rreth tyre donatorë të mëdhenj, që i mirëmbajnë tërë qendrat a kulturës e të arteve dyer hapur për publikun artdashës. Kur kuratorja e muzeut Hargate Art Center në Concord të New Hampshirë, erdhi në studion time dhe zgjodhi punët që duheshin ekspozuar në sallën e tyre, ajo dërgoi mjetet e transportit të muzeut me një mbulesë sigurimi, mbi një milion dollarë. Kjo e bëri shoferin dhe ekspertët e ambalazhimit e të ngarkesës, të ishin shumë të kujdesshëm për mirëmbajtjet e punëve nga çasti që ato dolën nga studio ime, deri në kohën kur u kthyen sërish./Memorie.al

ide

Shqipëria Madhështore apo Shqipëria e Pazarit!

Opozita, akoma larg një projekti për rrotacionin e pushtetit

top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128